Albspirit

Media/News/Publishing

Skandali seksual në Shkodër, eksperti: 15-vjeçarja është abuzuar

Gjykata e Shkodrës dje la sërish në burg ish-­drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë, duke mos pranuar kërkesën e saj për zëvendësimin e masës së sigurisë.

Albana Llazani akuzohet për “shpërdorim detyre” dhe “keqtrajtim të të miturve”, pas skandalit të denoncuar nga Avokati i Popullit për abuzimet seksuale të fëmijëve të këtij institucioni. Vajzat e mitura për të cilat u dyshua se janë abuzuar janë të moshës 6, 8, 11 dhe 15 vjeçe.

Por sipas ekspertizës së kryer nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore, vetëm njëra prej tyre, vajza 15 vjeçe, ka rezultuar e defloruar. Ndërsa për të miturat e tjera, sipas të dhënave që ndodhen tashmë në dosjen hetimore, nuk rezultojnë të abuzuara seksualisht.

Ish­-drejtoresha Llazani u akuzua për katër vajzat e mitura të Shtëpisë së Fëmijës për abuzime seksuale dhe dhunim brenda institucionit që ajo drejtonte. Por ekspertiza, që përjashtonte nga abuzimi tre prej fëmijëve, nuk e ka lehtësuar pozitën e Llazanit, e cila më parë kishte punuar edhe si psikologe.

Burime pranë Prokurorisë bënë të ditur dje se janë 4 vajza të mitura, të cilat kanë deklaruar para ekspertëve të Avokatit të Popullit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore se kanë kryer marrëdhënie.

Burime nga Prokuroria e Shkodrës shprehen se tashmë prokurorja e çështjes, Arta Marku, ka në dosjen e saj edhe ekspertizën mjeko-ligjore që është kryer në Tiranë. Ekspertiza ka faktuar se vetëm vajza e moshës 15 vjeçe kishte kryer marrëdhënie.

Duke qenë se tri prej vajzave nuk rezultojnë të abuzuara seksualisht, avokati mbrojtës, duke pasur këtë informacion dhe duke ditur lehtësimin e masës së sigurisë për katër punonjëset e tjera, e çoi çështjen edhe një herë në shkallën e parë, duke kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë, por gjykata nuk e pranoi dhe la në fuqi vendimin “arrest me burg” për ish-­drejtoreshën Llazani.

Pala mbrojtëse, përmes avokatit Ardjan Hajdari, kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë për shkak të ndryshimit të rrethanave dhe plotësimit të kushteve, por në seancën e drejtuar nga gjyqtari Hasan Selimi, u la në fuqi i njëjti vendim. Në seancë ka qenë vetëm djali i madh i ish­-drejtoreshës Llazani, i cili është lejuar që ta ndjekë gjyqin e zhvilluar.

Nga sa mësohet, prokurorja e çështjes Arta Marku ka kërkuar sërish “arrest me burg”, pavarësisht kërkesës së mbrojtjes për ta liruar atë. Përveç personalitetit dhe mospasjes rrezik për t’u larguar nga Shqipëria, avokati është bazuar edhe te lirimi i 4 punonjësve të tjera të Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë në Shkodër, që akuzoheshin po ashtu për “shpërdorim detyre”.

Ish-­drejtoresha Llazani dhe pala mbrojtëse mund t’i drejtohen brenda 10 ditëve sërish Gjykatës së Apelit në Shkodër për ta ankimuar këtë vendim. Pak ditë më parë u zhvillua gjyqi edhe për 4 punonjëset e tjera për të cilat Gjykata e Apelit në Shkodër ndryshoi masën e sigurisë së “arrestit me burg”, duke e lehtësuar për secilën prej tyre. Pas gjyqit në shkallën e parë, ku u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” për 5 punonjëset, më 6 qershor, tri prej tyre dolën për t’u njohur me masën e sigurisë në Gjykatën e Apelit.

Apeli për Najada Rramollin dhe Rafaela Camajn vendosi të ndryshojë masën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Më 15 qershor, Apeli liroi edhe dy punonjëset e mbetura, Shpresa Nishani dhe Vjoleta Marku, teksa ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim me paraqitje”.

Please follow and like us: