Dalja e Britanisë, Merkel: Vendet e BE të mos nxitohen, të jemi të bashkuar
Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaron se do vijojë kujdesi për procesin e integrimit europian. Në një konferencë të posaçme për mediat pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian si rezultat i referendumit ajo tha se, “Duhet të jemi të qetë për të marrë vendimet e duhura. Duhet të vazhdojmë siç kemi qenë më parë. Të kujdesemi për procesin e integrimit në BE, dhe të përmirësojmë jetesën e qytetarëve të BE. Është me rëndësi të jemi të bashkuar. Vendet e Bashkimit Europian duhet të përpiqen të mos nxitohen”. Ajo shtoi se sidomos pas daljes së Britanisë do të vazhdojnë hapat e mëtejshëm për integrimin, ndërsa nënvizoi se do të nxirren konkluzionet për sa i përket daljes së këtij vendi nga BE. “Ideja e unitetit të BE, është ideja e paqes dhe kjo është më e rëndësishmja nga të gjitha. Kjo do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen, do të vazhdojmë të kemi të njëjtat vlera ashtu siç ka qenë e përshkruar edhe më parë që nga krijimi i BE. Gjermania ka përgjegjësi të veçanta për sa i përket suksesit të BE”, u shpreh kancelaria gjermane. Merkel bëri me dije se ka ftuar liderët e Europës në një takim javën e ardhme për të vazhduar me hapat e mëtejshme në Bruksel për vendimet që do të ndërmerren. “Britania e Madhe do të ketë përgjegjësitë e saja derisa të bëhet dalja e plotë nga BE që do dy vjet. Megjithatë edhe pas daljes nga BE, ne do të vazhdojmë partneritetin me të”, deklaroi Merkel. Kancelarja gjermane këmbëngul se Bashkimi Europian është mjaftueshëm i fortë për të gjetur rrugën e vazhdimit pas daljes së Britanisë.
Please follow and like us: