Albspirit

Media/News/Publishing

Integrimet europiane do të vazhdojnë

Mbretëria e Bashkuar ka qenë një nga përkrahësit e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në BE, prandaj largimi i saj nga kjo e fundit, nënkupton një mik më pak në favor të zgjerimit të BE-së, si dhe një mik më pak për Kosovën në këtë drejtim, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane në Kosovë.

Por, megjithatë, sipas tyre, Bashkimi Evropian nuk do ta ndryshojë shumë qasjen për zgjerimin e saj, prandaj Kosova dhe vendet tjera të rajonit do të duhej ta vazhdonin rrugëtimin e tyre, duke zbatuar kushtet dhe standardet evropiane, të cilat u kërkohen.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se përkundër daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, kjo e fundit nuk do ta ndalë zgjerimin e saj.

“Nuk do të ketë kurrfarë ndikimi për Ballkanin perëndimor. Normalisht që me Mbretërinë e Bashkuar brenda BE-së, do të kishim një mik më shumë, për shkak se kjo ka qenë ndër përkrahësit më të mëdhenj të zgjerimit të BE-së. Por, fokusi, tash, duhet të vihet më shumë te ndërmarrja e reformave dhe patjetër që vendet e rajonit do t’i vazhdojnë negociatat për anëtarësim”.

“Në aspektin tregtar, tash duhet të shohim se si do të ridefinohen gjërat, por unë jam shumë i sigurt që gjatë negociatave për largim nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar do të mbajë marrëdhënie shumë të thella dhe të zgjeruara tregtare me Bashkimin Evropian”, thotë Muharremi.

Por, Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se megjithatë, dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian do të ketë reflektimin në vet rrjedhën e zhvillimit të kësaj të fundit. Gjithashtu, sipas tij, kjo do të reflektojë edhe në Ballkanin perëndimor, duke përfshirë edhe Kosovën.

“Megjithatë, kjo do ta ketë ndikimin e vet dhe ky ndikim do të shtrihet edhe në raport me ato vende që synojnë të anëtarësohen në BE, duke përfshirë edhe Kosovën”.

“E para është që BE-ja mund të jetë skeptike ose ndoshta e ka vështirë që të ece tutje me anëtarësimin me vende të reja. Së paku, jo mbase pa e sqaruar mirë edhe vetë pozicionin e saj se a është vërtet një organizatë që po ua merr sovranitetin e shteteve apo është një organizatë vetëm me karakter ekonomik. Kjo duhet të përcaktohet, të definohet”, vlerëson Ujkani.

Profesor Ujkani shpreh mendimin se për ta dëshmuar qëndrueshmërinë dhe forcën e organizatës, Bashkimi Evropian do të duhej të tregohej i hapur ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor, t’i integroj ato ose së paku, ta përshpejtoj rrugën e anëtarësimit të tyre.

Por, dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, a do t’i sforcojë zërat e euro-skeptikëve në vendet e rajonit, në Ballkanin perëndimor?

Muharremi vlerëson se problemet që ekzistojnë brenda Ballkanit perëndimor, do të vazhdojnë të mbesin të tilla, por proceset integruese të vendeve të rajonit për në Bashkimin Evropian, nuk do të ndryshojnë.

“Patjetër që do të ketë zëra të izoluar që do të thonë ‘ja, Mbretëria e Bashkuar po del’, ‘po shpërbëhet Bashkimi Evropian’. Por, një gjë e tillë nuk ndodh. Sa herë që ka ndodhur një moment i madh, qoftë edhe i krizës apo ndryshe, brenda BE-së qarqe të ndryshme e kanë transformuar atë moment, në një moment për më shumë integrim, thellim të integrimit”, vlerëson Muharremi.

Profesor Ujkani thekson se dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian nuk është diçka e papritur nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç thotë ai, këto të fundit më shumë duhet parë argumentet që i bashkojnë se sa ato që i ndajnë këto vende.

“Për vendet e Ballkanit perëndimor, pa marrë parasysh dallimet që mund të kenë ndërmjet tyre – po flas kryesisht për Serbinë, Kosovën ose Bosnjën – ai që është një emërues i përbashkët, është nevoja për të pasur një zhvillim ekonomik”.

“Zhvillimi ekonomik i këtyre vendeve, tashmë është i kushtëzuar, për të mos thënë edhe i përcaktuar, që të ndodhë vetëm me një integrim në një treg pak më të gjerë, e që tash për tash definohet si BE. A do të jetë i emërtuar edhe më tutje si BE apo ndryshe, është çështje krejtësisht jorelevante. Por, unë mendoj se nga kjo formulë nuk ka kthim prapa”, thekson Ujkani.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë deklaruara se marrëdhëniet ndërmjet BE-së dhe Britanisë së Madhe nuk do të reflektojnë në relacionet ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Please follow and like us: