Albspirit

Media/News/Publishing

Hapen arkivat e CIA më 1949/ Ja si nisi plani i amerikanëve për të rrëzuar Enver Hoxhën

Hapen arkivat e CIA më 1949/ Ja si nisi plani i amerikanëve për të rrëzuar Enver Hoxhën

Shërbimi sekret amerikan ka punuar për vite të tëra me radhë për rrëzimin e regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Janë të njohura detajet e një operacioni më 1949 për t’i dhënë fund regjimit, por që dështoi. Por si nisi ky operacion dhe cilat ishin shkaqet? CIA ka deklasifikuar një shkresë të 15 qershorit 1949 ku agjentët e saj në vendin tonë informonin qendrën mbi gjendjen në Shqipëri dhe politikat që do të ndjekë SHBA. Në shkresën voluminoze bëhej një pasqyrë e gjithë situatës politike në vend dhe kërkohej një përgjigje nga selia qendrore e CIA mbi veprimet e mëparshme që duhej të ndërmerreshin. Nga gjithë dokumenti i deklasifikuar, del qartë se SHBA u vu në alarm nga nisja e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1948, Tirana dhe Kremlini nisën një frymë të re bashkëpunimi dhe kjo erdhi për shkak të prishjes së marrëdhënieve mes Stalinit dhe Titos. Sipas CIA, fundi i bashkëpunimit mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik u reflektua dhe në Shqipëri, pasi vendi ynë u rreshtua në krahun e Kremlinit. Sipas dokumentit, del qartë se SHBA është shqetësuar jashtë mase dhe për mundësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Nga ana tjetër, aty jepen detaje mbi situatën politike dhe ekonomike gjatë asaj periudhe. Sipas CIA, pas prishjes së marrëdhënieve të Titos me Stalinin, edhe Shqipëria i dha fund bashkëpunimit me Jugosllavinë. Madje, në shkresë thuhet se sapo nisi bashkëpunimi me Bashkimin Sovjetik, ishte Moska ajo që mori nën kontroll politikën e Enver Hoxhës. Aty theksohet se në atë kohë u bënë shumë spastrime në qeverinë shqiptare me urdhër të rusëve dhe ata vendosën aty njerëzit e tyre. Agjentët e CIA japin informacione dhe për marrëdhëniet me Greqinë dhe përplasjet në Jug të vendit. Po ashtu, aty flitet dhe për luftën partizane, ku theksohet se ka pasur mbështetje dhe nga vendet aleate në rrëzimin e nazizmit. Në ditë në vijim, gazeta do publikojë pjesë të tjera nga raporti.

DOKUMENTI I CIA

Qëllimet e shkresës

Qëllimi i këtij dokumenti është të vlerësojë situatën aktuale të Shqipërisë, të brendshme e të jashtme, duke vlerësuar politikën e Shteteve të Bashkuara në lidhje me të, si dhe ecurinë e rekomanduar të politikave të SHBA për të ardhmen e afërt.

Natyra e problemit të Shqipërisë

Historikisht, domethënia strategjike e Shqipërisë vjen prej pozicionit të saj në brigjet lindore të ngushticës së Otrantos, në hyrje të detit Adriatik, dhe si kalim tokësor nga Adriatiku për në Egje. Shqipëria ka qenë prej kohësh pikë konfliktesh të interesave politike mes Italisë, Greqisë dhe sllavëve. Kështu që Shqipëria si një shtet i pavarur është më shumë një krijim artificial i fuqive të mëdha, sesa një shprehje e vullnetit apo fuqisë së popullit. Në fjalë të tjera, një produkt i moslënies së fuqive rajonale ndaj fuqive rivale për ta kontrolluar. Kjo nuk vjen nga faktorë pozitivë force të brendshme edhe gjatë periudhave të pavarësisë, Shqipëria ka qenë në një mënyrë apo një tjetër e kontrolluar nga një prej Fuqive. Shumica e Shqipërisë është malore teksa vetëm një e katërta është tokë bujqësore, kryesisht ajo pranë detit. Vendi zotëron përveç pyjeve edhe burime të konsiderueshme të nëntokës si naftë, hekur, krom, bakër dhe qymyr, por nuk janë shfrytëzuar kurrë efektivisht. Në vend nuk ka industri dhe komunikimet janë primitive. Ka pak rrugë dhe kohët e fundit është inauguruar ajo Tiranë-Durrës. Ka një fushë ajrore të vogël në Tiranë. Por ka një sistem të aftë të përhapjes së lajmeve me anë të gojëdhënës. Popullata është rreth 1.000.000, ku rreth gjysma janë analfabetë dhe rreth 80 për qind punojnë në bujqësi. Vendi plotëson rreth 75 për qind të nevojave të veta për ushqim, por kjo është në lidhje me nivelin e ulët të standardeve të jetesës. Shoqëria është kryesisht e tipit fisnor dhe fuqinë ligjore e përbën lideri fisnor. Ka tre grupe etnike: Gegët në Veriun malor kryesisht katolikë, njerëzit e fushave të zonave fushore bregdetare të lënduara nga malaria, dhe toskët që janë 70 për qind myslimanë, dhe rreth 20 për qind ortodoksë. Klasa e mesme dhe e lartë, të cilët kanë udhëhequr më parë shoqërinë për arsye se ishin të arsimuar, tashmë ose janë larguar nga Shqipëria ose janë eliminuar nga regjimi aktual. Ndryshimet fetare nuk janë një problem për shoqërinë, teksa ka një mosbesim tradicional mes gegëve e toskëve. “Politika” kombëtare e Shqipërisë ka qenë monopoli klasës në fuqi dhe nuk ka pasur kurrë parti në sensin perëndimor. Dhe vërtet natyra tribale (fisnore) e pjesës dërrmuese ka sjellë një marrëdhënie feudale që mundëson fuqizimin e sistemit autoritar për sa kohë nuk bëhet antagonist në sistemet lokale fisnore.

Problemet afatgjata

1. Territoriale: Rreth 444,000 shqiptarë tani jetojnë në Kosovë, që tashmë është zonë autonome në Jugosllavi. Kosova iu la Jugosllavisë kur vendi u krijua, dhe ajo ka qenë pjesë e Shqipërisë vetëm për një periudhë të shkurtër gjatë pushtimit gjerman të Jugosllavisë në fund të luftës.

Kur regjimet komuniste të Titos dhe Hoxhës erdhën në fuqi, Kosova iu kthye Shqipërisë.

Jugu i Shqipërisë konsiderohej nga grekët si Vorio Epiri, dhe rikthimi i tij ishte një politikë serioze e Greqisë. Shqiptarët refuzojnë pretendimet dhe çështja mbetet një faktor irritimi mes vendeve. Rreth 250 000 shqiptarë etnikë jetojnë në Maqedoni dhe në pjesën e saj që sot është Greqi, por që nuk janë një burim konfliktesh mes vendeve të përfshira.

2. Lëvizja sllave: Si rezultat i shtypjes e tërheqjes nga sllavët grekët e italianët që konkurrojnë për dominimin në vend, shqiptarët kundërshtojnë instinktivisht imperializmin grek e italian dhe më shumë atë sllav. Kështu që lind dhe ndjesia e fortë nacionaliste, e cila sjell armiqësi ndaj çdo përfshirjeje në federata ballkanike, pasi ata e dinë se ideuesit e “federatave ballkanike” nënkuptojnë se edhe Shqipëria do të përfshihet në to.

3. Qeverisja: Çështja “institucionale” e formës së qeverisë është debat për udhëheqjen dhe jo për shqiptarët e zakonshëm, pasi duke parë natyrën tribale-feudale të shoqërisë, për ta nuk ka rëndësi nëse jetojnë në monarki, republikë apo çfarëdo forme qeverisjeje, qoftë udhëheqës Zogu apo Hoxha.

4. Zhvillimi ekonomik: Në gjendjen aktuale, Shqipëria duhet të rrijë standardet me anë të shfrytëzimit të burimeve të saj. Qeveria komuniste po e bën këtë deri në një farë mase.

Regjimi diktatorial

Vlerësimet për regjimin aktual kufizohen prej një mungese informacioni, prandaj analizat mbështeten në rrjedhime të ideve të përgjithshme dhe propagandës, në vend të fakteve konkrete. Origjina e regjimit aktual të Gjeneral Enver Hoxhës vjen nga Fronti Kombëtar Çlirimtar me ndihmën e komunistëve të trajnuar në Moskë që ndihmuan në luftën guerile partizane, kundër gjermanëve në fund të luftës. Burime të tjera thonë të kundërtën por besohet se Fronti ka luftuar kundër gjermanëve dhe sipas forcave aleate ka marrë ndihmë edhe prej këtyre të fundit. Me rritjen e forcës së tij, Fronti përballej me rezistencën gjermane dhe të grupeve shqiptare anti-komuniste, kryesisht Ballit Kombëtar që ashtu si nacionalistë të tjerë ishin besnikë të mbretit Zog, për të cilit kishte raportime për bashkëpunim me gjermanët. Në fund të vitit 1944, partizanët arritën në Tiranë dhe duke fshehur qëllimin e tyre komunist shpallën qeverinë e përkohshme. Zgjedhjet u mbajtën në dhjetor 1945, dhe kandidatët e Frontit komunist fituan bindshëm me premtime të reformës ekonomike dhe duke fshehur natyrën komuniste të mendësisë së tyre. Më tej nisi menjëherë konsolidimi i pushtetit dhe kandidatët anti-komunistë u “spastruan”. Më 1946, u shpall “Republika Popullore e Shqipërisë” dhe në mars u aprovua Kushtetuta me të gjitha pikat e lirive dhe demokracisë të hequra, në një ngjasim të fortë me kushtetutën jugosllave. Në muajt në vijim u shtuan dhe të gjitha kleçkat e “demokracisë” së stilit sovjetik, duke krijuar organizatat popullore dhe “frontet demokratike”. Hoxha u bë kryeministër, ministër i Jashtëm, ministër i Mbrojtjes dhe komandant i ushtrisë. Fuqia e vërtetë e partisë komuniste u mbajt e fshehtë dhe mekanizmat e policisë punuan për manipulimin e mbështetjes publike.

Bashkëpunimi me rusët

Partia Komuniste e Shqipërisë doli hapur vetëm në vitin 1948. Pas eliminimit të klasës së lartë, në Shqipëri erdhi epoka e të varfërve, burokracia e vjetër u përshkrua si “plehra dhe llumi” kurse Partia Komuniste thuhej se nuk kishte fare prestigj dhe pushtet, kur në fakt kontrollonte shumicën e vendit me anë të ushtrisë prej 65.000 vetësh dhe policisë elitare të MPB. Qeveria publikon gazetën e propagandës Bashkimi si dhe transmetonte në radio nga Tirana. Me disa përjashtime nga liderët fisnorë, shumica e popullit megjithëse e përçmonin regjimin spiunonin rregullisht për të evituar pasojat represive. Fonti Nacional Çlirimtar mbante pozitë të fuqishme deri në vitin 1948, teksa Kremlini ushtronte kontroll me anë të liderit Tito dhe komunistëve jugosllavë. Gjatë kësaj periudhe u kryen disa marrëveshje sociale, ekonomike e ushtarake mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, që gradualisht vunë Shqipërinë në varësi të plotë ndaj Jugosllavisë. Këshilltarët dhe teknicienët jugosllavë administronin ndihmat materiale që vinin në Shqipëri dhe në asnjë rast qeveria vendase nuk kursente elozhet për “miqtë dhe vëllezërit aleatë” jugosllavë. Një studim i kohëve të fundit tregon se në 1948 një debat mes Titos e Kremlinit u reflektua menjëherë në Tiranë. Kremlini kërkonte të mbante Shqipërinë në pushtetin e tij, për të parandaluar që Tito ta largonte atë nga orbita sovjetike, dhe sapo debati nisi ministrat shqiptarë u rreshtuan menjëherë në anën e Kremlinit, duke iu bashkuar përçmimit ndaj Titos dhe regjimit të tij, duke anuluar marrëveshjet që i lidhnin me Beogradin. Jugosllavët në Shqipëri u larguan pa ceremoni dhe kufiri mes vendeve u mbyll. Ndërsa komunistët shqiptarë që ishin bërë të verbër me devotshmërinë ndaj Titos u “spastruan”. Tani vendin e jugosllavëve në Shqipëri e zunë rusët, numri i të cilëve arrinte deri në tre mijë. Një kolonel gjeneral rus kontrollon tani ushtrinë shqiptare, dhe asistohet nga një mision ushtarak rus prej njëqind oficerësh, këshilltarë rusë qëndronin mbi supet e çdo ministri shqiptar. Bullgarët erdhën gjithashtu në Shqipëri, të atashuar në divizionet e ushtrisë. Mungesa e kontaktit direkt tokësor mes satelitëve sovjetikë dhe Shqipërisë ishte një problem për iniciativën dhe është vërejtur që anijet sovjetike kanë sjellë drithë dhe furnizime të tjera në Shqipëri. Propaganda e mëparshme jugosllave tani u zëvendësua nga ajo për Bashkimin Sovjetik, që lavdërohet për ushqimin dhe pajisjet industriale e bujqësore.

Dërgesat e armëve

Masa e armëve e përfshirë në këto dërgesa nuk është llogaritur, por besohet se është e madhe. Dërgesa armësh për në Shqipëri janë maskuar edhe si ushqim nga Polonia. Shqiptarët sigurisht nuk e përmendin këtë në propagandën e tyre. Konsolidimi i kontrollit sovjetik në Shqipëri nuk u arrit me një goditje të vetme, dhe në fakt disa riorganizime të qeverisë kanë ndodhur prej nisjes së afrimit.

