Paratë e krimit në Qipro u investuan në Sarandë? Ja zanafilla e ngjarjeve deri tek ekzekutimi i biznesmenit
SARANDE- Vrasja e biznesmenit grek Fanos Kalopsidiotis dhe historia kriminale që po ndjek prej vitesh familjen e tij, ka tronditur mbarë opinion qipriot. Prej disa ditësh, policia është vënë në kërkim të 48-vjeçarit nga Mati, Aleks Burreli, i dyshuar si një nga ekzekutorët e biznesmenit qipriot, në një ngjarje ku mbetën të vrarë edhe çifti i policëve Elias Haxhieftimiou 46 vjeç dhe gruaja e tij Skevi, 39 vjeç. Bashkë me ta mbeti i vrarë edhe shqiptari Jani Vogli, 41 vjeç, nga Elbasani, që rezulton të jetë bashkëpunëtor i matjanit Burreli.
Por vrasjet në familjes Kalopsidiotis kanë një histori të frikshme. Në vitin 1996, me një atentat me eksploziv, u vra vëllai i Fanos Kalopsidiotis, Andros. Ndërkohë në vitin 2012, u vranë 5 truproja të tij, dy rumunë e tre qipriotë. Më pas në 2014, u vra edhe babai i tij, gjatë disa të shtënave më armë zjarri. Ajo që nuk është bërë publike në Shqipëri në lidhje me këtë histori të përgjakshme, është çka fshihet pas atentatit me 5 viktima në 23 qershor 2012 në Agia Napa. Policia greke arrestoi për vrasjen e 5 truprojave, dy grekë, Dimitri Mamalikopoulo, 29 vjeç dhe Anastasio Tseklidi, 41 vjeç. Në kërkim u shpall shqiptari Emilio Papa, 34-vjeç. Ky i fundit sipas policisë qipriote, u pagua me 30 mijë euro për organizimin e vrasjeve. Pas disa kohë kërkimi, policia qipriote tha se ai kishte vdekur në Shqipëri. “Ose vdiq në aksident, ose e vranë, por ka vdekur”, u shprehen burime të atëhershme policore, derisa një ditë vetë Emilio Papa u shfaq para një Komisariati në Greqi dhe u vetëdorëzua.
Biznesmeni Fanos Kalopsidiotis ndërkohë kishte informuar Presidentin Qipriot se shqiptari ishte gjallë. Ai kishte mbajtur kontakte me oficerë të policisë qipriote për një kohë të gjatë, por ata nuk arritën ta bindnin që të dorëzohej deri sa ata humbën kontaktet dhe ai u zhduk në Shqipëri. Pikërisht në këtë moment, mediat e njohura greke, duke iu referuar burimeve policore, shkruajnë se Emilio Papa, paratë e fituara nga “kontrata e vdekjes”, i ka investuar në Sarandë. “Esspresonews” shkruan në mars 2014, duke iu referuar deklaratave të Kalopsidiotis, se “Papa i morri gjithë paratë nga kontrata e vdekjes” dhe pas arrestimit të Mamalikopoulos dhe Tseklidit, i mbetën të gjitha. Për këtë arsye, iku në Shqipëri, ku ngriti pallat në Sarandë”. Ndërkohë që një media tjetër shkruante se kjo ndërtesë është bërë jo në qytet, por në periferi të Sarandës.
Hetimet e policisë qipriote, nisur dhe nga deklaratat e Tsekilidit, i lidhnin dy grekët dhe shqiptarin Emilio Papa, me grupin terrorist “Sekti i Revolucionarëve”, që dyshohen edhe për vrasjen e gazetarit grek Sokrati Giola dhe policit grek Naktario Savva. Në gusht 2014, në një përgjim të mafiozit grek, Panajoti Vlasto, u zbulua kjo bisedë që forconte dyshimet mbi grupin kriminal:
BISEDA
Vlasto: … çfarë të thoshin të çmendurit (policët) atje
G.Dh: Më shumë kishte të bënte me… atë…në Qipro. Mban mend që të kisha thënë që… kishte vrarë 5 veta në Agia Napa në Qipro
Vlastos: Mos morë, për atë të thirrën ti
G.Dh: Ai ishte me Taso Tsaklidhin
Vlastos: Po
G.Dh: Ai ka treguar për të tjerët
Vlastos: Dhe c’punë ke ti me ata
G.Dh: Ai që dha emrat bënte shoqëri me një shqiptare, një që quhet Emilio
Vlastos: Nuk i njoh… Ky Shqiptari në Qipro bëri 5 vrasjet
G.Dh: Nuk e di nëse i ka bërë, thonë që hëngri pesë herë burgim të përjetshëm, nuk e di nëse është e vërtetë
G.Dh: Shqiptari
G.Dh: Jo, greku, dy grekë ishin. Tseklidhi dhe Mamalikopoulo, njëri që ishte në Koridhalo që e gjuajtën dhe tjetri nga Celulat e ZjarriT, por përzihet dhe me terrorista, me ata duhet të jetë
G.Dh: Gjithë dëmin e ka bërë shqiptari, ai Emilio, atë e kapën më duket dhe po i hedhin përsipër edhe vrasjen e Golia, gazetarit
Valtos: Golian?
G.Dh: Po, që është vrasës i Sektit, ai dhe dy të tjerët…