Christoph Hasselbach: Katastrofë
E pabesueshmja ndodhi: shumica e britanikëve duan të largohen nga BE-ja. Por BE-ja tani duhet të tregohet e matur dhe të mos mendojë për hakmarrje, mendon Christoph Hasselbach.
Rezultati është një fatkeqësi, dhe madje për të gjithë. Prej këtij vendimi do të ketë vetëm humbës. Mbështetësit e Brexit-it mund të ndjehen tani më të pavarur, por së shpejti do ta kuptojnë se kjo është një pavarësi mashtruese. Vendi do të bëhet më i varfër. Dhe, më e rëndësishmja, Mbretëria e Bashkuar mund të shpërbëhet, sepse skocezët duan të qëndrojnë në BE dhe nga e tyre mund të shkëputen nga Mbretëria e Bashkuar. Po ashtu edhe thirrjet për një Irlandë të bashkuar mund të bëhen më forta, sepse kufiri i jashtëm i BE-së kalon tani pas Brexit-it mes për mes Irlandës.
Por, të paktën po aq pasoja të rënda pritet të ketë vendimi i britanikëve edhe për pjesën tjetër të BE-së. Kjo jo vetëm se do të mungojë një kontribuues i rëndësishëm për arkat e BE-së. Por BE-së do t’i mungojë edhe një fuqi shumë e rëndësishme diplomatike dhe ushtarake në politikën e jashtme, një shtet që e bëri BE-në më të hapur ndaj botës më të orientuar drejt konkurrencës. Veçanërisht Gjermanisë do t’i mungojnë shumë britanikët. Ka shumë vende që duan me shumë dëshirë që BE-ja të mbyllet ndaj globalizimit dhe për të cilët disiplina në shpenzime është fjalë e panjohur. Londra dhe Berlini ishin në këtë pikë të një mendimi. Ky partner tani do të mungojë.
Por megjithatë pasoja ndoshta më e rëndësishme është politike dhe e vështirë për t’u kuptuar: shembulli britanik mund të krijojë një precedent. Kjo nuk do të thotë patjetër dalje të mëtejshme nga BE-ja. Por vendet e tjera ka të ngjarë të kërcënojë të paktën me referendume të ngjashme dhe të kërkojnë fillimisht si Mbretëria e Bashkuar gjithë llojet e mundshme të përjashtimeve dhe të drejta të veçanta. Në fund mbetet një BE nga e cila kushdo do të marrë atë që i shkon për shtat dhe nuk angazhohet për asgjë. Kjo strukturë e shkrifët nuk mund të jetë më një lojtar serioz global.
Ku konsiston mbivlera europiane?
Shumë njerëz në Evropë duan që tani britanikët t’i ndjejnë pasojat e referendumit për daljen nga Bashkimi Evropian: jashtë domethënë jashtë. Koncesione nuk duhet të ketë. Në vend të tyre ata duan që ky rast të bëhet shembull për të tjerët dhe me këtë t’u tregohet shteteve të tjera me prirje të ngjashme, se për “dezertorët” (shprehje e presidentit Jean-Claude Juncker) nuk ka falje. Kjo është e kuptueshme nga pikëpamja njerëzore, por do të dëmtonte interesat vetiake.
Kush dëshiron shpagim, nuk e kupton se sa skeptike e madje armiqësore janë bërë qëndrimet ndaj BE-së në shumë vende evropiane. Me kërcënime në këtë drejtim kjo klimë vetëm sa do të acarohej edhe më tej. Në vend të shpagimit tani duhet të ruajmë qetësinë dhe të përpiqemi që të krijojmë me britanikët lidhje të reja. Sigurisht, këto nuk do të zëvendësojnë plotësisht anëtarësinë në BE, por një politikë e tipit të gjitha ose asgjë, nuk është e dobishme.
Dhe në fund BE-ja duhet t’i shtrojë vetë vetes pyetje kritike. Qytetarëve nuk u mjafton më mantra e Brukselit se të gjitha problemet mund të zgjidhen vetëm ‘me më tepër Evropë’. Një shembull është kriza e refugjatëve, për shumë njerëz sfida më e madhe e kontinentit. Këtu “më shumë Europa” konsistonte sidomos tek kërkesa (gjermane) për të shpërndarë një numër teorikisht të pakufizuar emigrantësh në Evropë, që të tjerët as nuk donin t’i linin të hynin në vendet e tyre. Kriza e pazgjidhur e borxheve të shteteve hapi me “përgjigjen e saj evropiane” më shumë hendekë se sa i mbushi ato: Vendet e pasura ndjehen të shfrytëzuara, të varfrit nën tutelë.
Vlera e shtuar e bashkëpunimit evropian duhet që në të ardhmen të argumentohet më mirë për çdo rast të veçantë. Nuk mjafton më që t’i referohesh BE-së si projekt paqeje dhe t’i lësh të gjitha çështjet e tjera mënjanë.
Po, vendimi britanik është një makth. Po ai është gjithashtu edhe thirrja për e fortë për t’u zgjuar, që mund të imagjinohet. Tani në rend të ditës duhet të jenë autokritika e pamëshirshme dhe reflektimi se çfarë duam të arrijmë bashkë në të ardhmen… /Deutsche Welle/