Rama: Shqiponja në hyrje të Tiranës, tmerr estetik, zero origjinalitet
Për herë të parë kryeministri Edi Rama jep opinionin e tij dhe për Shqiponjën që u vendos në hyrje të Tiranës me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, 2012
Në atë kohë Shqipëria qeverisej nga Sali Berisha ndërsa Tirana nga Lulzim Basha.
Rama e quan “një tmerr estetik” në një intervistë për Tv Klan Kosova.
Edi Rama: Shqiponja është një element shumë identifikues për ne, dihet kjo! Por, vizualisht, shqiponja e flamurit tonë është e jashtëzakonshme, ka një trajtë grafike spektakolare dhe thuajse të pamundur për riinterpretime të suksesshme.
Mund të biesh menjëherë në vulgaritet estetik nëse e transferon në një trajtë tjetër!
Shikoni, për shembull, se çfarë tmerri estetik është ajo shëmbëlltyra e shqiponjës së flamurit, e vendosur tek hyrja e Tiranës. S’ka asgjë nga pesha dhe finesa e origjinalit në fushën e kuqe të flamurit, zero! Përkundrazi, është një alterim vrastar për sytë, një siluetë agresive në boshllëk.
Monumenti-skulpturë 6 metra i lartë dhe me bazament katër metra, dhe peshon plot prej 16 ton çelik, është vendosur tek rrethrrotullimi i Doganës, në hyrje të Tiranës, dhe sheshi është pagëzuar me emrin “Shqiponja”.
Monumenti u finanacua nga Laim Destani biznesmen dhe filantrop. Lazim Destani është një biznesmen i suksesshëm me prejardhje nga Malësia e Sharrit të Tetovës. Ai dhe familja e tij drejtojnë një rrjet internacional biznesesh që veprojnë në sektorin e shërbimeve, inxhinierisë dhe ndërtimit, energjetikës e logjistikës me mbi tridhjetë ndërmarrje aktive në tregun global që shtrihen në Gjermani, SHBA, Zvicër, Dubai, Turqi, Maqedoni, Liban, Kuvajt, Rusi, Mongoli dhe Kinë.