Maqedoni: Parlamenti votoi kundër shkarkimit të presidentit Ivanov
Parlamenti i Maqedonisë e ka refuzuar kërkesën e opozitës për hapjen e procedurës së shkarkimit të presidentit, Gjorge Ivanov, pas disa javëve të protestave kundër tij.
Pas një jave të debatit, mbrëmë ligjvënësit dështuan t’i arrijnë votat e nevojshme për ta mbështetur procedurën në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë.
Socialdemokratët opozitarë patën kërkuar shkarkim pas vendimit kundërthënës të zotit Ivanov, për amnistinë e dhjetëra zyrtarëve të lartë të akuzuar për korrupsion. Kjo amnisti ka shkaktuar protesta në rrugë dhe dënim ndërkombëtar.
Më vonë amnistia është tërhequr.
Kërkesa në Parlamentin e Maqedonisë ishte mbështetur, po ashtu, edhe nga partneri në koalicionin qeveritar, partia shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim.