Samiti i Parisit, Tirana: BE do të përqendrohet tek Brexit
Samiti i Parisit që pritet të mbahet pas një jave mes vendeve të BE-së dhe atyre të Ballkanit Perëndimor, duket se nuk do mund t’i shpëtojë situatës së krijuar në Europë.
“Në tryezën e bisedimeve të BE-së, më shumë fokusi do të jetë tek termat e divorcit me Mbretërinë e Bashkuar sesa termat e një martese të re me vendet e Ballkanit Perëndimor’, thotë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Për kryetaren e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, rruga ka qenë e vështirë, por tani bëhet edhe më shumë.
“Sidomos për të përcaktuar qartë një axhendë ambicioze dhe të ruajë atë tërheqjen që vendet tona, sidomos publiku, ka ndaj projektit të bashkimit me Europën”, u shpreh Majlinda Bregu, kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit.
Për Aldo Bumçin, në këto kohë duhet më shumë se kurrë një bashkëpunim mes klasës poltike në vend.
“Ose ne duhet të ndërtojmë një marrëveshje të madhe politike mes të gjitha forcave dhe të shmangim krizat, sepse krizat këtu do të kenë një pasojë të jashtëzakonshme sepse faktorët që i kanë zbutur, Brukseli dhe Uashingtoni mundet që në këtë hark kohor mund të mos e kenë shumë mendjen tek ne”, u shpreh përfaqësuesi demokrat në këtë Këshill, Aldo Bumçi.
“Për herë të parë pas 20 vitesh jam 100 përqind dakort me ty Aldo”, reagoi kryetarja e Këshillit, Majlinda Bregu.
Por përtej diskutimeve për Brexit dhe ndikimit në proceset integruese të Ballkanit Perëndimor, ministri Bushati, bëri të ditur dhe projektet që pritet të financohen nga BE, ku përfituesi më i madh do të jetë Shqipëria.
“Për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekurudhor Tiranë-Rinas me një vlerë investimi prej 81 milionë euro”, u shpreh ministri Bushati.