Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti nga populli/ 10 deputetë firmosin propozimin e Blushit

Dy deputetët e Partisë Socialiste, Mimoza Hafizi dhe Blen Blushi kanë shpallur publikisht nismën e tyre për të ndryshuar kushtetutën në nenin që përcakton zgjedhjen e Presidentit. Lajmi ven nga deputetja e Shkodrës që shkroi në faqen e saj në Facebook se tashmë një grup deputetësh e kanë formalizuar këtë nismë.

“Kam kënaqësinë që në emrin e një grupi deputetësh, të shpall nismën për dy ndryshime të rëndësishme në Kushtetutën e vendit, përmes projektligjit bashkëlidhur. Me amendamentin e parë kushtetues, ne kërkojmë që Presidentin e Republikës t’ia japim popullit” – shkruan Hafizi.

“Ka të paktën dhjetë vjet diskutimesh, idesh dhe përpjekjesh në politikën shqiptare dhe në opinionin publik për zgjedhjen e Presidentit të Republikës nga populli. Një President i zgjedhur nga populli, dhe jo nga Kuvendi, do të jetë figurë e pavarur nga politika e ditës dhe përfaqësues i unitetit të popullit në ushtrimin e detyrave të tij të rëndësishme kushtetuese. Ne nuk kërkojmë ndryshimin e kompetencave të Presidentit, kërkojmë vetëm ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së tj. Në shumë vende të botës, që nga SHBA e Franca, por edhe Mali i Zi, Turqia, Sllovenia, Serbia, Rumania, Kroacia, Bullgaria, Polonia, Moldavia, Maqedonia, etj., Presidenti i Republikës zgjidhet nga populli” – thotë deputetja socialiste.

“Me amendamentin e dytë kushtetues, ne kërkojmë që popullit t’i bëhet e mundur të ndryshojë Kushtetutën e vendit. Me Kushtetutën aktuale, këtë të drejtë populli e merr vetëm nëse bëhen bashkë 94 deputetë, ose 2/3 e parlamentit. Por 94 deputetë është e vështirë të bien dakord. Edhe kur bien dakord, preferojnë ta ndryshojnë kushtetutën vetë, pa pyetur popullin, siç ka ndodhur në vitin 2008. Ne kërkojmë që ky numër të ulet në 2/5, pra në 56 deputetë. Sot diskutohet fort për reformën në drejtësi, por populli shiptar e ka të pamundur të marrë pjesë në këtë proces. Me ndryshimin që ne propozojmë, popullit shqiptar i lind e drejta që të vendosë vetë për reformën në drejtësi dhe për reforma të tjera të rëndësishme.

Amendamentet i përgatitëm me Arta Daden dhe Ben Blushin, në diskutim me një grup deputetësh të spektrit të gjerë të parlamentit, të cilët po i rendis në vijim. Vazhdojmë kontaktet me shumë deputetë të tjerë dhe me grupet parlamentare, për të siguruar mbështetjen e nevojshme që këto ndryshime në Kushtetutë të miratohen. Besojmë se këto ndryshime kushtetuese janë të domosdoshme për jetën demokratike të vendit. Prandaj do i kërkojmë opinionit publik dhe të gjithë qytetarëve të ushtrojnë presion mbi deputetët e tyre për ta mbështetur këtë nismë” – shkruan Hafizi e cila jep dhe emrat 10 deputëteve që kanë mbështetur.

Bërthama e parë e deputetëve propozues (sipas rendit alfabetik)

Agron Duka

Arta Dade

Ben Blushi

Dashamir Shehi

Eduard Selami

Luljeta Arapi

Mimoza Hafizi

Nard Ndoka

Tahir Muhedini

Vangjel Dule

Please follow and like us: