Albspirit

Media/News/Publishing

Magjistratët dalin kundër KLD

Skandali/ Magjistratët revoltë ndaj KLD

Ditën e hënë, me datë 20.06.2016, Këshilli i Lartë i Drejtësisë (më poshtëm KLD) njoftoi publikisht se gjatë mbledhjes kishte miratuar propozimin për emërim përfundimtar të nëntë magjistratëve gjyqtarë të vitit akademik 2012-2015. Në pamje të parë u duk një vendim rutinë, por pas hulumtimit mbi këtë procedurë kemi marrë dijeni mbi faktet e organizimit, debatit në mbledhje, votimit, pretendimeve të magjistratëve, procesit gjyqësor që pritet të nisë në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Tiranë dhe Peticionit të magjistratëve kundër kësaj vendimmarrje të pretenduar të paligjshme, drejtuar institucioneve të drejtësisë, Kryeministrit dhe prezencës së ndërkombëtarëve që po merren aktivisht me çështjen e reformën në sistemin e drejtësisë.

Shkolla e Magjistraturës është krijuar me Ligjin 8136/1996 dhe brezi i parë i gjyqtarëve dhe prokurorëve magjistratë janë emëruar në vitin 2000. Sipas nenit 20 të këtij ligji gjyqtarët dhe prokurorët magjistrat emërohen respektivisht nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm sipas vlerësimit të tyre përfundimtar dhe të Përgjithshëm në përfundim të tre viteve akademike, vlerësim i cili realizohet nga Këshilli Pedagogjik i Shkollës së Magjistraturës. Ajo që ka dashur të arrijë ky standart ligjor është që emërimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të arrihet nëpërmjet parimit të meritokracisë dhe vlerësimit të tyre gjatë tre viteve shkollë. Është fakt gjithashtu se pesëmbëdhjetë breza magjistratësh gjyqtarë dhe prokurorë, që tashmë përbëjnë shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Republikës, janë të propozuar dhe emëruar në detyrë sipas kësaj praktike të zbatimit të ligjit nga KLD dhe Prokurori i Përgjithshëm. Megjithatë në mbledhjen e datës 20.06.2016 të KLD propozimi për emërimin përfundimtar të gjyqtarëve magjistrat nuk u bë sipas renditjes trevjeçare të vlerësimit nga Shkolla e Magjistraturës, por u bë sipas një procedure të krijuar rishtazi dhe të padëgjuar më parë, nëpërmjet shortit.

Rezultatet e shortit qenë ato që KLD publikoi në njoftimin në dukje rutinë dhe ato që mbeten para Presidentit të Republikës për emërim që të nesërmen e mbledhjes. Nga verifikimi i rastit rezultoi se mbledhja e KLD është zhvilluar pa praninë e mediave dhe se magjistratët kanë qenë të panjoftuar. Shumica e tyre prej dy të tretave, që sot janë paditës dhe kërkues në peticione, lajmin e propozimit të tyre e kanë marrë nga media. Nuk ka asnjë detaj të bërë publik nga KLD që të sqarojë se kush dorë e hodhi shortin, se si u hodh shorti, se si u organizua kjo procedurë, se ku parashikohej kjo procedurë, pse nuk u zbatua neni 20 i ligjit, pse u ndryshua praktika pesëmbëdhjetë vjeçare, pse nuk u mor parasysh renditja dhe vullneti i vetë magjistratëve, apo shumë e shumë çështje të tjera që lindin nga pyetje të natyrshme. Nga verifikimi ka rezultuar se, procedurat e emërimit përfundimtar të nëntë magjistratët gjyqtar ka vonuar me gati një vit. Megjithatë në një mbledhje të fundit të prillit 2016 Ministri i Drejtësisë i ka propozuar KLD shtatë vendet vakante për magjistratët. Në muajin maj janë propozuar dhe miratuar të nëntë vendet vakante dhe se në këtë mënyrë hapej mundësia për realizimin e procedurës së zgjedhjes së vendeve vakante nga magjistratët sipas renditjes së tyre.

