Britani, vazhdon pasiguria pas largimit nga BE
Tronditja pas vendimit të papritur britanik për t’u larguar nga Bashkimi Evropian vazhdoi edhe sot, ndërkohë që politika e Britanisë dhe marrëdhëniet e saj me botën po zhyten më thellë në një gjendje pasigurie.
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili ndodhet në Evropë, i shtoi programit të tij ndalesa në Londër dhe në Bruksel.
Ai pritet të takohet me Sekretarin e Jashtëm britanik, Philip Hammond dhe zyrtarë të tjerë si pjesë e procesit të ruajtjes së lidhjeve me aleatin e rëndësishëm të Uashingtonit në një epokë të re, kur Britania është më pak e angazhuar me Evropën.
Presidenti Barack Obama kishte bërë thirrje që Britania të mos largohej nga Evropa. Marrëdhënia e veçantë mes dy vendeve – një frazë e përdorur për herë të parë nga ish kryeministri Winston Churchill – bënte të mundur që Shtetet e Bashkuara të kishin një ndikim më të madh në Bashkimin Evropian përmes Britanisë.
Në Londër, zoti Kerry do të gjejë një situatë politike të paqëndrueshme. Me humbjen e mandatit të tij në referendum, kryeministri David Cameron njoftoi dorëheqjen të premten dhe është shprehur qartë se ai nuk do të jetë njeriu që do të negociojë formalitetet e ndarjes së Britanisë nga BE-ja.
Zoti Cameron pritet të emërojë një ekip negociues për të filluar procesin, por njoftimi zyrtar me të cilin do të fillojë shkëputja mund të mos bëhet para muajit tetor kur të emërohet një kryeministër i ri i Partisë Konservatore.
Ndërkohë, shtetet themeluese anëtare të Bashkimit Europian po kërkojnë që Britania të largohet shpejt.