 

Spastrimet në parti me urdhër të Moskës

Pas kongresit të partisë dhe konfuzioni që pason është më shumë psikologjik sesa material. Brenda këtyre dhjetë muajve, njerëz si Malëshova dhe Nako Spiro, të cilët nuk kanë luajtur rol kryesor në regjimin komunist, u zëvendësuan nga njerëz të zgjedhur nga Moska. Nga krahu tjetër, brenda dy muajve, ministri i Brendshëm, Xoxe, presidenti i fushatës së planifikimit Christo, asistenti i ministrit të Brendshëm Kerenxhi dhe një numër zyrtarësh të tjerë komunistë u pushuan. Xoxe u zëvendësua nga gjenerali Mehmet Shehu, që u bë gjithashtu komandant i ushtrisë, dhe Tuk Jakova u bë zëvendës-kryeministër. Të dy të trajnuar në Moskë, Shehu supozohej të kontrollonte sigurinë, kurse Jakova ideologjinë. Është domethënëse që edhe Xoxe e Kristo i mbijetuan spastrimeve të hershme anti-jugosllave dhe të dy ishin denoncues të politikave “trotsiste” të Titos edhe pse Xoxe e Kristo ishin dënuar nga makineria e propagandës si pro-Jugoslav, është më e arsyeshme të besojmë se largimi erdhi si rezultat i vullnetit sovjetik për të pasur njerëz besnikë ndaj Kremlinit. Është gjithashtu e arsyeshme të supozojmë se një tjetër motiv është vullneti për t’i demonstruar Titos, dhe regjimeve të tjera të ngjashme, supremacinë e Kremlinit dhe dëshirave të tij. Duket se Hoxha, i cili më parë ishte kryefigura e shtetit, tani komandohet nga politika sovjetike.

Ndihmat e Bashkimit Sovjetik

Por një element i rëndësishëm mungon në dominimin sovjetik të Shqipërisë: një mungesë që tregon si cinizmin e motiveve sovjetike në Shqipëri dhe masën e përuljes ku kishin rënë oportunistët shqiptarë. Në punët e jashtme, Shqipëria nuk është përfshirë në asnjë prej marrëveshjeve të vendeve satelite sovjetike, përveç Këshillit të Asistencës Ekonomike. Në kohën e Jugosllavisë, Shqipëria ishte përfshirë të paktën në përfaqësimet jashtë shtetit. Megjithë ndihmën që Shqipëria merrte nga Bashkimi Sovjetik, ajo vetëm ditët e fundit u pranua në Këshillin e Asistencës Ekonomike. Nga ana tjetër, Shqipëria ishte përfshirë përtej kapaciteteve të saj, në aventurën komuniste për Greqinë, dhe ishte e detyruar të përçmonte “deviacionistët jugosllavë”, si dhe të kritikonte Italinë. Por përveç armiqve të saj tradicionalë ajo duhet të përçmonte publikisht edhe Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë, të cilat ishin nga vendet më mike që kishte pasur. Në përputhje me politikat sovjetike, vetëm Franca ishte kursyer nga politikat e sharjes, dhe kjo përpara një paralajmërimi nga francezët. Këto tregojnë për një shfrytëzim të Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike, sipas interesave të Kremlinit.

Marrëdhëniet Greqi-Shqipëri

Në lidhje me marrëdhëniet afatgjata greko-shqiptare për Jugun e Shqipërisë, regjimi i Hoxhës nuk ka mbrojtur paprekshmërinë e territorit shqiptar. Meqenëse qeveria shqiptare nuk ka hequr dorë nga pretendimet për Vorio Epirin, propaganda komuniste e ka përfshirë çështjen në akuzat e saj ndaj Monarko-fashistëve. Kur jugosllavët ishin në kontroll të Shqipërisë, vendi operonte si bazë për guerrilasit grekë. Ky ishte një aktivitet që ka dobësuar izolimin e komunikimeve tokësore me territoret e kontrolluara nga sovjetikët. Supozohet se largimi i Markos u shoqërua me një ndryshim në operacionet e guerrilasve në Greqi dhe ndoshta edhe Shqipëria pushoi së qeni një bazë anti-greke. Nuk është e qartë nëse Shqipëria do të përdoret nga sovjetikët si një bazë anti-jugosllave. Pjesëmarrja e Shqipërisë në fushatën sovjetike anti-Tito ka përfshirë vetëm fjalë dhe një ripërshtatje të jetës ekonomike. Ndërsa Jugosllavia ka denoncuar regjimin e Hoxhës si qeveri kriminelësh dhe më pas vetëm e kanë injoruar./SOT

Please follow and like us: