Presidenti Ruben Diaz Jr. dekoron gratë shqiptare në New York
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, miratuar në vitin 1997 nga OKB
Nga Ludi Metaj
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, miratuar në vitin 1997 nga OKB, Presidenti i Bashkisë së Bronx, Ruben Diaz Jr, akordoi Çmimin e Lartë të Meritës për tre gra aktiviste të organizatës së gruas shqiptare – amerikane, “The Women’s Organization ‘Hope & Peace’” në New York.
Zonjat e nderuara me Çmimin e Madh të Meritës nga Borough President Ruben Diaz Jr, ishin Rukie Ndreu (pas vdekjes) Drita Çarçani dhe gazetarja Mimoza Dajçi. Ndarja e Çmimeve u zhvillua gjatë një Ceremonie solemne pranë Monroe College në New York, nën praninë e Zv. Presidentes së Bashkisë në Bronx – New York Znj. Aurelia Greene.
Rukie Ndreu (pas vdekjes) ish e persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri, internuar familjarisht që në moshë të re për motive politike. Diktatura i dënon të shoqin Xhafer Ndreun për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor edhe vëllanë e saj Elez Hoxha. Në nëntor të vitit 1990 djemtë saj Kastrioti, Shkëzeni, daja i tyre ish i burgosuri politik Elez Hoxha dhe e fejuara e Kastriotit – Nexhmija arratisen në kohën kur Ramiz Alia i kishte kushtuar shumë vemendje vrasjeve në kufi. Rukie Ndreu ishte një grua fisnike me zemër e shpirt të madh, aktiviste pranë Shoqatës së Gruas ish të persekutuar politike në Shqipëri dhe veprimtare e shquar për të drejtat e gruas dhe fëmijëve pranë organizatës së gruas “Hope & Peace” në New York, themeluar nga gazetarja Mimoza Dajçi.
Drita Çarçani, ish e persekutuar dhe e internuar politike nga diktatura komuniste në Shqipëri. Të atin e saj Tajar Çarçanin në dimrin e vitit 1943 e pushkatojnë pa gjyq me urdhër direkt të Enver Hoxhës , familjes i konfiskojnë pasurinë, i marin pronat dhe i internojnë në jug të vendit, në internim Dritës i vdes edhe një vëlla. Pas demokracisë Tajar Çarçanin ish Presidenti Berisha e dekoron me Titullin “Martir i Demokracisë”. Drita Çarçani ka qenë një veprimtare e njohur në Shqipëri për demokracinë, të drejtat e ish të persekutuarve politikë, pjesëmarrëse në grevën e urisë pranë kësaj shoqate dhe aktiviste për të drejtat e gruas në organizatën e gruas The Women’s Organization “Hope & Peace”.
Zonja e tretë nominuar me Çminin e Lartë të Meritës nga Presidenti i Bashkisë Bronx – New York, Z. Ruben Diaz Jr. ishte gazetarja dhe veprimtarja e njohur shqiptare me banin në SHBA, Znj. Mimoza Dajçi. Mimoza ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ish Sekretare e Përgjithshme – Dega Tiranë për ish të persekutuarit politikë, themeluese e shoqatës së Grave ish të persekutuara politike të Shqipërisë. Gazetare pranë shoqatës së ish të përndjekurve politike në Tiranë “Përndjekja”, bashkëpunëtore e gazetave “LIria”, “Rilindja Demokratike” etj.
Edhe në SHBA – Mimoza ka themeluar organizaten e gruas shqiptare -amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” që meret me të drejtat e gruas e fëmijëve, kundër dhunës e trafikimit njerëzor. Mimoza është gazetare dhe publiciste e njohur edhe në shtypin shqiptaro-amerikan në Amerikë. Ka qenë gazetarja e parë e TV Kultura Shqiptare në SHBA dhe gazetës “Tema”. Eshtë aktiviste e palodhur e të drejtave të njeriut, shquhet për humanizëm, veprimtari kulturore e shoqërore. Përveç veprimtarive të shumta që Mimoza ka ndërmarë me organizatën e saj në SHBA, ka qenë edhe dërgimi i ndihmave humanitare në Shqipëri me rastin e përmbytjeve nëpërmjet Kryqit të Kuq me Znj. Edith Blitzer dhe Z. Aleks Nilaj që drejton shoqatën “Me duar të hapura”.
Temat kryesore në këtë event të rëndësishëm u mbajtën nga Znj. Aurelia Greene, Pastor Que English, Znj. Zera Musliu, Z. Beqir Sina, Znj. Ludmilla Ahmetaj, Znj. Mimoza Dajçi etj. Cermonia u ndoq nga gazetari dhe publicisti i njohur në diasporë Z. Beqir Sina, kumtesa e të cilit u mirëprit dhe duartrokit disa herë nga të pranishmit, dhe nga TV Kultura Shqiptare Z. Adem Belliu. Vlen për tu theksuar kumtesa e publicistit të njohur Z. Beqir Sina, i cili mbajti në këtë ceremoni suksesi një referencë me nivel mjaft të lartë shkecor, historik e social.
Nën pjesëmarjen e konsiderueshme të shqiptarëve moderuan veprimtarinë Znj. Hana Merdita dhe aktori Jualin Gjaci, në mbyllje u shtrua edhe një koktej.