Albspirit

Media/News/Publishing

Faza e tretë e të sëmurit të Surrelit

 

sokol shameti

Nga Sokol Shameti

Qeveria po synon të shtrydhë maksimumin e përfitimit nga suksesi i skuadrës së futbollit vendas në Europian. Kryeministri i qeverisë i pasuar menjëherë nga një kor vartësish të tij, kanë rendur të postojnë në rrjetet e tyre sociale ftesën për të pritur me nderime Kombëtaren në Rinas pas kthimit nga Franca.

Fshehtas, ajo nuk është një ftesë drejtuar qytetarëve për të nderuar Kombëtaren me një ceremoni, por një babëzi meskine për të kontrabanduar edhe kryeministrin brenda ceremonisë si pjesë të pamerituar në eventin ku do të shpërndahet mirënjohje popullore falas.

Po ç’punë ka shefi i ekzekutivit të një vendi të uriturish, të abuzuarish dhe të papunësh në një aktivitet që i dedikohet një suksesi që nuk ka lidhje me të?

Nderimi i Kombëtares është vetëm preteksti, qëllimi është trafikimi brenda në ceremoni e sundimtarit që vuan nga mungesa e dashurisë dhe që synon ta përfitojë atë duke u shfaqur si fant spathi kudo ku nuhatet tepricë dashurie. Pak a shumë si kulla e stadiumit që u mendua se njerëzit do ta duan bashkë me stadiumin së cilës ajo iu bashkangjit me dinakëri.

E përballur me kritika të përditshme dhe e rrethuar nga skandale të pandalshme, skuadra e drejtuar nga Rama është e ndërgjegjshme se “skualifikimin” e vet, atë nga kampionati i respektit prej shqiptarëve, e ka pësuar me kohë. Madje në mënyrë të palavdishme dhe me turp.

I vetmi mjet që mbetet për të justifikuar ekzistencën e vet në këtë sport ku ajo luajti keq ndonëse me komoditetin e vetmisë, është tashmë të përvetësojë ç’të mundet nga respekti i të tjerëve, s’ka rëndësi se kujt. Dhe Kombëtarja e futbollit, e cila për të gjithë shqiptarët simbolizon një objekt mitizimi dhe dashurie pa kushte, është një kafshatë joshëse. Kryeministri e ka pikasur herët këtë fakt, prandaj i është qepur asaj me kohë.

Shqiptarët e duan skuadrën kuqezi pa dallim, andaj shefi i qeverisë duke iu atashuar në mënyrë parazitare si një shtojcë e detyruar rrugëtimit të grupit të De Biasit, lufton të përfitojë diçka nga ombrella e dashurisë që shqiptarët i rezervojnë skuadrës së zemrës.

Në psikiatri, kjo njihet me atë që quhet “faza e tretë e dëshpërimit”. Studiuesja zvicerane Kybler-Ros, publikoi më 1969 pesë fazat e dëshpërimit, pasi ekzaminoi të sëmurët terminalë që sapo kanë mësuar se do të vdesin. Faza e parë e dëshpërimit të tyre është Mohimi i së vërtetës. Faza e dytë është Zemërimi. Faza e tretë është Negociimi.

Përpjekja e Edi Ramës për të shpallur veten përpara popullit si mundësues të suksesit të një subjekti të tretë (që është Kombëtarja e futbollit) lidhet pikërisht me këtë proces të brendshëm prej të sëmuri terminal. Ai e di se qeverisja e tij herët a vonë do të përballet me fundin. Por mendja e tij mendon se ky fat i pashmangshëm mund gjithsesi të shmanget ose të zbutet përmes shoqërimit të tij me suksesin e tjetërkujt.

Dhe ky është një lloj negociimi që mendja e Ramës bën më kot me realitetin e vet të hidhur, me shpresë se ai do të ndryshojë si pasojë e kësaj dredhie. Gjithçka është e qartë duke pasur parasysh se kryeministri dhe qeverisja e tij e sëmurë terminale, vijnë në këtë situatë pas dy fazave të para: asaj të mohimit të së vërtetës dhe asaj të zemërimit.

Të gjithë kemi qenë dëshmitarë sesi i ndodhur në fazën e parë psikiatrike të Mohimit të së vërtetës, fillimisht Rama mundohej të shiste dështimin për sukses dhe sapunin për djathë. Sesi u kundërpërgjigjej fakteve me batuta, protestave me police gra, urisë me lungomare, dekriminalizimit me kriminalizim dhe papunësisë me tallje për popullin dembel.

Po ashtu, u bë e qartë se kryeministri hyri në fazën e dytë psiqike të Zemërimit, kur anembanë Shqipërisë nisën të kërcasin prangat dhe kërbaçi. Kur burgjet u mbushën dingaz me të varfër që shisnin një dorë qepë për të mbajtur frymën e kur mjetet represive të qeverisë ia nisën ta demonstrojnë frustrimin e atij lart përmes zemërimit mbi kurrizin e atyre poshtë. Atyre që me mjerimin e tyre po i prishnin të madhit idenë e vet mbi realitetin.

Kjo fazë e tretë e të sëmurit të Surrelit përkon me iluzionin e tij se ndoshta nuk do të përfundojë ashtu siç dihet se përfundojnë qeverisjet e këqia. Se ja: jo çdo gjë shkon për ibret nën diellin e tij – shikoni si fitojmë në futboll për shembull. Sipas Kybler-Ros, faza e Negociimit është edhe ajo më e shkurtëra dhe shërben si moment kalimtar drejt një stadi tjetër.

Menjëherë pas saj mbërrin faza e katërt, ajo e Depresionit. I sëmuri terminal në këtë fazë i var teneqen çdo gjëje. Ai zhytet në limonti dhe mendon se është e kotë të lëvizë edhe gishtin pasi gjithsesi, fundi dihet. Në qeverisje këto janë periudha shthurjeje të përgjithshme ku paligjshmëria dhe të fortët marrin frenat.

Mbetet që shqiptarët të shpresojnë se kjo fazë që është edhe më e frikshmja të kalojë sa më shpejt dhe pa pasoja, duke e ndihmuar të sëmurin e tyre të mbërrijë më në fund në fazën e pestë dhe atë më të lumturën që është Pranimi. Faza kur i sëmuri më në fund e pranon se s’ka ç’të bëjë. Se është e kotë të luftojë dhe se më mirë ta presë fundin me dinjitet. Shpëtim nuk ka. As nëse shtiret si artist. As nëse maskohet si futbollist.

Please follow and like us: