Kameron jep dorëheqjen: Vendi ka nevojë për një lidership të ri
Britania e Madhe votoi në favor të largimit nga Bashkimi Europian, sipas parashikimeve pas numërimit të pothuajse të gjitha votave. Pas rezultateve, kryeministri David Kameron ka dhënë dorëheqjen. Ai është shprehur se stabiliteti i vendit është shumë i rëndësishëm. “Do të përballemi me vendimet e mëdha”, ka shtuar Kameron në konferencën për shtyp pas rezultatit të referendumit. Ai kishte kërkuar nga britanikët që të votonin kundër largimit të Britanisë nga Bashkimi Europian, duke paralajmëruar pasojat ekonomike dhe të sigurisë nëse vendi do të dilte nga BE-ja. Por britanikët votuan me 52 për qind largimin nga BE-ja si dhe 48 për qind që të qëndronin. Kameron ka deklaruar se tashme vendi ka nevojë për një lidership të ri, që të fillojë rinegocimin me Bashkimin Europian. Ai tha se do të vazhdojë të qëndrojë edhe për tre muaj në krye të qeverisë, për t’i hapur më tej rrugën një lideri të ri. Duke respektuar vendimin e qytetareve të Britanisë, Kameron tha se pavarësisht daljes nga BE-ja, Britania është një ekonomi e fortë. “Britanikët kanë votuar për t’u larguar nga BE-ja dhe ne do të respektojmë vendimin e tyre. Më lejoni që t’iu uroj edhe ju që votuat pro daljes nga Bashkimi Europian. Këto rezultate do të përcaktojnë të ardhmen e Britanisë . E gjithë bota ka parë vendimin që ka marrë Britania e Madhe, por Britania ekonomike është e fortë”, tha Kameron. Më pas, ai shtoi: “Çdo gjë e ka një zgjidhje. Ne do të kalojmë në një fazë tjetër të bisedimeve me BE-në për të treguar interesin e të gjitha shteteve të Mbretërisë së Bashkuar. Unë jam i nderuar që kam qenë kryeministër i vendit për këto vite. Vlerësoj reformat e marra nga qeveria. Dua të theksoj se jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë punuar me mua”. Sipas tij, dalja e Britanisë nga BE-ja do të thotë që ekonomia jonë do të marrë një tjetër ritëm dhe për këtë arsye unë jam i mendimit për të rinegociuar me Bashkimin Europian.
“Unë besoj se kjo fushatë është bërë me mish e me shpirt dhe dua ta bëj të qartë se ky referendum nuk përjashton asnjë politikan, përfshirë këtu edhe mua. Unë mendoj se vendi kërkon një lidershpit tjetër. Unë do të bëj çfarë është e mundur që Britania të eci në rrugën e saj, por nuk do të ishte e drejtë që kjo të bëhej nga unë. Është e nevojshme ardhmja e një lidershipi të ri në Britaninë e Madhe. Unë do të vazhdoj të jem kryeministër edhe për tre muajt e ardhshëm, më pas një tjetër kryeministër do të vendoset”, tha Kameron.