Steinmeier: Evropa e rrezikuar nga “ndarjet e reja”
Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, ka tërhequr vërejtjen se Evropa “është në rrezik të ndarjeve të reja”.
Mëtutje, në një artikull autorial të publikuar në Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi, në shënim të 75 vjetorit të invadimit të Gjermanisë Naziste në Bashkimin Sovjetik, Steinmeier tha se “paqja në Evropë nuk mund të konsiderohet e garantuar”.
Ai, po ashtu, ka kërkuar dialog diplomatik ndërmjet NATO-s dhe Rusisë, e jo konfrontim ushtarak.
Komenti i zotit Steinmeier është publikuar sot në gazetat Kommersant në Rusi, Serkali Nedeli të Ukrainës dhe Sovetskaya Belorussyia.
Duke iu refereuar aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë dhe mbështetjen e Moskës për luftëtarët separatistë në pjesën limndore të Ukrainës, Steinmeier tha se “ndryshimi unilateral i kufijve, duke e shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe dështimi për ta respektuar integritetin territorial të vendeve fqinje…na kthen neve prapa në kohërat nga të cilat ne kemi besuar se jemi larguar, kohërat të cilat askush nuk i dëshiron”.
Më 18 qershor, Frank-Walter Steinmeier, i ka tërhequr vërejtjen NATO-s kundër “luftënxitjes” për shkak të ushtrimeve ushtarake në krahun e saj lindor.
Ai ka kërkuar që NATO-ja t’i zëvendësoj ushtrimet stërvitore me më tepër dialog dhe bashkëpunim me Rusinë.
Zyrtari i lartë gjerman, më 19 qershor ka thënë se nëse Rusia e kryen pjesën e saj për implementimin e planit të paqes për Ukrainë, atëherë Bashkimi Evropian do të duhej gradualisht t’i tërhiqte sanksionet e imponuara kundër Rusisë, për rolin e saj në krizën e Ukrainës.