Albspirit

Media/News/Publishing

Referendumi britanik nuk dekurajon Maqedoninë drejt BE

Me largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, Maqedonia humbet një aleat të fuqishëm në përpjekjet e vendit për t’u bërë pjesë e BE-së.Reagime në Ballkan pas Brexit.

Mazedonien EU Flaggen

Partitë politike në Maqedoni janë shprehur se mbeten të përkushtuara në procesin e integrimit të vendit në BE, duke nënvizuar se me largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, Maqedonia humbet një aleat të fuqishëm në përpjekjet e vendit për t’u bërë pjesë e BE-së.

Nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE thuhet se bëhet fjalë për një vendim të marrë nga ana e votuesve dhe taksapaguesve britanikë dhe në këtë rast mbetet që atyre t`iu urohet fat dhe suksese në rrugën që kanë zgjedhur.“Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian do të thotë një humbje e madhe edhe për Ballkanin dhe Maqedoninë, meqë bëhet fjalë për një shtet që na ka mbështetur në rrugëtimin tonë në në procesin e integrimit dhe është angazhuar për zgjerimin e BE-së”, ka deklaruar Ivo Kotevski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ivo Kotevski Sprecher Innenministerium MazedonienIvo Kotevski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së

Nënkryetari i Parlamentit të Maqedonisë nga rradhët e BDI-së Rafiz Haliti, vlerëson se pavarësisht vendimit të qytetarëve të Britanisë së Madhe për t`u larguar nga BE, e ardhmja e Maqedonisë mbetet anëtarësimi i plotë i shtetit në Bashkimin Evropian. “Sa i përket Bashkimit Demokratik për Integrim, mbetemi në kursin e njëjtë politik, atë se interes strategjik i partisë që përfaqësoj po edhe i Republikës së Maqedonisë si shtet është integrimi në Bashkimin Evropian. Për ne nuk ekziston ndonjë rrugë tjetër që do të ishte si alternativë për të ardhmen e vendit”, thekson Rafiz Haliti, nënkryetar i Parlamentit të Maqedonisë .

Nga opozita maqedonase- Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë janë shprehur të prerë,se kanë besim të plotë në Bashkimin Evropian. “Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë shpreh bindjen se rruga, përmes së cilës duhet të ec vendi është rruga e anëtarësimit të plotë të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Vendi i Maqedonisë është në Bashkimin Evropian”, theksohet në komunikatën e lëshuar nga partia maqedonase në opozitë.

“Rritjen e euro-skepticizmit, mund ta shfrytëzojnë qarqe të ndryshme, por jo edhe shqiptarët, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë fuqishëm dhe të mbështesin euro-integrimet e Maqedonisë. Anëtarësimi në BE dhe në NATO janë çështje primare për shqiptarët. Të tjerët mund të mendojnë alternativa të tjera, por vetëm pa shqiptarët”, deklaroi Bekim Fazliu nga partia opozitare shqiptare, PDSH.

Analistët: Të mos keqinterpretohet referendumi

Profesori universitar dhe ish-diplomati Denko Malevski ka shprehur shqetësimin e tij se vendimi i Mbretërisë së Bashkuar, i shprehur në referendum, për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, do të mund të keqpërdoret dhe keqinterpretohet në Maqedoni. “Kam frikë se në politikën këtu në Maqedoni ky vendim do të mund të keqkuptohet në versionin: ja mirë është që ne si shtet nuk jemi në Bashkimin Evropian, por e kundërta. Kjo që ndodhi na tregon se sa është e rëndësishme që një shtet me kohë të jetë i përfshirë në strukturat evropiane, në mënyrë që të mund të shfrytëzojë benefitet në aspektin e sigurisë ekonomike, si dhe sigurisë së përgjithshme dhe të jetë aty kur fillojnë të ndryshojnë gjërat. Ne si shtet, për fat të keq, mbetemi jashtë Bashkimit Evropian dhe nga kjo pozitë mbetet të ndjekim si do të zhvillohen gjërat”, ka theksuar ish diplomati Denko Malevski.

Analisti politik Hasan Jashari thotë se gjitha zhvillimet socio-politike të Maqedonisë janë zhvilluar në drejtim të integrimeve europiane, pjesë e së cilëve ka qenë edhe Britania e Madhe. Tani sipas Hasanit mund të fuqizohen pozicionet ruse dhe fuqive të tjera botërore. “Tanimë 20 vjet të gjitha lëvizjet politike, ekonomike, kulturore, të gjitha aktivitetet janë bazuar pikërisht në integrimet europiane, në të cilat ka marrë pjesë edhe Britania e Madhe. Tani kemi të bëjmë me një proces që u shkon për shtat forcave regresive, Rusisë dhe fuqive të reja botërore, siç janë Kina edhe India që do të thotë se kemi të bëjmë me një proces regresiv të dezintegrimit dhe dobësimit të raporteve sociale, kohezionit social dhe politik në Europë gjithashtu edhe dobësimit të shpresave të vendeve të vogla, të vendeve të varfëra siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor”, vlerëson Jashari.

Skopje, die Hauptstadt Mazedoniens. Shkupi

Analisti Ivica Josifoviç thotë se Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet mike e Maqedonisë dhe nuk do të jetë shembull dekurajues në përpjekjet euroitegruese të vendit. “Mendoj që edhe në periudhën që vjen Britania e Madhe do të mbetet mike ndaj Maqedonisë dhe nuk e besoj që ata do të angazhoheshin që vendi të mos ecë drejt drejt Unionit Europian ose të mos realizojë reformat, të cilat janë domethënëse për anëtarësimin e vendit në BE.”

A do të ndryshojnë raportet ekonomike Shkup-Londër

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian indirekt do të reflektohet edhe mbi ekonominë e Maqedonisë, vlerësojnë një pjesë e ekonomistëve. Sipas tyre problem më të madh paraqet pasiguria, sepse ende nuk dihet, se cilat do të jenë rregullat e reja për tregti me Britaninë. “Kjo do të marrë shumë kohë, është një pasiguri e madhe. Përcaktimi i raporteve tregtare mes kompanive nuk paraqet ambient të volitshëm, pasi ata nuk munden të planifikojnë në afat të gjatë, por patjetër duhet që vazhdimisht të përshtaten ndaj disa ndryshimeve afatshkurtra”, thotë profesori universitar, Vladimir Filipovski. Nga Oda ekonomike thonë se ndikimi mbi ekonominë e Maqedonisë do të varet nga hapat e ardhshëm që Britania do t’i ndërmarrë në pjesën e kontratave të reja për tregti.

Një pjesë e biznesmenëve nga Brexit shohin edhe efekte pozitive, duke u nisur nga ajo se Maqedonia do të duhet të orientohet drejt tregjeve të reja.

“Maqedonisë i ndihmoi shumë marrëveshja për shkëmbim të lirë tregtar. Unë mendoj se po mos të ishte ajo, ekonomia e Maqedonisë do të ishte në një gjendje më të keqe. Kjo për Maqedoninë ndoshta është një akt që do kërkojë vetëdijesim. Ky ndoshta është një shans që Maqedonia të kërkojë tregje të reja bilaterale”, thotë Zoran Vitanov nga Asociasioni i menaxherëve.

Britania e Madhe është në mesin e tre partnerëve më të rëndësishëm tregtarë të Maqedonisë. Vitin e kaluar shkëmbimi i përgjithshëm ka qenë rreth 601 milion euro, prej të cilave 559 milion euro bëjnë pjesë në importin. Një pjesë e madhe e investimeve të huaja në vend që janë të orientuara në eksport vijnë pikërisht nga Britania e Madhe.

Please follow and like us: