Albspirit

Media/News/Publishing

7 deputetë të opozitës janë blerë me euro dhe prona nga Rama, për të votuar reformën

Gazeta “Koha Jonë”, e cila tashmë i ka të përhershme spekulimet, shkruan sot se kryeministri Edi Rama ka blerë 7 deputetë të opozitës, me euro dhe prona.

“Pas disa tentativave të dështuara për konsensus për reformën në drejtësi, kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste kanë hedhur në qarkullim idenë e marrjes së disa votave nga Partia Demokratike. E thënë më thjeshtë: janë blërë 7 deputetëve opozitarë, të cilët do të thyejnë urdhrin politik të Lulzim Bashës për të votuar nëse nuk ka konsensus. Ka informacione se janë bërë pazaret dhe priten të vijnë në sallën e parlamentit për ta votuar”, shkruan kjo gazetë.

“Çështja e blerjes së disa votave për të bërë numrin 94 në teori është e thjeshtë për t’u realizuar. Disa deputetë të djathtë që nuk do jenë në listat e ardhshme janë gati të votojnë për PS-në, natyrisht në këmbim të pazarëve që kanë mbyllur në euro e në tenderime të firmave apo të njërëzve pas tyre. Pra siç thotë ish-deputeti Kokëdhima pazari është mbyllur. I kanë marrë ato çka duhet në këmbim të votes”, vijon më tej ajo, ndërkohë që edhe pse përmend numrin e deputetëve, nuk thotë asnjë emër se kush është blerë.

Në fund, duke përsëritur thirrjen e PD-së, “Koha Jonë” shkruan se do shkrumbohemi nëse reforma votohet me disa deputetë të rekrutuar demokratë.

Please follow and like us: