Albspirit

Media/News/Publishing

Drenovë, 150 të dënuar hynë në grevë urie

 

Rreth 150 të burgosur të burgut të sigurisë së larte në Drenovë, kanë hyrë në një grevë urie pa afat. Të burgosurit i thane ABC News gjatë një komunikimi me telefon, se prej mbrëmjes së djeshme, një grup prej 150 të burgosurish kanë refuzuar ushqimin duke hyrë në grevë urie. Të burgosurit i kanë paraqitur administratës së burgut dhe ministrit të Drejtësisë një peticion me 6 pika, nëpërmjet të cilave kërkohet ndryshimi i disa neneve të Kodit Penal.
Kërkesat e të burgosurve lidhen me ndryshimin e nenit 64 të Kodit Penal, për zbutjen e kritereve që parandalojnë dhënien e lirimit me kusht.
Sipas vlerësimit të grevistëve, të dënuarit që përfitojnë leje shpërblyese duhet të jenë automatikisht, objekt i përfitimit.
Midis të tjerash të burgosurit kërkojnë zbatimin e ligjit për dhënie amnistie për të dënuarit që u ka mbetur një vit burg pa shlyer,  dhënien e lejes shpërblyese për të burgosurit që kane kryer gjysmën e dënimit, pavarësisht dënimit që kanë marrë.
Të burgosurit e Drenovës, kërkojnë gjithashtu edhe përshpejtimin e reformës në drejtësi, pasi ata konsiderojnë se janë viktima të një sistemi gjyqësor të korruptuar.
Grupit i janë bashkuar edhe 15 të burgosurit që janë dënuar për armëmbajtje pa leje dhe që e filluan grevën e urisë javën e kaluar.
Të burgosurit që kanë hyrë në grevë urie i konfirmuan ABC News, se prej mbrëmjes së djeshme administrata e burgut të Drenovës po ushtron presion për të ndërprerë grevën e urisë.
Please follow and like us: