Albspirit

Media/News/Publishing

Metodologjia e mësimdhënies, “thembra e Akilit” në arsimim

foto cover kryesorePër tre ditë pedagogët e rinj të Universitetit Europian të Tiranës janë trajnuar mbi metodologjitë e reja të mësimdhënies

Me ndryshimet sociale dhe ekonomike në Shqipëri, por jo vetëm, edhe arsimi ka evoluar, duke imponuar dinamika të reja zhvillimi. Për të përcjellë dijen, nuk mjaftojnë vetëm njohuritë në fushën përkatëse, por është e rëndësishme mbi të gjitha aftësia pedagogjike e pedagogut. Të kuptuarit kërkon domosdoshmërisht një proces empatie, identifikimi dhe projektimi. Për këtë arsye shihet gjithmonë e më e rëndësishme përkrahja e metodologjisë bashkëkohore të mësimdhënies, sipas së cilës studenti është në qendër të procesit mësimor. Për tre ditë, pedagogët e rinj në Universitetin Europian të Tiranës kanë zhvilluar një trajnim me pesë module bazë me qëllim aftësimin dhe përgatitjen e asistentë lektorëve me teknikat didaktike. Përgjegjësi i Departamentit të Edukimit, Dr.Tomi Treska, sqaron se trajnimi i quajtur “Aftësim në mësimdhënie” ka qenë një objektiv i UET për të trajnuar stafin e ri që vjen në institucion. Vetëm vitin e kaluar janë punësuar rreth 50 asistentë lektorë nga fusha dhe profesione të ndryshme.

“Kanë ardhur nga fusha e financës, drejtësisë, shkencave politike, marrëdhënieve ndërkombëtare apo e menaxhimit. Kuptohet që jo për fajin e tyre i mungon një sfond didaktik dhe pedagogjik që lidhet me artin e mësimdhënies. E kemi konsideruar si një detyrim të institucionit tonë që të ofrojmë një trajnim tre ditor ndaj këtyre asistentëve të rinj, të cilët pas një javë do të zhvillojnë edhe një testi. Testi nuk do t’i ngjajë një provimi tradicional, por do të jetë në formën e një bashkëbisedimi ose të një verifikimi të aftësimit të tyre. Sigurisht që nuk jam i vetmi trajner dhe kemi diskutuar gjatë në departament se cilat do të ishin modulet më të rëndësishme dhe më interesante për këta kolegë që i janë afruar institucionit tonë. Vendosëm që të bëjmë një miksim të tematikave”, shprehet Treska.

Në fakt janë pesë module bazë mbi të cilat u zhvillua ky trajnim. Në modulin e parë u trajtuan teoritë bashkëkohore të didaktikës për të dhënë një lloj sfondi dhe konteksti se për çfarë diskutohet sot më së shumti dhe për çfarë është rënë dakord në fushën e didaktikës. Ky modul u zhvillua nga Prof.Assc.Dr. Edi Puka. Moduli i dytë, i cili u drejtuar nga vetë Tomi Treska, lidhet me metodologjinë, format, mjetet dhe instrumentet e mësimdhënies që përbën edhe zemrën e këtij trajnimi. Pedagogët duhet të aftësohen për përdorimin e metodave bashkëkohore në arsimin e lartë, problem i cili është emergjent në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri. Eksperti Gilman Bakalli zhvilloi modulin e tretë mbi artin e komunikimit veçanërisht për marrëdhëniet student-pedagog, brenda dhe jashtë auditorit. Moduli i katërt, nga Erika Melonashi, trajtoi çështje të psikologjisë moshore, me disa karakteristika dhe cilësi të psikologjisë së moshës së studentëve. Dhe së fundi, Prof.Asoc.Dr. Ylljet Aliçka trajtoi një modul mbi etikën profesionale që duhet të pajisen pedagogët e rinj që i janë bashkuar UET-it.

Profesor Treska, cilat janë disa nga metodat bashkëkohore që ju po aplikoni?

Në metodologjinë e mësimdhënies dy janë filozofit kryesore: metodologjia tradicionale me në qendër pedagogun dhe metodologjia bashkëkohore që në qendër të mësimdhënies vendos studentin. Sigurisht që në kushtet e Shqipërisë, në kushtet e institucioneve të arsimit të lartë, nuk mund të themi që njëra metodë është më e mirë se tjetra. Kjo varet nga natyra e lëndës, nga specifika e grupit dhe nga përgatitja e pedagogut. Nuk jemi kundër një pale dhe pro një pale tjetër. Ajo që ne u fokusuam në këtë trajnim ishte një harmonizim i mençur, kreativ dhe utilitar në lidhje me rrethanat konkrete ku zhvillohet mësimdhënia. Sfida e lektorëve të rinj është që leksioni të bëhet interaktiv. Kjo do të thotë që brenda një ore leksioni të kombinohen të dyja metodat. Në metodat direktive, fjala shkon nga lart poshtë dhe qendra e mësimdhënies është pedagogu, ndërsa në metodën jo-direktive qendra është studenti. Në rastin e parë pedagogu i përmbahet kurrikulës, silabusit, temës apo leksionit që ka përgatitur dhe studentët në një farë mënyrë janë të detyruar të ndjekin fjalën e pedagogut. Është një mësimdhënie tradicionale që njihet në Shqipëri dhe më gjerë. Sfida është që të fusim gjithmonë e më tepër metodat bashkëkohore veçanërisht në leksion, ku në qendër është studenti dhe merret për bazë eksperienca dhe përvoja e tij. Por në raportin me studentin dhe kurrikulën, kuptohet që në metodën bashkëkohore është studenti ai që prevalon. Përpara një viti, UET në bashkëpunim me disa universitete perëndimore ka hartuar një manual të metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Ai projekt ka përfunduar, por ne po ndjekim impaktin e tij dhe do të vëmë në dispozicion të pedagogëve të rinj manualin përkatës që përmban 15 metoda bashkëkohore të mësimdhënies në arsimin e lartë.

Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe bota ndryshon me ritme të shpejta. Çfarë sfidash has pedagogjia në lidhja me teknologjinë?

Teknologjia në didaktikë nuk është qëllim në vetvete por duhet të shërbejë në funksion të mësimdhënies. Zhvillimi i teknologjisë në këtë kuptim ndikon në zhvillimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Në ndryshim nga filozofia e mëparshme, ku pedagogu ishte fillimi dhe fundi i fjalës dhe njohurisë, tani pedagogu merr rolin e një udhëzuesi dhe një moderatori që udhëheq procesin dhe diskutimin. Ai sugjeron literaturën, sugjeron metodikën, sugjeron procesin dhe pastaj është pedagogu ai që harmonizon diskutimin në auditor nga prurjet që studentët kanë sjellë për shkak të zhvillimit të teknologjisë.

UET është në vitin e tij të dhjetë. Çfarë ka për të përmirësuar në këtë drejtim?

Kjo ka qenë një sfidë e përhershme dhjetë vjeçare e UET-it. Në këtë përvjetor mund të gëzojmë universitetin dhe partnerët tanë duke hartuar një manual të mësimdhënies në institucionet e arsimit të lartë, në përputhje edhe me feedback-un që morëm nga ky trajnim. Këtë mund ta vëmë në dispozicion edhe të universiteteve të tjera që do të jenë të interesuara mbi këtë tematikë. Sigurisht ngaqë mësimdhënia ka qenë një sfidë e përhershme për t’u përmirësuar, nuk mendoj që 10-vjetori të jetë një moment që do të shënojë ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në drejtim të mësimdhënies. Ajo është punë e përditshme duke u përmirësuar çdo javë, çdo semestër dhe çdo vit. Ne kemi pasur një manual që u jepej pedagogëve të rinj që u jepej pedagogëve të rinj, dhe u jepej për dy arsye: përmirësimi i aftësive të tyre mësimdhënëse dhe së dyti “UET-izimi” i këtyre lektorëve të rinj, në kuptimin e filozofisë, standardeve, kritereve apo deri te formularët dhe respektimi i kalendarit akademik të institucionit. Këtë radhë meqenëse numri është më i madh se çdo vit tjetër, ne e kemi konceptuar si një trajnim tre-ditor që do të finalizohet me një test.

Si ekspert i fushës, a besoni që çdo lektor herë pas here ka nevojë për t’u adaptuar me metodat e reja dhe për të bërë një rifreskim të metodologjisë?

Jo më larg se në këtë trajnim, kam theksuar që çdo lektor së pari duhet të përdorë një metodë. Së dyti, duhet të ndjekë trendin e zhvillimit dhe ecurinë e metodave metodologjike, së treti të zgjedhë metodën e përshtatshme dhe së katërti ta zbatojë atë në kushtet e mësimdhënies reale. Nuk mjafton të jesh ekspert i mirë në një fushë, nëse nuk ke metodologjinë, instrumente dhe teknika për ta përcjellë atë te studentët. Aftësimi metodik i lektorëve mbetet një kusht i përhershëm.

 

 

5 modulet e trajnimit

Moduli i parë  trajtoi teoritë bashkëkohore të didaktikës për të dhënë një lloj sfondi dhe konteksti se për çfarë diskutohet sot më së shumti dhe për çfarë është rënë dakord në fushën e didaktikës. Ky modul u zhvillua nga Prof.Assc.Dr. Edi Puka.

Moduli i dytë, i cili u drejtuar nga Tomi Treska, lidhet me metodologjinë, format, mjetet dhe instrumentet e mësimdhënies që përbën edhe zemrën e këtij trajnimi. Pedagogët duhet të aftësohen për përdorimin e metodave bashkëkohore në arsimin e lartë, problem i cili është emergjent në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.

Eksperti Gilman Bakalli zhvilloi modulin e tretë mbi artin e komunikimit veçanërisht për marrëdhëniet student-pedagog, brenda dhe jashtë auditorit.

 Moduli i katërt, nga Erika Melonashi, trajtoi çështje të psikologjisë moshore, me disa karakterisitika dhe cilësi të psikologjisë së moshës së studentëve.

Dhe së fundi, Prof.Asoc.Dr. Ylljet Aliçka trajtoi një modul mbi etikën profesionale që duhet të pajisen pedagogët e rinj që i janë bashkuar UET-it. 

Please follow and like us: