Albspirit

Media/News/Publishing

Bijtë e Tërbaçit për Tërbaçin

Bijtë e Tërbaçit për Tërbaçin

 

Nga Bexhet Rrapo*

 

Tërbaçiotët e kanë dashur shumë vendlindjen e tyre, e kanë mbrojtur atë me luftëra nga armiqtë e pushtuesit, por edhe kanë kontribuar për përparimin dhe zhvillimin e tij. Le të trajtojmë disa raste në vite të kontributit të bijve Tërbaçiotë për vendlindjen e tyre.

Siç dihet Tërbaçi si fshat malor-kodrinor, ka vuajtur për vaditjen e tokës. Nisur nga kjo varfëri e prodhimit të tokës, rreth viteve 1800 thuhet se banorët e Tërbaçit që kishin tokat pranë lumit Shushicë në Horë, filluan përpjekjet për të futur nën ujë disa hektarë. Mendohet se për këtë kanë mbështetur dhe disa tërbaçiotë që shërbenin në oborrin e Ali Pashë Tepelenës si Çobo Demiri i parë, i cili kishte dhe toka në Horë etj. Realizimi i saj kërkonte të hapej një tunel pranë lumit Shushicë, gjë që u realizua. Ky mbulonte me vaditje mbi 10 ha të mbi 20 familjeve si. Në një distancë rreth 3 km u ndërtua dhe një mulli bloje.
Mbas viteve 1930, ku lagjia e Horës u popullua më shumë, doli nevoja e rikonstruksionit të kanalit. Kjo u bë me organizimin e Lulo Aredinit, Hyso Rrapos dhe Muço Delos, që kishin edhe më shumë tokë nën ujë, ky i fundit, Muçua, rindërtoi dhe mullirin i cili më vonë mori dhe emrin Mulliri Balile. Funksioni i këtij tuneli e kanali ka vazhduar deri në vitet 1990 përfshi edhe atë të kooperativave bujqësore. Më vonë u braktis duke sjellë edhe një dëm ekonomik, por edhe në vlera historike. Kohët e fundit është çelur një dritë jeshile nga Bashkia Himarë. Nëpërmjet një projekti mendohet të rivihet në punë kanali vaditës nga Kallarati-Vranishti deri në një pjesë të Horës, Tërbaç.

Duke qenë se jemi te sistemi vaditës mund të përmendim kontributin e dhënë nga bijte tërbaçiotë për ndërtimin e rezervuarit të Likudhes më 1963. Ai u bë me fondet e shtetit dhe punën e kooperativistëve, por për realizimin e tij dhe vendosjen në planet shtetërore ka qenë interesimi i bijve të Tërbaçit, me funksione shteterore si Hysni Kapo, Vebi Hoxha, Arif Hasko etj. Vlen të theksohet edhe përkushtimi i kryetarit të kooperativës të asaj kohe Sali Lusho. Ky liqen futi nën ujë mbi 60 hektarë tokë, tokën më pjellore. Kjo ndikoi në rritjen e prodhimit, natyrisht dhe të mirëqenies. Pas këtij investimi më vonë u vazhdua me vendosjen e sistemit të pompave të fuqishme. Në Tërbaç u vendosën 5 pompa të tilla duke mbuluar me ujë mbi 90% të tokës. Po tani pas 25 vjetësh sistem kapitalist çfarë është bërë, ka përmirësim të sistemit vaditës? Përgjigja është jo, pasi edhe ato që ishin janë shkatërruar, ka vetëm premtime.
Përroi i Bramyshnjes që kalon mes arave të kësaj fushe, në shumë raste, bëhej i rrezikshëm. Për të lehtësuar këtë mendoi biri i fshatit Miftar Lulo, i cili ndërtoi një urë të gurtë me harqe, të kalueshme edhe për kuajt. Ajo edhe sot quhet ura e Miftarit. Megjithëse është e ndërtuar aty nga viti 1860 reziston edhe sot.

Në Vozdol, para viteve 1900, flitej se në përroin e kësaj lagjeje ishte mbytur një vajzë e mitur. Nisur nga kjo dhe për faktin se ai përrua ishte shumë i rrëmbyeshëm si dhe paraqiste vështirësi për banorët një bijë e Tërbaçit mendoi për të. Ajo ishte Shaqe Sinan Rrapua, e bija e Sinan Rrapos së parë. Asaj i kishin vdekur prindërit dhe vendosi të shesë pasurinë e saj, ara dhe troje. Me të ardhurat që realizoi ndërtoi një urë në këtë përrua, në 1903 dhe sot ajo quhet ura e Shaqes. Për ndërtimin e saj ngarkoi specialistin Balil Gjika. Mbas përfundimit të urës ajo martohet në Dukat, ku lindi 3 fëmijë, që i kanë mbajtur lidhjet me Rrapojt dhe Tërbaçin. Pra Shaqja kjo vajzë e thjeshtë, nuk i mori të ardhurat për martesë, por i dhuroi në Tërbaç.

Në vitin 1983, ndërtohet ura e Fëngut, një urë që lidh një pjesë të Tërbaçit, matanë lumit të kaurit dhe me Vranishtin, pra me mjaft rendesi. Ndërtimi i kësaj ure është rezultat i kontributit vullnetar të Haki Gjondedes, i cili siguroi falas urën e hekurt, ai e mori atë nga ushtria në Shkodër. Kurse si specialist do të punonin po ashtu vullnetarisht pensionistët Bendo Xhaferi dhe Beqir Mehmeti.

Terbaçit i mungonte një rrugë lidhëse midis qendrës kryesore të banimit dhe lagjeve të saj, Bramyshnje dhe Hora. Kështu që aty nga viti 1978 del e domosdoshme hapja e kësaj rruge. Dhe kjo iniciativë ishte nën udhëheqjen e Haki Gjondedës. U vendos që gjithë kuadrot ushtarake muajin e punës fizike ta kryenin në vendlindje, Tërbaç. Grupi i parë do të ishin: Hasan Hoxha, Lutfi Gjika, Bexhet Rrapo, Xhemal Hoxha, Memo Gjoka, Esat Xhelili, Esat Lusho, Luto Hoxha, Ismet Xhaka etj. Të më falni në kam harruar ndonjë pjesëtar, si dhe ata të grupeve të mëvonshme. Puna nuk ishte e lehtë, mjetet ishin të thjeshta, kazma, lopata, qysqi, vare etj. Lëvizeshin gurë, hapeshin vrima për mina, bëhej zbarkim dheu. Dispononim edhe një buldozer nga ushtria. Ne kishim ikur të rinj nga fshati, nuk ia dinim punes, por kemi patur një mbështetje dhe inkurajim të jashtëzakonshëm nga bashkëfshatarët tanë. Me fuqizimin e punës, të ushtrisë dhe të shtetit, kjo rrugë do të përfundonte rreth viteve 1980-1981. Në vitin 2002, u bë asfaltimi i saj nga komuna Vranisht, ku kryetare ishte bija e Tërbaçit, Fatbardha Kapo. Sot ajo ka nevojë për afaltim të ri, mbasi është mjaft e dëmtuar.

Krahas këtyre, para viteve 1990, në Tërbaç janë bërë disa investime social-kulturore në dobi të komunitetit si: sistemi i ujit të pijshëm, ndërtimi i Pallatit të Kulturës, ndërtimi i shkollës së re 8-vjeçare, kopshti, çerdhja, mapo e qendra shëndetësore. U ndërtuan edhe objekte historike si lapidari i dëshmorëve në Bragjin, muzeu Hysni Kapo me funksion për krahinën, busti i Halim Xhelos etj. Unë do të veçoja dy persona të cilat kanë dhënë edhe kontribut aktiv në shumë ndërtime e punë në Tërbaç:

-Haki Gjondeda, për infrastrukturën e rrugëve dhe të urave. Në të gjitha rrugët e reja të hapura është mendja, ideja dhe kontributi i tij. Ky burrë megjithëse i moshuar, me banim në Tiranë, krijoi qendër banimi në Tërbaç, vetëm e vetëm të ishte pranë punës. Aty ai gjeti ngrohtësinë dhe mbështetjen e të gjithë tërbaçiotëve. Sot ai jeton në Itali, është mbi 90 vjeç dhe i urojmë të vejë mbi 100, se ka bërë vetëm të mira për Tërbaçin.

