Londinezët përballë një realiteti të ri
Banorët e Londrës u gdhinë sot një realitet të ri. Disa janë të shqetësuar nga pasiguria dhe të panjohurat që sjell me vete votimi për të dalë nga Bashkimi Evropian.
Në pikëpyetje do të jetë statusi i shtetasve britanikë në BE, si dhe i shtetasve të vendeve evropiane që jetojnë në Britani. Rezultati i referendumit ka ringjallur gjithashtu thirrjet për pavarësinë e Skocisë, e cila votoi përgjithësisht pro qëndrimit në BE.
Banorët e Londrës kanë reagime ndryshme një ditë pasi votimi historik në Britani për largimin nga Bashkimi Evropian tronditi mbarë botën.
Disa ruajnë optimizmin, ndërsa të tjerë janë të shqetësuar nga pasiguria që mund të sjellë ky vendim.
Sam Walsh:
“Mendoj se kemi mbështetje nga vendet mike dhe nuk jemi të vetëm. Mund të kemi dalë nga Evropa, por ata na mbështesin. Franca na mbështet.”
Kiril Sotirov, bullgar i punësuar në Londër:
“Po, jam i shqetësuar pasi nuk e di ç’do të ndodhë dhe si do të jenë gjërat. A do të na duhen leje pune, viza?… Apo do të kthehemi në vendet tona… Nuk e di.”
Të tjerë thonë se do të presin të shikojnë se ç’do të ndodhë kur të realizohet praktikisht dalja nga BE-ja.
Malcolm:
“Do të presim kur të ndodhë vërtet. Por, mendoj se ishte një vendim i mirë. Megjithëse, pjesa më e madhe e Londrës votoi kundër, shumica e vendit votoi pro largimit. Nëse një milionë njerëz më shumë kërkojnë të largohen, atëherë ashtu duhet bërë. Është vullneti i popullit.”
Britanisë i duhet tani të përcaktojë me shpejtësi një axhendë për daljen nga blloku evropian dhe Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker kërkoi fillimin e menjëhershëm të negociatave për këtë proçes.
Me largimin nga BE-ja, Britania mund të humbasë qasjen në tregun e lirë të përbashkët dhe mund t’i duhet të negociojë marrëveshje të reja tregtie me vendet e tjera. Gjithashtu, pikëpyetje të mëdha ngrihen për statusin e britanikëve që jetojnë dhe punojnë lirisht në vendet e tjera të BE-së, si dhe për shtetasit e vendeve të BE-së që jetojnë në Britani.
Vetë Britania rrezikon të copëtohet, pasi dy të tretat e votuesve skocezë janë pro qëndrimit në BE.
Michael Gardner, pensionist:
“Mendoj se tani skocezët kanë shansin për t’u larguar dhe ndoshta do jetë më mirë për ta. Ndoshta do të vështirësohen t’i përmbushin të vetëm kriteret financiare të BE-së, por nëse duan të largohen, u uroj fat.”
Britania pritet të fillojë një proçes largimi që do të zgjasë të paktën dy vjet dhe do të jetë vendi i parë anëtar që largohet nga Bashkimi Evropian.