Britania voton për largimin nga BE – Cameron jep dorëheqjen
Në një vendim historik, Britania votoi largimin nga Bashkimi Evropian, në referendumin e së enjtes që u parapri nga një fushatë që ne qendër të debateve kishte emigracionin, sovranitetin, sigurinë dhe të ardhmen ekonomike të Britanisë.
Rezultatet zyrtare treguan se 51.89 për qind e votuesve favorizuan largimin nga Bashkimi Evropian. Lajmi shkaktoi reagime negative në tregjet aziatike, ndërsa poundi britanik ra në nivelin më të ultë në 30 vitet e fundit.
Pjesëmarrja në referendum ishte e lartë më mbi 70 për qind, përkundër motit të lig, duke pasqyruar kësisoj emocionet e forta të kombit që është përballur me dyfishimin e emigracionit në 16 vitet e fundit.
Kryeministri David Cameron, që udhëhoqi fushatën për mbetjen në BE, tha se Britania ka nevojë për udhëheqje të re dhe ai do të largohet brenda tre muajsh. Ish kryetari i Londrës, Boris Johnson, besohet se mund të jetë pasuesi i tij.
Udhëheqësi i fushatës për largimin nga BE-ja, Nigel Farage, tha se 23 qershori do të hyjë në historinë e Britanisë si “Dita e Pavarësisë”. Ai i bëri thirrje kryeministrit David Cameron të japë dorëheqjen.
Votimet hapën një periudhë gati dyvjeçare të ndarjes nga BE-ja, 43 vjet pasi që Britania e Madhe u bashkua me vendet që përbënin bashkimin më të madh të shteteve evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.
Kryeministri David Cameron pritet që formalisht t’u raportojë kolegëve të tij evropian javën e ardhshme dhe të përgatisë negociatat e largimit.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha të premten se rezultati i referendumit është një “moment politik shumë serioz madje dramatik”. Por, ai tha se ka një përkushtim për të ruajtur unitetin e 27 vendeve të BE-së.
“Për neve, bashkimi është korniza e ardhmërisë së përbashkët”, tha presidenti Tusk.
Në Uashington, Shtëpia e Bardhë tha në një deklaratë se presidenti Barak Obama është informuar mbi rezultatet e referendumit.
“Presim që Presidenti të ketë rast për të folur me kryeministrin Cameron gjatë ditës. Ne do të publikojmë komente të mëtejshëm sa më shpejt që të jetë e nevojshme,” thuhet në deklaratë.