Me datë 01.06.2016 KLD i kërkon zyrtarisht Shkollës së Magjistraturës të që të paraqiten deklaratat e përzgjedhjes së magjistratëve mbi vendet vakante të miratuara për to që të realizohen propozimet e emërimit përfundimtar. Magjistratët janë mbledhur dhe secili sipas renditjes dhe vlerësimit trevjeçar kanë përzgjedhur sipas rendit zbritës nga i pari tek i fundit vendet e ardhshme të punës. Në të njëjtën ditë Shkolla e Magjistraturës i ka komunikuar KLD procesverbalin e përzgjedhjes. Pas dy javësh Presidenti i Republikës cakton si mbledhje datën 20.06.2016 dhe si pikë të parë të rendit të ditës emërimin përfundimtar të magjistratëve. Bashkëlidhur rendit të ditës, nga burimet e anëtarëve të KLD, ndodheshin deklaratat përzgjedhëse dhe procesverbali respektiv i magjistratëve. Kjo do të thotë se, të gjithë anëtarët e KLD kanë marrë dijeni se magjistratët do të emëroheshin sikurse janë emëruar vitin e kaluar, vitin e mëkaluar dhe kështu me rradhë deri në vitin e largët 2000. Asnjë nga magjistratët nuk ishte njoftuar për mbledhjen dhe për rendin e ditës. Magjistratët e dëmtuar nga vendimmarrja e KLD pohojnë se, nga mesdita kanë marrë dijeni nga media se ishin propozuar për emërim si më poshtë: vendi i parë në renditje znj.

Matilda Fetau nga Tirana në Elbasan; vendi i dytë znj. Esmerilda Habilaj nga Durrësi në Vlorë; vendi i tretë znj Ina Hoxhaj nga Elbasani në Pogradec; vendi i katërt znj. Nertila Kape nga Shkodra në Dibër; vendi i pestë znj. Armela Hasantari nga Vlora në Tiranë; vendi i gjashtë znj. Yrfet Shkreli nga Pogradeci në Përmet; vendi i shtatë z. Paulin Cera nga Dibra në Durrës; vendi i tetë z. Besmir Stroka nga Përmeti në Shkodër; vendi i nëntë nga Puka në Pukë. Kështu shorti kryhej për herë të parë në historinë institucionale të KLD-së, edhe pse e paparashikuar si procedurë në ligj edhe për më tepër në kundërshtim me ligjin. Nga interesimi pranë anëtarëve të KLD rezultoi se, fillimisht moszbatimi i nenit 20 të ligjit për Shkollën e Magjistraturës, sikurse praktika pesëmbëdhjetëvjeçare e zbatimit, është propozuar nga anëtari i Gjykatës së Lartë z. Artan Broci. Propozimi nuk ka qenë parashikuar në rendin e ditës por është bërë aty për aty, pa u respektuar procedura, sikurse ligji detyron formësimin dhe planifikimin e tij. Pas diskutimeve pro dhe kundër, është hedhur në votim propozimi dhe pesë anëtarë kanë votuar pro dhe pesë anëtarë të pranishëm kanë votuar kundër. Sakaq propozimi, duke mosarritur shumicën e kërkuar nga ligji, është rrëzuar. Por jo për anëtarët bekues dhe këmbëngulës të procedurës së shortit. Duke mos rënë dakord që të procedohej sikurse ligji parashikon dhe sikurse vetë rezultatet e votimit determinuan, është pritur që nga dhjetë anëtarë prezent të bëhen njëmbëdhjetë.

Sakaq ka ardhur Ministri i Drejtësisë në mbledhje dhe menjëherë është propozuar votimi edhe një herë i propozimit të rrëzuar tashmë. Në rivotim votat janë ndarë në gjashtë pro shortit dhe pesë kundër. Ministri i Drejtësisë ka determinuar rezultatin. Kështu nga të njëjtat burime del se, anëtarët e KLD që kanë votuar pro zbatimit të nenit 20 të ligjit për Shkollën e Magjistraturës kanë qenë znj. Albana Shtylla, znj. Eneida Civici, z. Ridvan Hado, z. Vangjel Kosta dhe z. Petrit Como. Ndërkohë anëtarët e KLD që kanë votuar kundër zbatimit të ligjit kanë qenë z. Gjin Gjoni, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani; Ministri i Drejtësisë z. Ylli Manjani, z. Astrit Haxhialushi, propozuesi z. Artan Broci, znj. Brunilda Kadi. Ndërkohë ka rezultuar se katër anëtarë kanë munguar në këtë mbledhje, konkretisht z. Xhezair Zaganjori, z. Gerd Hoxha, z. Sokol Como, z. Neritan Cena. Një ditë më vonë gjashtë magjistratë, znj. Matilda Fetau, znj. Esmerilda Habilaj, znj. Ina Hoxhaj, znj. Nertila Kape, znj. Yrfet Shkreli dhe z. Gentian Marku, kanë paraqitur një padi në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative të Tiranës, duke pretenduar se vendimi i KLD për propozimin e gjyqtarëve me short nuk ka lidhje me ligjin, se shorti nuk është kriter për emërimin e gjyqtarëve, duke pretenduar se është cenuar siguria juridike dhe pritshmëritë e ligjshme, zbatuar ligji me fuqi prapaverpuese, shkelur procesi i rregullt ligjor, se është cenuar e drejta për të përcaktuar lirisht vendbanimin, për të zgjedhur lirisht profesionin dhe kualifikimin profesional, se është cenuar e drejta për jetë të qetë familjare dhe se është cenuar e drejta e tyre për t’u dëgjuar para se të gjykohen nga KLD.

Ato kanë kërkuar nga Presidenti i Republikës që të pezullohet procedura e emërimit si masë sigurimi padie, derisa të zgjidhet çështja me vendim përfundimtar të formës së prerë. Aktualisht magjistratët janë në pritje nëse Presidenti i Republikës do të miratojë me dekret atë çka ka këmbëngulur dhe votuar në KLD dhe nga ana tjetër ata janë në pritje të vendimit që gjykata do të marrë mbi rastin konkret. Paralelisht me këtë iniciativë ligjore ato kanë paraqitur peticione për të ndaluar këtë proces të paligjshëm emërimi gjyqtarësh si tek Kryeministri, Presidenti, Konferenca Gjyqësore Kombëtare, Prokurori i Përgjithshëm, shoqatat e gjyqtarëve, ambasada amerikane, Euralius, Opdat, Këshilli Europës, Bashkimi Europian, OSBE e të tjera prezenca ndërkombëtare në Shqipëri. Ata pretendojnë se janë të pafuqishëm të ndalin turravrapin e shkeljes së ligjit në emërimin e tyre, saqë e vetmja shpresë ka mbetur publikimi i rastit në media në mënyrë që të rritet përgjegjshmëria dhe presioni dhe opinioni public mbi vendimmarrësit. Ata pretendojnë se, e gjithë procedura nuk ka qenë transparente, pasi kanë zgjedhur në emër dhe për llogari të tyre me short duar që nuk i njohin. Ata pretendojnë se, procedura e ndjekur nga KLD është jotransparente pasi ato nuk janë njoftuar dhe se shorti është hedhur me dyer të mbyllura. Ato pretendojnë se, neni 20 i ligjit të Shkollës së Magjistraturës është shkelur, duke mos u respektuar renditja tre vjeçare e shkollës dhe e drejta e tyre sipas prioritetit të renditjes për të zgjedhur, por duke u nihilizuar puna trevjeçare e shkollës dhe duke iu lënë në dorë një rastësie jotransparente dhe të organizuar nga duar të panjohura. Magjistratët pretendojnë se, u është cenuar siguria juridike e tyre, pasi në kushtet kur nuk është mbajtur parasysh praktika pesëmbëdhjetë vjeçare e zbatimit të nenit 20 të ligjit të shkollës, në kushtet kur ato kanë hyrë në shkollë me pritshmërinë se do të zbatohet, janë shkolluar me këtë pritshmëri dhe kanë zbatuar procedurat e kërkuara nga vetë KLD, janë gjendur para një interpretimi me fuqi prapaverpuese dhe ex novo të ligjit, pa patur dijeni dhe pa qenë në gjendje të mbrohen, të dëgjohen para se të gjykohen.

Magjistratët pretendojnë se, Kushtetuta parashikon se kriteret dhe kushtet për të qenë gjyqtar parashikohen me ligj, ndërkohë që KLD në rastin e tyre pa kushtetutë, pa ligj, pa akt nën ligjor, pa dijeni, shpik nga hiçi dhe për herë të parë në historinë e këtij institucioni, nëpërmjet një anëtari propozues dhe pesë të tjerëve duarlart, shortin si kriter dhe kusht për emërimin e gjyqtarëve. Magjistratët pretendojnë se, rendi i ditës nuk është respektuar sipas ligjit, pasi pa patur urgjencë dhe pa kaluar procedurat formale për këtë, ndryshe nga rendi ditës, është propozuar aty për aty dhe miratuar një procedurë sikurse është shorti shorti. Magjistratët pretendojnë se, kjo çështje duhet të planifikohej në rendin e ditës sipas ligjit dhe më parë se të diskutohej duhet t’u njoftohej të gjithë anëtarëve bashke me relacionin përkatës, duke iu dhënë mundësi dhe akses në debat dhe në votim edhe katër anëtarëve që nuk kishin marrë pjesë në mbledhjen e KLD. Ato pretendojnë se në kushtet kur shumica e votave për moszbatimin e ligjit është ka qenë +1, atëhere mungesa e katër anëtarëve në mbledhje, në kushtet ligjore të planifikimit të rendit të ditës, do të mundet të kishte një rezultat tjetër votimi nëse duhet të zbatohet ligji apo jo. Për rrjedhojë ato pretendojnë se, vendimi i KLD për shpikjen estraligjore të procedurës së shortimit si kriter dhe kusht për emërimin e gjyqtarëve është shkelje e rëndë e procedurës së miratimit të aktit sa e bën atë absolutisht të pavlefshëm.

