Profesori amerikan shpjegon mënyrën e parandalimit të ekstremizmit në Kosovë
Profesori amerikan, David Philips , njëkohësisht drejtor i projektit të “Ndërtimit të Paqes” në Universitetin e Kolumbias në New York, thotë se lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm nuk mund të bëhet vetëm përmes institucioneve të sigurisë, por duke forcuar nivelin e arsimit në Kosovë.
Sipas tij, mungesa e perspektivës i detyron shumë të rinj që t’i bashkëngjiten grupeve ekstremiste, raporton Insajderi.
“Mundësitë për të rinjtë, promovimi i vendeve të punës, zhvillimi ekonomik, mediet në përgjithësi që përçojnë mesazhe konstruktive, bashkëpunimi me imamët në nivelin lokal që ata të bëhen ‘kampion’ në moderim, janë mjete të lehta në luftimin e ekstremizmit”.
“Sigurisht që çështjet e sigurisë janë shumë me rëndësi. Nuk mund t’i minimizojmë. Luftimi i ekstremizmit nuk do të ndodhë vetëm me institucionet e sigurisë, por me adresimin e këtyre problemeve si dhe më e rëndësishmja, në përmirësimin e nivelit të arsimit”, tha Philips, njofton Radio Evropa e Lirë.
Philipps është profesor i diplomacisë edhe në Universitetin e Vjenës, derisa më parë ka punuar edhe si ekspert i çështjeve të huaja në Departamentin e Shtetit në ShBA.