Brexit: BE nuk i kontrollon dot më krizat
Evropa duhet të riorganizohet pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE, kërkon politologia Ulrike Guérot në intervistë me DW. Zemërimi i kuptueshëm i qytetarëve me BE, shpërtheu.
DW: Zonja Guérot, ja që ndodhi. Britania e Madhe është jashtë. Si mund të vinte puna deri këtu? Kush e ka fajin?
Ulrike Guérot: Situata është pak si te James Dean: “Sepse ata nuk e dinë se çfarë po bëjnë”. U premtua një referendum, pak me mendjelehtësi, ndoshta edhe në mënyrë shumë emocionale, për të respektuar atmosfera të caktuara në Britaninë e Madhe. Nigel Farage dhe Ukip e përqafuan me mirënjohje këtë temë. Dhe në fund pastaj ndodh një gjë e tillë.
Por duhet thënë natyrisht se kemi të bëjmë me një vend të veçantë. Britania e Madhe ka qenë gjithmonë, në njëfarë mënyre gjysëm shtatzënë me Evropën, pra as në Shengen, as në Eurozonë. Në një pavendosmëri të tillë, situata politike mund të rrëshkasë njëherë nga duart – dhe unë besoj se kjo është ajo që ndodhi. Aq më tepër që duhet thënë, se qarqe të caktuara, industria britanike, por edhe Citi of London, në thelb nuk u munduan sa duhet që të qendronin në BE.
A fitoi barku përpara mendjes? A mund të jetë që dalja ndoshta është pjellë vetëm e një atmosfere të caktuar aktuale, një kapriçioje të momentit?
Jo, nuk mendoj kështu. Është shumë se një kapriçio. Ajo që duhet thënë, dhe kjo thuhet shpesh pak, është se mbështetësit e Brexit në thelb prekën një plagë. Kur Nigel Farage thotë: “Unë dua të dal nga BE, sepse atje nuk vendos për asgjë”, duhet pranuar se ai ka të drejtë. Problemi është se nuk hidhet vështrim i vëmendshëm.
Ekziston ky zemërimi i qytetarëve, zemërimi që ti qeverisesh nga BE, pa mundur të bësh diçka kundër tij. Dhe është gabim që këtë zemërim të qytetarëve ta paraqesësh në një mënyrë të tillë, sikur ke të bësh me njerëz të çmendur emocionalë, që nuk kanë kuptuar asgjë. Dhe e gabuar është edhe që BE thotë gjithmonë “le të vazhdojmë si deri tani”: më shumë integrim, për shembull. Këta njerëz kanë të drejtë kur thonë se demokracia evropiane, në mënyrën si praktikohet është e pamjaftueshme.
Para së gjithash, për Brexit ishin të moshuarit, kurse të rinjtë donin të mbeteshin evropianë. Çfarë tregon kjo për shoqërinë britanike?
Shoqëria britanike është e përçarë, por ajo nuk është e vetme sot në këtë gjendje. Hidheni vështrimin në Francë, në Poloni, në Austri, në Gjermani, edhe këto vende janë thellësisht të përçara. Ne sapo kishim një rezultat tepër të ngushtë në zgjedhjet austriake.
Dinamika e brezave është e ngjashme edhe në vende të tjera: të vjetrit duan të ikin, të rinjtë duan të mbeten. Por ne kemi edhe një dinamikë tjetër, po të shohësh rezultatet e zgjedhjeve në Britaninë e Madhe. Ka një dallim midis votave që u dhanë në fshat dhe atyre që u dhanë në qytete. Ne shohim se qytetet e mëdha Edinburgh, Glasgow dhe para së gjithash Londra votuan kundër tendencës, pra votuan për të qendruar në BE, kurse rajonet fshatare u ndodhën kryesisht në kampin Brexit. Këto janë dinamikat që tregojnë se humbësit e globalizimit, të cilët nuk përfitojnë nga mirëqënia e tregut të brendshëm, tani thonë: duam të dalim jashtë.
BE duhet ta rikrijojë veten, të riorganizojë veten, por si?
Jo BE duhet ta rikrijojë veten, ne duhet të riorganizojmë Evropën. Çështja që shtrohet me të vërtetë, nëse BE është në gjendje që ta rikrijojë veten. Po të ishte në gjendje ta bënte, do ta kishte bërë me siguri vitet e fundit.
Kjo krizë është vetëm njëra prej shumë krizave: kriza e refugjatëve, kriza e Grexit dhe kështu me radhë. Që BE si sistem nuk është më në gjendje t’i kontrollojë krizat, këtë e shohim prej kohësh. Kështu që çështja që shtrohet nuk është se a mund të bëjë diçka BE, por a jemi ne vërtet të gatshëm që të mendojmë në mënyrë fundamentale për riorganizimin politik dhe demokratik të këtij kontinenti. Kjo besoj unë është detyra e momentit dhe ky është sinjali ose paralajmërimi që na jep Brexiti.
Ulrike Guérot drejton Katedrën për Politikën Evropiane dhe Kërkimet Demokratike në Universitetin e Danubit në Krems/ Austri.