Albspirit

Media/News/Publishing

Vota e Britanisë: Migracioni, ekonomia, shkolla, ushqimi e sporti, çfarë ndryshon

Britani referendum

Shumë gjëra do të ndryshojnë për Europën pas vendimit të britanikëve për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Imigracioni, ekonomia, financa, universitetet, shkolla, ushqimi dhe sporti, do të preken nga vendimi i djeshëm i votuesve në Britani. “Shekulli Online” ofron një pasqyrë të plotë se çfarë do të ndodhë në fusha të ndryshme.

Imigracioni

Britania e Madhe kishte vendosur të zgjidhte opsioni të quajtur “opt out” në fushën e imigracionit, pra të mos merrte pjesë në asnjë politikë të përbashkët për pritjen e të huajve që po mbërrijnë në Europë. Kjo është e njëjta zgjedhje që kanë bërë edhe Irlanda e Danimarka, për të mbetur në Bashkimin Europian, por pa u angazhuar në disa prej çështjeve të rëndësishme. Pra Brexit nuk do të ketë pasoja praktike për sa i përket zbatimit të planit “Junker” për rishpërndarjen e refugjatëve, por mund të ketë pasoja të rënda politike. Frika më e madhe është për lëvizjet e ardhshme të vendeve që bëjnë pjesë në atë që quhet “Grupi i Vishegradit” (Poloni, Hungari, Republika Çeke dhe Sllovakia). Këto vende janë kundër masave për të mbajtur me asistencë personat, të cilët kërkojnë azil. Në këtë pikë, edhe bashkëpunimi minimal i ofruar nga vende si Spanja dhe Franca mund të tërhiqet për t’iu përgjigjur kërkesave të opozitave të brendshme, të cilat janë kundër çdo mënyre ndërhyrjeje që parashikon pritjen e refugjatëve dhe migrantëve ekonomikë. Mbetet të shihet edhe e ardhmja për çështje e kufijve, pasi më parë disa herë ka patur kërcënime të ndryshme për daljen nga Traktati i Shengenit.

Financa dhe bankat

Bankat mund të largohen nga bursa e Londrës dhe kjo është një mundësi, ndonëse mund të sjellë jo pak probleme praktike, juridike dhe logjistike. Vetë kolosët britanikë të financës kanë paralajmëruar largimin e kapitalit në rast të fitores së Brexit. Midis bankave të para që ka kërcënuar largimin nga Mbretëria e Bashkuar është HSBC. Megjithatë ka edhe një problem të konkurrencës mes qyteteve. Frankfurti dhe Parisi janë kandiduar tashmë për të pritur institutet financiare që do të dëshironin të transferonin aktivitetin nga Londra. Edhe Milano mund të luajë një rol tërheqës. Jamie Dimon, administrator i deleguar i “JPMorgan”, ka paralajmëruar në fillim të qershorit se banka amerikane, që ka 16 mijë punonjës në Mbretërinë e Bashkuar, mund të spostojë 1-4 mijë prej tyre. “Morgan Stanley” parashikon të transferojë 1 mijë persona, nga 6 mijë të punësuar në Britani, të cilët manaxhojnë operacionet drejt Bashkimit Europian. “Goldman Sachs” duhet të transferojë të paktën 1.600 punonjës.

Formula 1

Formula 1 është e lidhur me një fije të dyfishtë me Britaninë e Madhe, jo vetëm sepse kompania “Fom” (manaxhuese e të drejtave tregtare të këtij sporti) ka bazën në Londër, por sepse 80 % e ekipeve ndodhet në një brez të teknologjisë së lartë, që nis nga kufijtë e kryeqytetit, drejt Milton Keynes, Banbury e Uoking. Vende që janë bërë të njohur nga ekipet që i kanë zgjedhur. “Mercedes” është i pranishëm në Braklej dhe në Briksuorth, ku prodhohen motorrët e makinave të Hamiltonit dhe Rosbergut. Shumë të panjohura për “Renault”, që prej këtij viti është kthyer në gara me një skuadër të lindur nga blerja e “Lotus” dhe që e ka selinë qendrore në Enstone. “Ferrari” (Itali) dhe “Sauber” (Zvicër) janë të vetmet përjashtime në një botë automobilizmi anglofone. Pak do të ndryshojë për pilotët, të cilët pothuajse të gjithë, jetojnë në Montekarlo, një botë e dëshiruar dhe larg furtunave financiare.

Futbolli

Kampionati anglez i futbollit “Premier League” ushqehet çdo vit nga një lumë milionash nga të drejtat televizive dhe tërheq talente e investitorë nga e gjithë bota. Në marrëveshjen e fundit për trevjeçarin 2016-2019 u arrit një shifër rekord prej 7 miliardë euro. “Torta” ndahet midis të gjithëve dhe futbollit anglez është kthyer në një biznes global, ku veprojnë sipërmarrës tajlandezë (Leiçester), arabë (Mançester Siti) amerikanë (Mançester Junaited). Nga 20 skuadra, më tepër se gjysma janë të duar të joanglezëve. Me daljen e Britanisë nga BE-ja për klubet pritet të ndodhë një revolucion. Ligjet komunitare mundësojnë lëvizjen e lirë të punëtorëve brenda shteteve anëtare, pra edhe të futbollistëve. Yje si Martial, Payet e Kante janë sot të federuar si lojtarë komunitarë. Kur kjo normë të bjerë, rreth 400 futbollistë, përfshirë edhe kampionatin skocez dhe ligat më të vogla, nuk do të jenë në rregull. Ndaj presidenti i “Premier League”-s ka qenë i qartë në kundërshtimin e largimit nga BE-ja. Sipas llogaritjeve të Federatës, rreth 33 % e lojtarëve mund të jenë të rrezikuar. Gjithashtu, edhe blerja e lojtarëve të rinj, që ndodh shpesh në Angli, nuk do të mund të bëhet më, sepse rregullorja e FIFA-s i lejon vetëm brenda hapësirës ekonomike europiane. Më shqetësuese mbetet një humbje e vlerës tregtare të “Premier League”, me më pak kampionë, televizionet nuk do të paguanin të njëjtat çmime.

Shkolla

Dalja nga BE do ta prekë edhe cilësinë e shkollave angleze. Këtë e mbështet një studim i “School Dash”, një portal që trajton statistika dhe analiza për botën e arsimit. Për këtë është bërë një studim dhe është vërejtur se në shkollat ku ka më shumë nxënës me gjuhë të origjinës të ndryshme nga anglishtja rezultatet janë më të mira. Prania e fëmijëve të emigrantëve vlerësohet se sjellë eksperienca të gjëra nga studimet jashtë, por ka ndikuar edhe si nxitje për fëmijët anglezë për të studiuar më tepër. Pothuajse kudo, institutet shkollore me një numër të lartë të nxënësve, fëmijë emigrantësh, kanë arritur nivele më të mirë mësimdhënie.

Ushqimi

Me daljen e Britanisë nga BE-ja, anglezët do ta kenë më të vështirë të gjejnë në raftet e dyqaneve dhe në restorante shumë prodhime ushqimore, si deri më tani. Prodhimet e bulmetit, frutave dhe verës, për shembull nga Italia, mund të jenë ndër gjërat që do të sigurohen më vështirë. Një ndër problemet kryesore tashmë do të jenë rinegociimi i marrëdhënieve tregtare mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian. Britania mund të vendosë taksa të ndryshme doganore dhe kjo do të ndikonte në pakësimin e prodhimeve që nga Europa e Bashkuar shkojnë drejt ishullit.

Please follow and like us: