Gjykata Kushtetuese largon Dvoranin nga Gjykata e Lartë
Gjykata Kushtetutese vendosi sot që të ndalojë zgjatjen e mandatit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë deri në zëvëndësim pas një kërkese të bërë nga deputetë të PD.
Me një vendim të Kushtetueses, publikuar sot ndryshohet një nen i Ligjit për Funksionimin dhe Organizimin e Gjykatës së Lartë, shkruan droni.al.
Pika 3 e nenit 5 të këtij ligji hiqet fare.
Më poshtë është neni i plotë, pika e fundit e të cilit nuk do të jetë më në fuqi.
“1. Mandati i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë fillon ditën e betimit të tij përpara Presidentit të Republikës, datë e cila i njoftohet zyrtarisht Gjykatës së Lartë dhe përfshihet në dosjen personale të gjyqtarit.
2. Mandati i Kryetarit të Gjykatës së Lartë llogaritet brenda mandatit të gjyqtarit të kësaj gjykate.
3. Gjyqtari, të cilit i ka përfunduar mandati apo i ka mbaruar mandati, sipas shkronjës “c” të nenit 139 të Kushtetutës, vazhdon të ushtrojë detyrën deri në emërimin e gjyqtarit pasardhës”.
Debati për këtë nen nisi kur një gjykatës në Gjykatën e Lartë, Ardian Dvorani. vijon punën e tij edhe pse ka mbi dy vjet që i ka përfunduar afati kushtetues.
Një tjetër gjykatës që përfundoi mandatin pak javë më parë, Ardian Nuni, dha dorëheqjen pavarësisht se pika 3 e nenit 5 ishte ende në fuqi.