Për rrjedhojë edhe vendimi për propozimin e gjyqtarëve është njëlloj i pavlefshëm. Magjitratët pretendojnë se, propozimi që mbetet varur këto ditë për emërim nga Presidenti i Republikës ka shkelur procedurën ligjore të bërë traditë në emërimin e gjyqtarëve, ku Presidenti nuk merr pjesë në votimin e propozimeve. Në rastin e tyre del se, Presidenti ka marrë pjesë në votimin e moszbatimit të nenit 20 të ligjit për Shkollën e Magjistraturës, dmth. të vendimit determinant që të mos ndiqet asnjë kriter meritokracie por të ndiqen kritere fati dhe rastësie. Kaq do të mjaftonte që ai të jetë në kushtet e papajtueshmërisë me ligjin për të vendosur lidhur me dekretin e emërimit, për pasojë se del se edhe propozimi edhe emërimi janë bërë nga Presidenti dhe jo nga KLD fillimisht e më tej Presidenti të kontrollojë KLD. Në rastin konkret dekretet e Presidentit i bien që të jenë kontrolle të vetvetes, duke prishur dhe shkelur parimet kushtetuese check and balance ndërmjet institucioneve. Ndaj ato kërkojnë që Presidenti i Republikës të mos i dekretojë propozimet e veta dhe të pesë duarlartëve, duke i dërguar sakaq një mesazh të qartë KLD, që nuk mundet të hidhet në votim çështja nëse do të zbatojmë ligjin apo do të krijojmë ligj vetë. Ato sjellin në vëmendje se, i njëjti President në detyrën e tij ka patur dy precendentë të mëparshëm të mosemërimit dhe mosdekretimit të propozimeve për emërimin e përkohshëm dhe përfundimtar të magjistratëve të diplomuar në vitin 2012, duke lënë pa emëruar dhe duke lejuar qëllimisht rënien nga fuqia të propozimeve të KLD, për të cilat dha haptazi mesazhin që nuk ishte dakord.

Ato kërkojnë që Presidenti të mos bëjë as më shumë dhe as më pak se sa këto dy precendentë, për t’i dhënë sakaq mundësinë e dytë KLD të zbatojë ligjin. Magjistratët pretendojnë që përplasjet institucionale ndërmjet disa anëtarëve të KLD dhe Shkollës së Magjistraturës të mos jenë faktorë ekstraligjorë që ndikojnë në një votim të tillë ku si çështje për vendimmarrje shtrohet zbatimi apo krijimi i ligjit. Magjistratët pretendojnë që, anëtarët e KLD kur të vendosin të jenë të përqëndruar vetëm në ligj, meritat e matura të tyre nga organi kompetent dhe tek e drejta e tyre për të vendosur mbi përzgjedhjen e vendbanimit, zhvillimit profesional dhe jetës së qetë familjare. Magjistratët kërkojnë gjithashtu që, nëpërmjet mosemërimit nga ana e Presidentit të Republikës, t’i jepet një mesazh i qartë të gjithë atyre që ngrenë dorën lart për të votuar t’i japin dikujt atë që s’i takon dhe t’i jepet nj mesazh edhe m i fort atyre që guxojnë të lobojnë në mënyrë obskure për të marrë ç’është e tjetrit.

Për magjistratët e dëmtuar nga shkelja e ligjit është me rëndësi thelbësore, që Presidenti i Republikës, KLD dhe të gjithë faktorët e tjerë kombëtar dhe ndërkombëtar të kërkuar nëpërmjet peticionit, të bëjnë ç’është e mundur që gjithkujt t’i tregohet se karriera e dhënies së drejtësisë nuk mundet të fillohet me padrejtësi dhe paligjshmëri me të vetmen arsye se shumëkujt thjeshtë i është besuar e drejta për të vendosur dhe sakaq ai mundet të bëjë ç’të dojë. Për magjistratët është shumë e rëndësishme që një akt i tillë të dënohet me përbuzje dhe reforma e drejtësisë sikurse edhe vigjilja e saj të japë mesazhet shekullore që kanë frymëzuar drejtësinë njerëzore: Jeto me nder; mos i bëj dëm tjetrit dhe secili të marrë atë që i takon.

Please follow and like us: