PS e LSI shtojnë presionin ndaj njëra – tjetrës për reformën në drejtësi
LSI, me anë të deputetit Përparim Spahiu, lëshoi sinjale të reja kundër reformës në drejtësi. Spahiu u shpreh se ai nuk ishte gati të votonte ndarjen e sovranitetit, duke iu referuar kontrollit të venting –ut për gjyqtarët e prokurorët nga ndërkombëtarët. “E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO, me KE, shpresoj dhe me BE. Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Cfarë përfaqësojnë këta?!” shkruante Spahiu në rrjetet sociale.
Deklarata e Spahiut është një shuplakë ndaj platformës së Ramës për reformën. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është distancuar prej saj publikisht. Ka zëra se ajo do ta bëjë këtë, pasi e konsideron qëndrim personal. Mirëpo deklarata e tij nuk është tërësisht kundër qëndrimit të Metës për reformën. Edhe Meta kërkon që për vetting –un të gjendet konsensus, ndonëse ai nuk ka shprehur ndonjëherë publikisht pakënaqësi për monitorimin ndërkombëtar. Meta, pasi dështoi të gjente konsensusin me Ramën për variantin e PD, tha prerë se “Shqipëria nuk e ka luksin të miratojë reformën pa opozitën”. Për herë të parë ai nuk e përjashtoi edhe mundësinë e mbajtjes së një referendumi.
Ideja e referendumit është përqafuar tashmë edhe nga PD. Kryetari Basha tha një ditë më parë se mund të shkohet njëkohësisht në zgjedhje të parakohshme dhe në referendum.
PS duket disa hapa pas lëvizjeve të vrullshme politike të LSI, e cila është pozicionuar këto kohë më pranë PD me qëndrimet për reformën. Megjithatë edhe ajo po luaj presionin si mjet për t’i treguar si aleatit ashtu edhe kundështarit, se nuk lëshon nga qëndrimi i saj.
Pandeli Majko, duke referuar qëndrimit të fundit të opozitës, thotë se është dakord për referendum dhe zgjedhje të reja nëse reforma dështon. Ashtu siç e konsideron LSI deklaratën e Spahiut, edhe Majko kujdeset të theksojë se ky është qëndrim personal, edhe pse ky qëndrim nuk e fsheh faktin se kjo është lëvizja taktike që i ka mbetur Ramës në kohën kur reforma e tij nuk mbështetet as nga aleati. “Opinioni im personal është që le te shkojmë në zgjedhje dhe në referendum së bashku në një ditë. T’i bëjmë të qartë publikut dhe miqve tanë amerikanë dhe europianë sa seriozë jemi karshi kërkesave për reformën në drejtësi dhe pastaj për interesat politike të qeverisjes. Për 6 muaj qeverisje më shumë, ne socialistët nuk mund t’ua lemë PENG vendin arsyetimeve të një opozite që di vetem cfarë nuk do. Në se demokratët janë gati, t’i ftojmë sëbashku votuesit të shkojnë tek kutitë e votimit dhe të vendosin për politikën dhe drejtësinë! Populli ynë nuk është dele. Ai flet edhe kur hesht. Delet nuk meritojnë referendum! Shpresoj të kuptohet se cfarë vjen kur populli ynë vendos ta refuzojë trajtimin si “dele”! Nuk ka gjë më të guximshme në politikë se të bësh “gjënë e gabuar” për arsyen e duhur dhe interesat e vendit! Kjo punë do burrëri! Për atë që beson se është, sigurisht. Të tjerat janë fjalë!” shkruan Majko në një prej qëndrimeve më të gjata të shprehura deri tani në rrjetet sociale.
Majko i përgjigjet PD –së edhe për shqetësimin e saj për “prekje të sovranitetit të vendit” nga vetting-u që do të bëhet nga ndërkombëtarët. Këtë shqetësim në fakt e shprehu edhe LSI me deputetin Spahiu.
“Tani opozita dëshiron që VERIFIKIMIN e gjykatësve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë sonë për pasuritë që kanë, për aftësitë profesionale dhe lidhjet e mundëshme me botën e krimit (VETING-u) të mos bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët (për një periudhë të përkohshme tranzitore) (!) Shpejgimi i cili jepet nga opozitarët për këtë kusht të ri të fundit është “se preket sovraniteti i vendit”(!)
Këta që dje deklaruan kur Shqipëria u pranua në NATO se “Kjo është një mrekulli e lirisë”… thonë sot këtë?! Kjo është njëlloj si të thuash se në Shqipëri nuk duhet të vinë trupa të huaja të NATO-s apo që hapësira jonë ajrore të mos ruhet nga avjonët e Aleancës sepse “preket sovraniteti” i vendit(!)… A shkelin sovranitetin e Shqipërisë vendimet e Gjykatës së Strasburgut? Pyetje si këto ka mjaft për të kuptuar “shipërimin” e kësaj që ndodh”, thotë Majko.
Opozita i ka kërkuar prej kohësh zgjedhjet e parakohshme, por Rama dhe Meta janë shprehur publikisht se nuk shohin arsye për t’u testuar në zgjedhje përpara mbarimit të mandatit. Dështimi i reformës në parlament mund t’i çojë dy aleatët drejt ndarjes, nëse LSI nuk do ta mbështesë variantin e Ramës siç është deklaruar. Në këtë suazë, thirrja e Majkos, edhe pse personale dhe i drejtohet opozitës, jehonën e kthen nga LSI. Ajo është e ngjashme me qëndrimin e Ramës se reforma do të bëhet siç thotë ai, ose përndryshe le të mos bëhet kurrë. Mosbërja e saj për shkak të mosvotimit të LSI, do ta bënte të pakuptimtë vazhdimin e bashkëqeverisjes mes Ramës e Metës.