Nga Mentor Kikia/ Mirë që e shkatërruam, por mos u tallni me Lurën tani
Shkatërrimi barbar që i është bërë parkut kombëtar të Lurës, është krimi më i rëndë që ka ndodhur në mjedisin tonë natyror.
Por nuk mjafton kjo. Tashmë ka nisur një garë se kush të tallet më shumë me atë që quhet, apo duhet të ishte, rehabilitimi i Lurës. Nuk po them kush të vjedhë më shumë, se nuk kam ende fakte. Ja ç’i dërgonte medias dikush sot. Një grup të rinjsh ishin dërguar në një nga pllajat e zhveshura të Lurës, për të bërë pastrimin e lëndinës. Ishte promovuar kështu një nismë(projekt) që parashikon(citoj njoftimin): Pastrimin e mbetjeve drusore dhe mbeturinave; mbjelljen e farave të llojeve të bimëve të instaluara në park; fushata sensibilizimi në komunitetin që jeton në zonë dhe në te gjithë opinionin publik; pjesmarrje të komunitetit të zonës në rivitalizim, por edhe të të gjithë aktorëve dhe opinionit, nxitjen e turizmit malor … Njoftimi thoshte se këtë gjë e ka bërë, apo nisur ta bëjë, Agjencia për Zhvillim Rajonal 2 Tiranë, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Ministrinë e Arsimit dhe një 4-5 bashki. Pra punë qeveria duket.
Tani unë bëj pjesë tek ata njerëz që edhe një pemë po të mbjellë dikush, edhe një letër po të heqë nga toka, i them: Të lumshin duart. Por Lura nuk ka nevojë për pastrim, sepse nuk është e ndotur. Nëse do të pastrohen mbeturinat drusore, duhen shkulur trungjet e pemëve të prera, për ti hapur rrugë mbjelljeve, por ato nuk i shkulin kalamanjtë që bëjnë gallatë me celularë në duar, duhen mjete. Lura nuk ka nevojë as për sensibilizim, as për ndërgjegjësim. Pasi atje vetëm bari ka mbetur dhe cfarë ishte për u shkatërruar është shkatërruar. Lura ka nevojë të mbillet. Por ka nevojë të mbillet, jo për të bërë ekskursion me të rinj me bluza e kapele ne mes të verës. Lura ka nevojë të mbillet, por jo kujt ti teket(pavarësisht dëshirës së mirë) të marrë ndonjë pishë e lopatën në dorë dhe ta fusë në gropë, pa ditur as kur mbillen pemët, as cfarë lloji peme është, i përshtatet apo jo tokës, klimës e lartësisë gjeografike etj.
Plot lajme kam lexuar për projekte miliona euro që janë tretuar pa shkuar mirë në Lurë. Nëse nuk keni ndërmend të mbillini gjë, lëreni natyrën të bëjë të sajën të paktën e mos u tallni kështu.