Albspirit

Media/News/Publishing

Koha di të na befasojë dhe na shpie drejt nyjave të pazgjidhura

Silvia Avallone

Një nga disavantazhet tona është se nuk jemi mësuar me zhgënjimin, dhe rezervuarin e mundësive të reja që fsheh. Të gjithë jemi aq shumë të bindur se duhet të arrijmë më shumë, më shumë e më shumë, çdo ditë, sa që kur nuk na vijnë, na zënë në befasi. Po ku është e shkruar se jeta funksionon si një vijë e drejtë për lart? Kështu mund të funksionojnë më së miri dëshirat tona. Por jo koha jonë. Ajo kthehet pas, shpesh me dëshirë. Na rikthen në pikën e nisjes: tek ajo që nuk e kemi zgjidhur. Ajo na prin nëpër rrathë koncentrikë, parabola zbritëse, shtigje të pista, ngjitje të papërshkueshme: kështu na zë në befasi.

Në këtë vit të ri duhet të ushtrohemi më shumë me surpriza, se sa me projekte. Më shumë për t’iu përgjigjur ndryshimeve sesa për të vazhduar në ruajtjen e status quo-së, ose të vazhdoj të eci nëpër disa rrugë të bllokuara që kokëfortësia ime nuk do t’i çlirojë. Kjo nuk do të thotë se do të heq dorë nga ëndrrat apo nga të luftuarit e betejave ambicioze. Unë thjesht nuk do të pretendoj se jeta është më e vogël se unë, një lodër në duart e mia. Do të pranoj të më udhëheqë në disa linja, të ndryshoj në mënyra që do të kërkojnë përpjekje. Nga ana tjetër, nëse do të më duhej të shkruaja historinë time, do të ishte shumë e parashikueshme dhe e mërzitshme.

Nëse i hedh një sy të kaluarës sime, vë re se nuk kam qenë unë që kam vendosur për të gjitha momentet e rëndësishme në rrugëtimin tim të jetës, ose i kam dëshiruar fort ato, por pa gjetur mënyrat se si do të realizoheshin. Kur botova librin tim të parë, kur u martova, kur u bëra nënë: edhe ditët më të mira më zunë në befasi. Sa për të këqijat: nuk do të shkruaja asnjë gjë të mallkuar nëse nuk do t’i kisha përjetuar. Nuk do të kisha asnjë motiv të vërtetë për të krijuar, ndërtuar, kërkuar: asnjë çikë uri.

Por sfida më e madhe, e kuptoj tashmë, është kohëzgjatja. E një dashurie, e një familjeje, e një pasioni, e një pune. Sepse strukturalisht çdo gjë që lind dëshiron të përfundojë: priret drejt më të paktës, jo më të shumtës! Dhe futja në rrugën e forcës gravitacionale kërkon shumë energji, vendosmëri dhe gjithashtu pranim. Sepse jo gjithçka mund të ruhet dhe pothuajse asgjë nuk do të mbetet e padëmtuar dhe aq e mirë, sa kur ishte e re. Dashuritë tona, miqësitë tona, familjet tona, karriera jonë do të përjetojnë jo pak ndryshime dhe përmbysje. Megjithatë, nëse më duhet të mendoj për një drejtim për të ardhmen, mendoj për një rrugë dredha-dredha, e cila shpresoj të jetë sa më e gjatë, në të cilën çdo ditë do të heq dorë nga një tek, një pretendim, një moment egoizmi, një teprim, dhe mbaj me vete, me vetëdijen më të madhe, atë që është më thelbësorja: njerëzit, pasionet, që më bëjnë të bukur këtë jetë. / Sette – Bota.al

Please follow and like us: