Albspirit

Media/News/Publishing

Të drejtat e grave në tregun e punës nëpërkëmben nga fasoneritë

Një panel ekspertësh të organizatave për të drejtat e grave, zyrtarëve publikë dhe përfaqësuesish të sindikatave vlerësoi se gratë në industrinë fason në Shqipëri janë të paguara keq dhe të diskriminuara.

Dëgjesa publike e mbajtur në Tiranë | Foto nga : Ivana Dervishi

Diskutimi publik “Të drejtat e Grave në Tregun e Punës” i përqendruar veçanërisht te industria tekstile dhe ajo e këpucëve në Shqipëri mblodhi të hënën zyrtarë të lartë, ekspertë dhe aktorë të tregut të punës dhe sindikatave për të diskutuar arritjet legjislative dhe hendeqet reale të punëtorëve fason në vend.

Në diskutim u prezantuan një studim i realizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim mbi fasonerinë në Shqipëri ku ishin analizuar 57 punëtorë nga tre fabrika këpucësh dhe një fabrikë veshjesh. Studimi arriti në përfundimin se mjedisi i punës kishte shkelje të rënda të Kodit të Punës dhe të drejtave të njeriut.

Rreth 50 për qind e punëtorëve nuk e përfitonin pagën statutore, ata nuk paguheshin për orët shtesë, nuk zbatoheshin të drejtat e lejes vjetore, ekzistonte keqtrajtim përmes dhunës verbale dhe nuk zbatoheshin rregullat e shëndetit dhe sigurisë në punë.

Prodhimi i veshjeve dhe këpucëve është punëdhënësi më i madh në Shqipëri, pasi nxë 45% të forcës punëtore në industrinë prodhuese dhe është ndër eksportuesit kryesore në 15 vitet e fundit, me një rritje të dyfishuar në këtë dekadë.

Studimi vlerësoi se një nga tre të intervistuar nuk merr pagën minimale gjatë orëve të punës dhe se punonjësit i kalojnë 40 orët e punës në javë, siç parashikon ligji, ndërsa orët shtesë nuk paguhen dhe pagesat nuk janë transparente.

Punëtorët e fasonerisë hasen me pagesë nën pagën minimale, penalizohen me ulje të rrogës për shkeljet në punë, nuk u paguhen kontributet shoqërore të detyrueshme, leja vjetore, ditët e festave, nuk zotërojnë një kopje të kontratës, ndëshkohen me heqje nga puna në rast ankesash dhe punojnë në temperatura ekstreme, ajër të ndotur të substancave toksike dhe nuk u ofrohet ujë i pijshëm.

Irma Baraku, Komisionere për të Drejtat e Njeriut vlerësoi përmirësimet e fundit të Kodit të Punës për zgjerimin e rasteve të diskriminimit dhe shprehu optimizëm për hapat ligjorë që po çojnë drejt përputhjes së Kodit të Punës me Ligjin Kundër Diskriminimit.

“Kodi ka ndryshuar pozitivisht në rastet e personave të prekur nga HIV-AIDS, ngacmimit seksual dhe grave shtatzënë, si dhe duke e kaluar barrën e provës në rast të diskriminimit te punëdhënësi,” tha Baraku.

Astrit Hado, drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore shprehu vlerësimin e tij për rritjen e deklarimit të pagave dhe derdhjen e kontributeve shoqërore, por pranoi se shumica e deklarimeve të reja prekin dyshemenë e pagës mujore, gjë që dëmton shërbimin shoqëror për vitet në vazhdim.

“Një problem i fasonerive shqiptare është koha e gjatë që vajzat dhe gratë mbahen nën cilësimin e provës, ku ato paguhen me një pagë rreth 14.000 lekë dhe u mbulohen vetëm sigurimet në rast aksidentesh”, tha Hado.

“Pensionet e grave janë më të ulëta se ato të burrave dhe kjo ndikon në rritjen e pabarazisë edhe në moshë të tretë,” shtoi ai.

Studiuesit shprehën shqetësimin e tyre për mungesën e kohezionit midis pagës minimale dhe kostos bazike të jetesës, si dhe diskriminimin dhe pabarazinë gjinore.

Ata rekomanduan që punëdhënësit të respektojnë Kodin e Punës dhe të drejtat e njeriut dhe ta rrisin pagën neto në 169 euro, ndërsa këshilluan që qeveria të sigurojë zbatimin e rregullave ligjore përmes inspektimeve të vazhdueshme te fasoneritë dhe të mbështesë ndërgjegjësimin e zbatimit të të drejtave të grave në punë dhe të drejtave të njeriut në përgjithësi.

Mirela Arqimandriti, drejtore e QAGJZH theksoi se adresimi i rasteve të shkeljes së të drejtave të grave në fasoneri has vështirësi për shkak se punëtoret kanë frikë ta ngrenë zërin.

“Diskriminimi është i pranishëm dhe duhet zbatim dhe monitorim i vazhdueshëm ligjor për t’i dhënë atij një zgjidhje”, përfundoi Arqimandriti.

Paneli i ekspertëve kërkoi gjithashtu fuqizim të sindikatave të të drejtave punëtorëve dhe pavarësi të tyre nga qeveria, ndërsa studimi pranoi se punëtorët i konsideronin sindikatat vegël të pronarëve.

Ivana Dervishi
Please follow and like us: