Albspirit

Media/News/Publishing

Marrëveshje historike ndërmjet Izraelit dhe Turqisë


Izraeli dhe Turqia kanë arritur një marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve që ishin dëmtuar që prej gjashtë vitesh. Mirëkuptimi i arritur u njoftua në Romë nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili u takua dje edhe me Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.

Kryeministri i Izraelit njoftoi nga Roma se është arritur një marrëveshje me Turqinë që do të ndihmojë për stabilizimin e Lindjes së Mesme. Lajmi u konfirmua njëkohësisht edhe në Ankara prej Kryeministrit turk Binali Yildirim.

Marrëveshja parashikon që Izraeli të ruajë bllokadën e sigurisë përreth Rripit të Gazës, por do të lejojë kalimin e ndihmave humanitare përmes porteve izraelite.Sipas analistëve, kjo është një arritje historike. Muhammed Ammash është ekspert i marrëdhënieve Turqi-Izrael.

“Është një marrëveshje historike, jo vetëm për Izraelin dhe Turqinë, por edhe për palestinezët, që do të përfitojnë prej saj. Turqia kuptoi se nuk mundet të luajë ndonjë rol në territoret palestineze, pa normalizuar marrëdhëniet me Izraelin. Ndërsa Izraelit, i duhen tashmë më shumë aleatë në rajon, në veçanti nga bota myslimane. Kjo marrëveshje do të kontribuojë pa dyshim për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme.”

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin dëmtuar rëndë që nga viti 2010, kur Izraeli ndaloi një anije turke që po thyente bllokadën izraelite duke shkuar drejt Gazës. Dhjetë aktivistë turq u vranë gjatë atij incidenti.

Sipas zotit Ammash, tashmë Izraeli do të zhdëmtojë viktimat me 20 milionë dollarë. Për më tepër, Turqia dhe Izraeli do vazhdojnë bashkëpunimin strategjik dhe ushtarak.

“Më e rëndësishme është siguria. Situata dhe paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme i shtyu të dyja vendet drejt bashkëpunimit. Ato janë realisht dy vendet më legjitime dhe më të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Nëse nuk bashkëpunojnë ato, kush do të bashkëpunojë?”

Sipas marrëveshjes, të dyja vendet do të rivendosin plotësisht marrëdhëniet diplomatike, duke dërguar ambasadorët përkatës sa më shpejt të jetë e mundur.

Please follow and like us: