Tahiri: Serbia është vonuar me marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit
Serbia është vonuar me zbatimin e marrëveshjes së IBM-it, që nënkupton Menaxhimin e Integruar të Kufirit me Kosovën. Kështu thuhet në komunikatën e lëshuar nga qeveria e Kosovës, përkatësisht ministrja për Dialog, Edita Tahiri, e cila po qëndron në Bruksel.
“Delegacioni i Kosovës theksoi veprimet që i ka ndërmarrë me qëllim të zbatimit sipas planit të ndërtimit të objekteve të përhershme, duke kryer me sukses shpronësimin e parcelave ku do të ketë ndërtime, pastaj takimet që i ka zhvilluar me akterët e brendshëm dhe me UNOPS-in (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime dhe Projekte), agjenci kjo e përzgjedhur nga ana e BE-së për zbatimin e këtij projekti”, thuhet në komunikatë.
“UNOPS-i, konstatoi se pala serbe është shumë më mbrapa me fillimin e punës konkrete për këtë projekt. UNOPS=i do të përfshi ndërtimin e të gjitha gjashtë pikëkalimeve kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, vijon komunikata.
Në këtë takim, thuhet se u raportua edhe për progresin në hapjen e pikëkalimeve të reja kufitare, Kapi e Sfircës që lidhë komunën e Kamenicës me Medvegjën dhe Izvor në pjesën veriore, me ç‘rast të dy palët konfirmuan hapjen e këtyre dy pikë kalimeve të reja kufitare deri në fund të muajit shtator 2016.