Dështimi demokratik i Britaisë
Çmenduria e vërtetë e votës së Mbretërisë së Bashkuar për të dalë nga BE nuk ishte që liderët guxuan të pyesnin popullin e tyre të peshonte përfitimet e anëtarësisë përballë presionit të emigracionit që ajo ofron, por ishte pragu i ulët i daljes, që kërkonte veç një shumicë të thjeshtë. Duke pasur parasysh pjesëmarrjen në votime në 70 për qind, kjo do të thoshte që fushata për daljen fitoi me 36 për qind të votave.
Kjo nuk është demokraci; kjo është ruletë ruse për republikat. Një vendim i rëndësie të jashtëzakonshme – shumë i rëndësishëm dhe se amendimi i kushtetutës së një vendi (sigurisht, Mbretëria e Bashkuar nuk ka kushtetutë të shkruar) – është marrë pa kontrollin dhe balancat e nevojshme.
A duhet që votimi të përsëritet pas një viti për t’u garantuar? Jo. A duhet që dalja të sigurojë një shumicë në parlament? Mesa duket jo. A dinte vërtetë populli britanik për çfarë po votonte? Absolutisht jo. Vërtet, askush nuk e ka idenë për pasojat, për Mbretërinë e Bashkuar në sistemin global tregtar, ose ndikimin mbi stabilitetin politik të brendshëm. Ka frikës se s’ka për të qenë një pamje e bukur.
Qytetarët perëndimorë janë të bekuar që jetojnë në një kohë paqeje: ndryshimi i rrethanave dhe prioriteteve mund të bëhen përmes një procesi demokratik dhe jo me luftëra civile ose kundër të huajve. Por çfarë është, me saktësi, një proces demokratik i drejtë për të marrë vendime të pakthyeshme, që përkufizojnë fatin e një kombi? A mjafton të fitosh 52 për qind në një ditë me shi për daljen nga BE?
Sa i përket fuqisë dhe qëndresës së bindjeve, shumica e shoqërive i kushtojnë më shumë mund mënyrës që një çift kërkon të ndahet sesa qeveria e kryeministrit Davis Cameron i kushtoi vendimit për të dalë nga BE. Këtë lojë nuk shpikën ata që ishin për daljen; ka një precedent të thjeshtë, përfshi Skocinë më 2014 dhe Kebekun më 1995. Por, deri tani, mulliri i revolverit nuk ndaloi te asnjë plumb. Tani që ndaloi, është koha të rishikohen rregullat e lojës.
Ideja që çdo vendim i marrë nga çdo shumicë e në çdo kohë është domosdoshmërisht “demokratik” është shtrembërim i këtij termi. Demokracitë moderne kanë zhvilluar sisteme kontrolli dhe balancash për të mbrojtur interesat e pakicave dhe për të shmangur marrjen e vendimeve të painformuara me pasoja të rënda. Sa më i rëndësishëm dhe jetëgjatë vendimi, aq më të shumta barrierat.
Kjo është arsyeja pse, le të themi, një ndryshim kushtetues zakonisht kërkon kalim pengesash më të larta sesa miratimi i një ligji për shpenzimet. Megjithatë, standardi ndërkombëtar i tanishëm për shkëputjen e një vendi ka kërkesa më të pakta sesa votimi për uljen e moshës së përdorimit të pijes.
Me Evropën që mund të përballet me një valë shkëputjesh të tjera, duhet bërë pyetja nëse ka apo jo një rrugë më mirë për marrjen e këtyre vendimeve. Unë pyeta disa politologë të rëndësishëm për të parë nëse kishte ndonjë konsensus akademik, por, fatkeqësisht, përgjigja ishte jo.
Vendimi për daljen e Britanisë mund të jetë dukur i thjeshtë në letër, por në realitet askush nuk e di se çfarë vjen votës për daljen. Ajo që ne dimë është se, në praktikë, shumica e vendeve kërkojnë një “shumicë dërrmuese” për vendime me rëndësi kombëtare, jo thjesht 51 për qind. Nuk ka shifër universale si 60 për qind, por parimi i përgjithshëm është që, të paktën si minimum, shumica duhet të jetë dukshëm e qëndrueshme. Një vend nuk mund të bëjë ndryshime themelore, të pakthyeshme, bazuar në një pakicë të ndarë me fije brisku, e cila mund të shfaqet veç gjatë një vale të shkurtër emocionale. Edhe nëse ekonomia britanike nuk futet në rënie të menjëhershme pas votimit (rënia e monedhës mund të zbusë goditjen e parë), ekzistojnë të gjitha mundësitë që çrregullimi politik dhe ekonomik që do të pasojë do t’i bëjë të pendohen disa nga atë votuan për dalje.
Që në kohët më të lashta, filozofët u përpoqën të ndërtonin sisteme për të balancuar fuqinë e shumicës përballë nevojës për të garantuar që palët e informuara të kishin rol më të madh në vendimmarrje kritike, pa përmendur që të dëgjohet zëri i pakicave. Në asambletë spartane të Greqisë së vjetër, votimi bëhej aprovim gojor. Njerëzit mund të modulonin zërat e tyre për të pasqyruar intensitetin e preferencave të tyre, ndërsa një person përgjegjës për procedurën dëgjonte dhe pastaj deklaronte rezultatin. Nuk ishte e përsosur, por ndoshta diçka më e mirë nga ajo që ndodhi në Britani.
Nga disa burime, Athina kishte zbatuar shembullin historik më të kulluar të demokracisë. Të gjitha klasave iu ishte dhënë votë e barabartë (pavarësisht se vetëm meshkujve). Mirëpo, në fund, pas disa vendimesh luftarake me pasoja të rënda, athinasit e panë të nevojshme t’u jepnin më shumë pushtet trupave të pavarur.
Çfarë do të kishte bërë Mbretëria e Bashkuar nëse bëhej pyetja e anëtarësimit në BE (gjë që nuk u bë)? Sigurisht që pengesat do të kishin qenë më të larta; për shembull, votimi për të dalë do të kishte kërkuar, le të themi, dy votime popullore në një hark kohor të paktën dy vjet, i pasuar nga një votim mbi 60 për qind në Dhomën e Komuneve. Nëse vota për daljen fitonte sërish, të paktën do ta dinim që nuk ishte një vendim i nxituar i një fragmenti të popullsisë.
Votimi britanik e ka zhytur Evropën në rrëmujë. Shumë do të varet nga mënyra si do të reagojë bota dhe nga mënyra si do të arrijë Mbretëria e Bashkuar të ri-konstituojë veten. Rëndësi duhet t’i kushtohet jo vetëm rezultatit, por dhe procesit. Çdo veprim për të ri-përkufizuar një marrëveshje jetëgjatë për kufijtë e një vendi duhet të kërkojë më shumë se shumicë të thjeshtë në një votim që s’përsëritet. Norma ndërkombëtare e tanishme për shumicë të thjeshtë është, siç e kemi parë, një formulë për kaos.