Në gjykatat shqiptare ndodhin çudira! Pa qenë prezent, ti mund të bëhesh pjesë e një procesi gjyqësor, apo më keq akoma çështjen ta fitojë një njeri tjetër që nuk ka lidhje.
Rasti më flagrant është transmetuar në emisionin investigativ “Stop”. Mexhit Kalaja nga qyteti i Krujës ka denoncuar se ai është bërë pjesë e një gjyqi, që familjarët e tij kishin nisur. Bëhet fjalë për pronën që ia kishte lënë trashëgimi babai. Kalaja tregon se vendimi është dhënë nga gjyqtarja Enkelejda Hoxha.
“Kam probleme me Gjykatën e Krujës, për probleme pronësie. Kur merret një problem për pronën, sidomos për babain tim duhet të thirrem unë. Është bërë në fshehtësi”, thotë Mexhit Kalaja.
Por çudia është se gjyqi është bërë me një numër vendimi që nuk i përket kësaj familjeje. Vendimi numër 526 i përket qytetares nga Korça, Dashuri Toska, të cilën Mexhiti as që e njeh. Epo, dhe ndodh… Por në Shqipëri ama, jo në vend tjetër! /tvklan.al