Albspirit

Media/News/Publishing

“Maria Stuarda” emocionuese e Ermonela Jahos

Sopranoja shqiptare duartrokitet në Festivalin e Muzikës Klasike në Francë

Sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, do të emociononte publikun me interpretimin e saj gjatë Festivalit të Muzikës Klasike, që u transmetua nga “France 3”. Në momentet e fundit të interpretimit sopranoja ka realizuar me duar shenjën e shqiponjës, duke dhënë mbështetje me gjuhën e artit për gjuhën e kombin e saj. Ky gjest i Jahos është mbështetur nga mijëra fansa në rrjetet sociale. “Muzika madhështore na frymëzon gjithmonë të gjithëve. Faleminderit publiku i C.D’Orange për atmosferën dhe mbështetjen”, do të shkruante sopranoja në faqen e saj zyrtare në Facebook. Sopranoja Jaho interpretoi “Maria Stuarda”, nga opera e Gaetano Donizetti, që është një apel për paqen. Televizioni francez i bëri një promovim të dukshëm, jo vetëm sopranos shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, por edhe artit dhe kulturës shqiptare, ku theksohen arritjet e pazakonta në interpretimin e muzikës klasike të këngëtarëve shqiptarë dhe veçantitë në interpretimin e trashëgimisë muzikore shqiptare.

Festivali synon të pasqyrojë standardet dhe arritjet e larta artistike të vitit në Operën e Toulon, Avignon, Marseille etj. Hapja u bë me operën “Carmen” që është cilësuar si një urë lidhëse mes cilësive të një spektakli festiv dhe kulturës popullore. Në festival, përveç sopranos Ermonela Jaho, interpretuan edhe artistë të tjerë të shquar si Bryan Hymel, Béatrice Uria Monzon, Lambert Wilson, Vannina Santoni, etj. Edicioni i parë i festivalit “Muzika në Festë” është zhvilluar në vitin 2011 në teatrin e bukur antik “Orange”. Ai është zgjedhur si festivali i preferuar për francezët në 2014 dhe sot është quajtur takimi i referencës i muzikës klasike. Sopranoja, Ermonela Jaho, ka interpretuar dhe vazhdon të shënojë në kalendarin e saj artistik skenat më të njohura operistike si Opera Mbretërore e Londrës, Teatri i Scala-s të Milanos, Opera Metropolitan e Nju Jork-ut, Teatri i Champs-Elysees. Në maj të këtij viti, sopranoja shqiptare, Ermonela Jaho ka fituar çmimin ndërkombëtar prestigjioz Readers Award në ceremoninë që njihet si Oskari i Operës që u mbaj në teatrin “Savoy” të Londrës. Sopranoja me famë botërore triumfoi mes shumë zërave të tjerë operistikë nga mbarë bota, duke u vlerësuar maksimalisht nga votat e publikut ndërkombëtar.

Please follow and like us: