I burgosuri i Guantanamos transferohet në Mal të Zi
Një i burgosur, shtetas i Jemenit, është transferuar nga Guantanamo në Mal të Zi.
Pentagoni ka thënë se me transferimin e Abdel Malik Ahmed Abdel Wahab Al Rahabiit, në qendrën e paraburgimit në Guantanamo mbeten edhe 79 persona.
Dokumentet e Pentagonit e përshkruajnë Al Rahabin si anëtar të Al Kaidës, që dikur ka qenë roje e liderit të vrarë të grupit, Osama bin Laden, dhe ka marrë pjesë në luftime kundër SHBA-së dhe forcave të koalicionit.
Pas një rishikimi në vitin 2014 është konstatuar se Al Rahabi nuk paraqet më rrezik për interesat amerikanë dhe është rekomanduar transferimi i tij.
Pentagoni ka falënderuar Malin e Zi për “gjestin humanitar”.
Në burgun në Guantanamo, prejse është hapur në vitin 2002, kanë qenë rreth 800 persona të dyshuar për terrorizëm.