Partia “Anonymous”
Grupi më i famshëm i piratëve kibernetikë, i njohur si “Anonymous” prezantoi partinë e vet, programi i së cilës bazohet në dy pika të thjeshta; të rrëzojë sistemin aktual dhe të bashkojë njerëzimin rreth flamurit të paqes.
Partia e ‘haktivistëve’ mban emrin “Partia e Humanizmin” (THumP) dhe në një deklaratë publike, grupi zotohet se partia e tyre nuk do të përdorë taktikat e dhunës, frikës dhe kërcënimit që përdoren nga partitë tradicionale, që sipas piratëve nuk duan bashkimin e njerëzimit.
“Anonymous” thonë se deri më tani ishin një rrjet ndërkombëtar haktivistësh të pabashkuar rreth një filozofie. Por cila është filozofia e tyre tani?
“Një qeveri globale paqësore që mbron në mbarë botën të drejtat themelore të njeriut. Këto të drejta themelore janë pesë; ushqim dhe ujë falas për të gjithë, sigurimi i një banese për të gjithë, e drejta për t’u veshur për të gjithë, shëndetësi dhe kujdes mendor për të gjithë dhe arsimim për të gjithë”, thuhet në deklaratën e “Anonymous”.
Në programin e vet, grupi zotohet të shkrijë axhendat mes kapitalistëve dhe socialistëve dhe fajëson fetë për sëmundjet e njerëzimit.
“Besimet më të mëdha fetare kanë qenë, janë dhe do të mbeten shkaku i krizave të shoqërisë globale”, thuhet në deklaratë.
“THumP” thotë se do të kërkojë mbështetje paqësisht dhe përmes rrugëve ligjore kryesisht nëpër rrjetet sociale dhe në internet.