Nga Enkel Demi/ Sot e hëngri Altini, nesër unë
Altinin e njoh prej disa vitesh. Është nga ata sipërmarësit që nuk para shfaqen, të cilët shohin punën e tyre nga mëngjesi në darkë. Ai ka bërë katandi nëpërmjet një rrjeti restorantesh që pavarësisht nga tallazet ku ka rrugëtuar Shqipëria e këtyre 25 vjetëve, ka ngulmuar të gatuajë gjellët tona. “Era” është më e njohur se Altini e ma merr mendja ky është një nga sukseset e tij më të mëdha në jetë, pasi besoj se familja që ka ngritur është vepra më e rëndësishme. E kam njohur këtë njeri shumë interesant, sepse është edhe botues. Bëhet fjalë për revistën “Shije”, të cilën e publikon prej do vitesh. Është një nga botimet më të dashura të miat, sepse gjen udhëtime kulinare në Shqipëri, njeh anë të paditura të personazheve të ndryshme që kemi në jetën politike, ekonomike, shoqërore, mediatike të Shqipërisë. Pos kësaj, një njeri si unë që e ka për zemër t’u heqë kapakun kusive, ka se çfarë të rejash të gjejë në një botim të këtillë. Miku më i mirë mediatik i Altinit është Mitro Çela, kështu që shpesh qëndrimi me ta është tejet i këndshëm. Pra, pa dashur t’i ha kohë të tepërt lexuesit, Altin Bramllari është një nga sipërmarësit që ka ngritur gjithçka duke ndjekur në mënyrë të përpiktë gërmat e alfabetit. Nëse e themi në mënyrë metaforike nuk ka shkelur kurrë jashtë vijave të bardha. Sipas meje, ai është heroi i kohës sonë. Ai të tregon me stilin e jetës se sipërmarrja nuk është hajni, milioni i parë nuk ka përse të bëhet me trafik droge apo njerëzish, nuk ka përse vret kënd, por puno. Nuk ka nevojë të fërshëllesh gomat, të hapesh në festa që t’i bësh hije hënës, por puno. Fëmijët nuk ke përse i mëson me paren lumë, por me respektin për to, ndaj puno. Ky është Altini, i cili është çuar në mes të natës të përballet me autoritetin e shtetit, të cilit i paguan taksat, por nuk i merr shërbimin, përkundrazi kërbaçin.
Lexova shënimin e Altinit e më pas të policisë. Jam tronditur se si një babë si ai ka qenë i detyruar të shohë atë skenë dhe të marrë atë farë trajtimi. Vendoseni veten, gjithsecili në vendin e tij, përfshirë këtu ministrin Tahiri, drejtorin e policisë, kryeministrin vetë. A mund të bisedojë shteti me kundravajtësin? Apo duhet të vendosë byzylykët dhe pastaj folim? Cila është nevoja e shtetit të shfaqë këtë lloj arrogance? Ka frikë nga kush që përgjigjet kaq dhunshëm? Ka frikë nga Altini apo djali i tij që nuk po kthehet nga festa e hënës, por puna? Përse sot e kësaj dite, policia është aparati i dhunës? Përse e kanë me të futur këta ndaj qytetarit që vendos rripin, nuk pi alkol, por po shkon të bëjë tre orë gjumë, se nesër ka prapë punë?
Autoritetet që përmenda më lart janë prindër vetë dhe jam i bindur që për birin e dëshirit do bënin atë që bëri Altini, do e mbronin. Ai nuk e këshilloi djalin të jepte ndonjë lek nën dorë, por të gjejë fjalën me policinë dhe u nis vetë në vendngjarje. Ku është komunikimi i policisë me komunitetin? Ka mbetur tek panairi në bulevard apo tek salla e seminarit? Nuk mund ta trajtosh njësoj një horr, një hajn, për të cilin ke informacion dhe një njeri që udhëhiqet nga respektimi i ligjit, rregullit. Ndaj, e kuptoj sa është fyer, zhgënjyer Altini, ashtu si kuptoj që nesër mund ta ketë radhën im bir që ka një makinë tejet modeste dhe lëviz me rrip, u bindet testeve të alkolit, por që është njeri me defekte si të tërë dhe diku mund të gabojë. Duhet plasur me të parën në birrucë, duhet rrahur? Të ndodhte kjo me të vetin, bishë do bëhej edhe i pari i qeverisë apo i pari i policisë. Pse duhet vënë në një provë të këtillë qytetari yt model? Dakord që nuk meriton çmimin “Bleta punëtore”, por dhe reston “shkopin shpinës” nuk ka pse ta marrë, përderisa këta të fortët me uniformë rrinë si pula para cubave që u kalojnë para hundës me hekra në kroskot duke dëgjuar tallava me zë në kupë të qiellit e që parakalojnë sa majtas-djathtas.