Shpërthen Zv.Ministri i Drejtësisë ndaj Manjanit dhe KLD/U shkel ligji, vota u zëvendësua me short
Zv.Ministri i Drejtësisë Arben Isaraj ka shpërthyer ndaj Ministrit Ylli Manjani dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë lidhur me emërimin e gjyqtarëve dhe zgjedhjen e magjistratëve.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Isaraj ka renditur nenet që sipas tij janë shkelur lidhur me këto dy çështje.
Në reagimin e tij, Zv.Ministri i Drejtësisë shprehet se shkelja e këtyre neneve, është rasti më i ri ku “Politika” e KLD-së i “bën” ligjet në fuqi të papërdorshme, të pazbatueshme dhe të pavlefshme.
Më herët citynews ka raportuar lidhur me revoltën ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë nga disa magjistratë në mbledhjen e fundit të KLD-së. Procedura e re e emërimit të magjistratëve, përmes shortimit të kandidatëve ka shkaktuar përplasjen e tyre me KLD-në. Presidenti Bujar Nishani dhe Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani kanë votuar kundër ligjit që bënte fjalë për emërimin e magjistratëve nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe nga Prokurori i Përgjithshëm.
Reagimi i plotë i Zv.Ministrit të Drejtësisë Arben Isaraj
25 Qershor 2016
Politika e KLD-së që shkeli ligjin dhe zëvendësoi votën me shortin.
Në Shqipëri, KLD-ja sipas ligjit të organizimit dhe funksionimit të saj (neni 30) i emëron gjyqtarët me VOTAT e shumicës së anëtarëve dhe jo me SHORT.
Anëtarët e KLD-së në zbatim të ligjit, përpara votimit njihen me listën e konkurenteve me të dhënat, cilësitë dhe aftësitë e tyre si dhe rezultatet e testimit individual.
Në Shqipëri, sipas ligjit KLD-ja zgjedh me short vetëm Kolegjin Zgjedhor, nga lista e gjyqtarëve të Apelit.
Po në Shqipëri, ka ende një Ligj në fuqi , ai “PËR SHKOLLËN E MAGJISTRATURËS SË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, i cili në nenin 20-të tij, pas neneve 19 dhe 19/1, ndër të tjera thotë:
…..”Drejtoria e shkollës i dërgon Presidentit të Republikës të dhënat e procesit të vlerësimit për të bërë emërimin përfundimtar të tyre (magjistratëve…i imi) në vendet vakante, në përputhje me shkallën e vlerësimit të tyre nga shkolla, pas propozimeve të bëra, përkatësisht, nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për gjyqtarët dhe nga Prokurori i Përgjithshëm për prokurorët”…..
Shkelja e këtyre neneve, është rasti më i ri ku “Politika” e KLD-së i “bën” Ligjet në fuqi të papërdorshme, të pazbatueshme dhe të pavlefshme.