Dalja e britanikëve, çfarë do të thotë për shqiptarët?
Këto janë sigurisht, thjesht, disa mendime të para, pas një nate të gjatë, që mund të ketë ndryshuar gjithshka. Kjo do të marrë më mirë përgjigje kur të zbulohet se çfarë do të thotë vërtet për BE-në.
Mirëpo, nuk mund të mos vëmë re ironinë që një vend sapo vendosi të largohet nga Bashkimi në të cilin kemi më shumë se 25 vjet që përpiqemi të futemi.
Ky bashkim ka ndryshuar shumë që kur e nisëm që të shkonim aty. Po me politikanët që zgjedhim ne shqiptarët kush e di se kur bëhemi mbarë për t’u futur. Pjesa kur mund të na mëshironin ka skaduar. Europa ka dallgë ngopjeje tani. Edhe nëse Shqipëria do të përmbushte një ditë kushtet e anëtarësimit a do ta kërcënonte me veto Mbretëria e Bashkuar për të kënaqur euroskeptikët në politikën e saj?
Imagjino që një nga argumentet që përdorën Largimtarët është që BE-ja po anëtarëson tani vendet si Shqipëria!
Pala që donte të mbetej në BE përdorte kundër-argumentin që po dolëm do të bëhemi si Shqipëria.
Të jep një ide të imazhit që ka vendi ynë në vende me skepticizëm të lartë për projektin europian. Ndoshta në këtë sens mund të jetë më mirë për shqiptarët.
Nga ana tjetër, ikja britanike mund të dëmtojë rëndë imazhin e BE-së duke dobësuar ndikimin e saj, lartësinë e saj morale. Politikanët shqiptarë kanë gjetur gjithmonë justifikime për t’u bërë bisht kushteve të anëtarësimit. Tani do ta kenë më të lehtë.
Ata që kanë rezistuar më shumë demokratizimin e mëtejshëm të vendit tani do të kenë më shumë municion kundër BE-së.
Në planin kombëtar e gjeostrategjik, kjo ikje është një lloj minikatastrofe.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë vendi më proamerikan në BE. Shqipëria ndan të njëjtën sentiment dhe në këtë kuptim kjo ikje nuk është mirë për ne. Mbretëria e Bashkuar e ka shtyrë BE-në fuqimisht që të njohë e plotë Kosovën e që të jetë më e angazhuar në Ballkan. Aleate e madhe në Bruksel e Strasburg, ashtu si do të vijojë të mbetet, shpresojmë në OKB.
Pastaj shikoni listën e njerëzve që uronin që Brexit të ndodhte: Vladimir Putin, Fronti Nacional (thellësisht antishqiptar) në Francë, nacionalistët ekstremë në mbarë Europën.
Një problem tjetër janë shqiptarët që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Çfarë do të ndodhë me ta. Në shumë vende të Europës Lindore ka pasur debate se cili do të jetë fati i bashkatdhetarëve në ishujt britanikë. Në Shqipëri nuk është folur.
Do të flitet për të gjitha këto në ditët e javët e ardhshme. Kjo është një ngjarje e jashtëzakonshme mbarëeuropiane dhe shqiptarët do të preken gjithashtu prej saj në një mënyrë apo një tjetër. Reflektimi për këtë nuk mbyllet këtu. Vetëm sa kemi filluar.
Arsyet e këtij rezultati janë të shumta, po fajësohet në veçanti theksimi i dallimeve të jashtëzakonshme në mirëqënien në shoqëri, të pasurit që janë pasuruar ndërsa të varfërit që varfërohen më tej. Kufizimi i mundësive e mbi të gjitha shkëputja e elitës dhe klasës politike nga populli.
Kur populli përmbys në këtë mënyrë, qoftë pozitive apo vetëshkatërruese, vizionin e një klase politike si ajo britanike, ai ka shumëfish arsye për të rishikuar vlerën e një klase politike si ajo shqiptare. Ndoshta me këtë mendim më shkon më mbarë ta mbyll, ndërsa një ditë e re ka aguar në Shqipëri, Britani dhe Europë.