Britania del nga BE pas 43 vitesh!
Nga Myqerem Tafaj
Ditë e keqe për Europën dhe mesazh negativ për popujt dhe vendet që aspirojnë, prej shumë vitesh, të pranohen në BE. Shqiptarët presin prej 20 vitesh t’u hapet dera burokratike e BE.
Politikanë në mbarë Europën kanë reaguar të shokuar nga ky rezultat. Më bëri përshtypje një koment i Presidentit të Komisionit Europian, Juncker: “Më pak Europë për të vegjlit..”. Dhe vazhdonte me tej Juncker, “..BE filloi të vendosë edhe për abazhuret e shtëpive të qytetarit…”. Burokracia e BE hyri me mbirregullime në gjëra të vogla, filloi të marrë, çdo ditë e më shumë, përgjegjësi dhe kompetenca të parlamenteve të vendeve të BE dhe t’u diktojë atyre vendime të rëndësishme, etj. Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruante sot “Europa harroi parimet mbi të cilët u ngrit”. Forca politike extremiste anti-BE po shfrytëzojnë këtë terren të pakënaqësisë së madhe të qytetarëve europianë ndaj superburokracisë së Brukselit.
Qytetarët europianë e kuptuan se në Bruksel po ngrihej kjo makineri superburokratike, prandaj edhe pjesëmarrja në zgjedhjet e Parlamentit Europian ulej sistematikisht. Britanikët guxuan dhe i thanë ndal kësaj makinerie superburakracie të Brukselit që filloi tu vështirësoi atyre jetën. Martin Schultz, President i Parlamentit Europian, shprehet i alarmuar për të ndaluar reaksionin zinxhir, domethënë referendume në vende të tjera: Itaexit, Freexit, Deexit. Vetëm Gjermania nuk mund të bëj një referendum të tillë sepse integrimi europian i Gjermanisë është në Kushtetutën gjermane.
Tani, siç duket, BE i duhet një komisioner i ri, që do të kujdeset jo për zgjerimin, por që të bind vende të tjera të BE që të mos ndjekin shembullin e Britanisë. Dhe për këtë nuk duhen kushte dhe kritere, por lehtësira nga superburokracia e Brukselit.
Tani duhet të presim, si do të sillet BE me vendet që luten prej vitesh të hynë në derën e BE, ndërkohë që Britania doli nga BE!