-Bilbil Gjika, arkitekt e ndërtues i infrastrukturës së ujit të pijshëm. I mblodhi të gjitha burimet ngado që ishin, në depozita dhe çoi ujin në çdo shtëpi. Sot mund të kenë edhe ankesa, por është mosinvestimi dhe mosmirëmbajtja përmbi 30 vjet. Ideja dhe mendja e tij ishte rregullimi i sheshit të fshatit, mbjellja e disa pemëve para shkollës etj. Ai ndërtoi çezmën më të bukur në zonë me në krye një shqiponjë si simbol i Tërbaçit. Për ironi, për shumë kohë ajo ka qenë pa ujë. Kohët e fundit, me iniciativë të disa të rinjve, u bë riparimi i saj nga tekniku Adriatik Mehmeti, duke çuar dhe ujin. Bilbili rikonstruktoi çezmën e Koligjit, ndërtuar nga Kont Luigji, rreth 400 vjet më parë, e cila ka marrë edhe emrin e tij.

Një veprim mjaft patriotik, që shpreh dashurinë, respektin dhe unitetin tërbaçiot, është marrja dhe rivarrosja e birit të tyre, kësaj figure të rëndësishme për popullin shqiptar, Hysni Kapos, në vendlindjen e tij. Ky ishte një veprim sa i zgjuar po aq edhe i guximshëm i bijve tërbaçiotë, pasardhës të Hysni Kapos, të cilët në terrorin fashist të kohës, më 25 maj 1992, e morën birin e tyre. Në vitet e trazuara 1997-1998, një dorë e zezë e dëmtoi muzeun historik që ruante shumë vlera për të gjithë krahinën. Këtu është pak edhe vetë pakujdesia e komunitetit përreth. Mendoj se ka ardhur koha që të korrigjohet kjo goditje bërë vlerave historike të Tërbaçit, duke rindërtuar muzeun, mbasi dhe një pjesë e madhe e materialeve muzeale ruhen nga muzeologu Novruz Barjami. Wshtë dhënë një premtim nga zoti Koço Kokedhima. Ne jemi besimplotë se ai është një dashamirës i madh i historisë.

Mbas viteve 1990-1992, u bë ndryshimi i sistemit, që në sajë të zhvillimit të pronës private, krijoi disa emra të rinj si intelektualë e biznesmenë. Dhe nga Tërbaçi krijuan biznese të mëdha dhe të mesme, emra si: Dritan Çela, Ardian Resuli, Hasan Mali, Gëzim Hoxha, etj. Këta filluan të kontribuojnë edhe për Tërbaçin, si në bashkëpunim me shoqatën po ashtu edhe veçmas individualisht. Kështu Dritan Çela, asfaltoi rrugën për në Lekaj, Hasan Mali zgjeroi dhe mbushi me çakëll rrugën Pallati i Kulturës-Varreza. Krahas kontributeve të mëparshme dhe Flamur Çela, kohët e fundit, rindërtoi një ujësjellës në lagjen Lekaj, megjithëse me biznes më të vogël”.

Lind pyetja: A është e mjaftueshëm kaq? Patjetër që jo! Sot kanë dalë disa të rinj, që me aq mundësi sa kanë, kontribuojnë. Si punë të parë ata kanë marrë rregullimin dhe gjelbërimin e sheshit qendror, kanë vendosur stola pushimi e pemë dekorative për hije. Në një kohë të afërt, 30 pemët që ata kanë mbjellë, do të krijojnë një gjerdan të gjelbërt. Organizimi i kësaj pune është bërë nga Buletin Skendaj, Luan Çanaj, Bledar Salati, Besnik Demo etj, që nuk kanë biznese, disa janë edhe emigrantë, por ata kanë shpirtin e madh dhe dashurinë për Tërbaçin e punën.

 

*Kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tërbaçi”

Please follow and like us: