Albspirit

Media/News/Publishing

Referendumi britanik, shqiptarët pro qëndrimit në BE

Shqiptarët e Britanisë së Madhe duket se do të votojnë në shumicë pro qëndrimit të vendit ishullor në Bashkimin Europian në votimin e së enjtes, në refendumin historik që jo vetëm përbën vendimin më të madh politik të një gjenerate, por rezultati i tij do të përcaktojë deri diku edhe të ardhmen politike të unionit.

Gole Nashi, lektor në Universitetin Herdforshire në Watford, përiferi e Londrës, thotë se do të votojë pro qëndrimit në referendumin e ditës së nesërme.

“Ajo që do të shtoja është në fakt roli vendimtar që ka luajtur Britania gjatë 3-4 shekujve të fundit në zgjidhjen e konflikteve europiane e botërore, madje një rol përcaktues në palët fituese gjatë këtyre konflikteve. Sa i përket Shqipërisë, e cila ka nisur një sërë reformash të mëdha, që kanë si objektiv hyrjen e vendit në BE, natyrisht që destabilizmi i unionit do të ndikonte negativisht edhe në suksesin e këtyre refomave”, shprehet Gole Nashi.

Ndërkohë Vera Sahatçiu, psikiatre në profesion, e cila është edhe nëna e këngëtares së famshme shqiptare në Britani, Rita Ora, duket e pavendosur sesi do të votojë në referendumin e së enjtes.

“Ende jam në shqyrtim e sipër. E di që shumica janë për qëndrimin e Britanisë në union, por ende besoj se ka disa gjëra që unë duhet të jem më e sigurtë”, tha Vera Sahatçiu.

TCH: Vera, më lejo të të bëj një pyetje, edhe pse ndoshta e papërgatitur. A keni biseduar me vajzën tuaj, me Rita Orën, sesi do të votojë ajo në referendum?

“I kanë ardhur thirrjet për votim, shpresoj që ta ketë edhe ajo një mendim. S’di a do të ma tregojë, por besoj se do të ketë edhe ajo një zgjidhje të sajën, të qartë”, thotë e ëma e Ritës.

Ndërkohë, publicisti dhe ish-zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Daut Dauti do të votojë edhe ai pro qëndrimit, pasi sipas tij kjo është më mirë për të gjithë qytetarët dhe po ashtu është më mirë edhe për shqiptarët.

Duke folur për argumentet e fushatës, ku është folur edhe për elementin shqiptar për të frikësuar ata që do të votojnë pro, Daut Dauti jep këtë përgjigje:

“Është politika e konservatorëve dhe e një grupi mjaft ekstrem të këtij krahu, e cila dëshiron që ta mbyllë Britaninë e Madhe dhe, në njëfarë mënyre, që në ishull të mos vijnë qytetarët nga Europa Juglindore, ku bëm pjesë edhe Shqipëria, por edhe nga Europa Lindore, disa shtete të së cilës janë tashmë pjesë e BE-së. Deri tani, këta nuk kanë ofruar ndonjë argument serioz. Besoj se shqiptarët, por edhe shumica e qytetarëve të Britanisë së Madhe, do të votojnë për qëndrimin e vendit në union europian”, tha Daut Dauti, publicist.

Shumica e shqiptarëve të Britanisë së Madhe, për shumë arsye janë proeuropianë, sikurse dhe shumica e britanikëve, e nuk janë euroskeptikë siç tregojnë sondazhet, edhe pse duhet thënë se sondazheve në Britani pas zgjedhjeve të fundit të përgjithshme nuk mund t’u besohet shumë.

 

Please follow and like us: