Britania voton për dalje nga BE-ja, Cameron paralajmëron largimin
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, pas vendimit të vendit për të dalë nga Bashkimi Evropian, ka deklaruar se do të mbajë postin e tij edhe për tre muaj, por vendin duhet ta udhëheqë një kryeministër i ri që do të zgjidhet në Konvetën e Konservatorëve në muajin tetor.
“Negociatat për daljen nga BE-ja duhet t’i fillojë një kryeministër i ri”, tha ai në një konferencë më gazetarë.
“Do të bëjë çdo gjë të mundshme si kryeministër që ta qetësojë këtë anije në muajt e ardhshëm, por mendoj se nuk është në rregull që unë të jem kapiteni i saj”, tha Cameron.
Mediat britanike, përfshirë BBC-në, kanë deklaruar të premten në mëngjes fitoren në referendum të idhtarëve të daljes së Bratanisë nga BE-ja.
Rezultatet jo përfundimtare nga katër të pestat e vendvotimeve tregojnë se 52 përqind e britanikëve kanë votuar për dalje nga Bashkimi Evropian, kundrejt 48 për qind të mbetjes.
Nëse rezultatet do të jenë zyrtare, kjo do të jetë goditja më e madhe ndaj BE-së që prej krijimit të saj dhe do të hap edhe çështje të tjera, në mesin e 27 vendeve të tjera anëtare rreth të ardhmes së projektit evropian.
Lideri i Partisë britanike për Pavarësi (UKIP), Nigel Farage, ka përgëzuar rezultatin e referendumit të Britanisë së Madhe, duke e quajtur ‘fitore të njerëzve të mirë’ dhe duke parashikuar se kjo do të çojë në shpërbërjen e Bashkimit Evropian.
“Dhe jam krenar me të gjithë që patën guximin, përpara të gjitha kërcënimeve dhe atyre që u janë thënë, ata patën guximin që ngriten e të bëjnë gjënë e duhur. Besoj se ndikimi i madh i kësaj zgjedhjeje nuk është se çka ka ndodhur në Britani por se çfarë do të ndodh në gjithë Evropën. Në gjithë BE-në, partitë euroskeptike kurrë nuk kanë folur për dalje nga BE”, tha Farage, duke paralajmëruar daljen e Danimarkës dhe Suedisë nga BE-ja dhe njëkohësisht edhe shpërbërjen e plotë të saj.
Ministri i jashtëm i Francës, Jean Marc Ayrault, tha se është “urgjente për Evropën që të reagojë dhe të rikthejë besimin e qytetarëve”. Ai gjithashtu është shprehur i“trishtuar për Britaninë e Madhe”.
Në Berlin, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier, tha se vota e Britanisë për largim nga BE-ja është “një ditë e dhimbshme për Evropën dhe Britaninë”.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë citon Steinmeier të ketë thënë se “lajmet nga Britania janë “trishtuese”
Shtëpia e Bardhë tha të premten në mëngjes se presidenti Barack Obama ishte njoftuar për rezultatin e referendumit, dhe se pret që të ketë rastin të flas më kryeministrin Cameron për këtë çështje gjatë ditës.
Ligjvënësi i BE-së, Manfred Weber nga Partia Popullore Evropiane, më e madhja në Parlamentin Evropian, tha se “vendimi i Britanisë për t’u larguar nga BE-ja shkakton dëme për të dyja palët”. Por, ai kërkoi që vendimit të zbatohet shpejt.
Referendumi u vendos si një votë këshilldhënëse, por që nuk është detyrim ligjor.
Analistët politikë thonë se me këtë margjinë të gjërë të mbështetjes për dalje dhe me pjesëmarrje masive prej 72 për qind, tani ka një trysni mbi politikanët britanikë që formalisht të fillojnë procesin dy vjeçar të negociatave për daljen nga blloku 28 anëtarësh. (REL)