Lëvizjet e Vlahutin për dështimin e reformës në drejtësi
Zbardhen të tjera detaje mbi rolin e ambasadores së Bashkimit Evropian, Romana Vlahutin, për reformën në drejtësi. Partia Demokratike e ka akuzuar atë se mban krahun e qeverisë, ndërsa vetë shefja diplomatike nuk ka pasur një reagim. Ndërkohë, ditët e fundit, kryeministri Edi Rama vendosi vijën e kuqe për vettingun, duke theksuar se kishte mbështetjen e BE për këtë gjë. Gazeta “SOT” shkruan se vija e kuqe është vendosur që më 15 prill nga vetë ambasadorja. Parlamenti ka zbardhur procesverbalet e mbledhjeve të komisionit për reformën në drejtësi dhe në mbledhjen e datës 15 prill ka qenë e pranishme ambasadorja e BE, Romana Vlahutin. Në këtë mbledhje ka pasur një debat shumë të ashpër mes palëve, pasi PD ishte kundër formulës së vettingut, ku parashikohej që rol në përzgjedhjen e ndërkombëtarëve të kishte Avokati i Popullit dhe kryeministri.
“Në memorandumin kombëtar nuk ia lëmë dot Kryeministrit. Ne po diskutojmë që të ndërtojmë një proces konsensual midis palëve, por, në qoftë se figura konsensuale i këtij procesi është Kryeministri, është e kotë që flasim. Pra, këtë proces ose duhet ta ketë një institucion, i cili është jashtë palëve politike, edhe de jure, ose do ta kemi ne si komision parlamentar, por nuk besoj që do të ngelemi te kjo pikë”, është shprehur Eduard Halimi në komision. Po ashtu, në të njëjtën linjë kanë qenë dhe përfaqësuesit e tjerë të opozitës. Por pas deklaratave të opozitës ka reaguar ambasadorja e BE, e cila ka treguar vijën e kuqe, duke thënë se drafti nuk mund të ndryshohet. “Është menduar me detaje dhe mendoj që është më mirë që të lëmë këtu atë që kanë këshilluar ekspertët evropianë dhe amerikanë. Duhet të ketë nj marrëveshje formale përpara komunitetit ndërkombëtar dhe shtetit shqiptar. Mendoj që zgjidhjet që janë menduar janë të mira, të pranueshme dhe të qarta. Kjo është ajo që duhet, sepse kjo është një pjesë shumë e prekshme e të gjithë reformës”, tha ajo. Mesazhi i ambasadores ishte shumë i qartë ndaj demokratëve, pasi u tha qartë se nuk mund të diskutohet opsioni i ekspertëve. Pra duket se që këtu Vlahutin ka qenë në krah të qeverisë.