“Bota është në pritje të lidershipit turk”
Nga Abbas Djavadi
Mund të duket e pabesueshme apo ndoshta ekzagjerim i ndonjë prej kundërshtarëve të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, por në fakt është e vërtetë: kryetari i parlamentit turk, Ismail Kahraman, gjatë një iftari ka thënë: “E tërë bota është në pritje të lidershipit turk. Pse ne turqit nuk jemi të vetëdijshëm për këtë?”
Lexojeni me kujdes deklaratën e plotë, është jo pak argëtuese:
“E tërë bota është në pritje të lidershipit tonë. Pse ne nuk jemi në dijeni për këtë? Turqia e ka një mision të madh. Nuk është vetëm 776 mijë kilometra katror e madhe. Kjo është madhësia e Turqisë brenda kufijve tanë politik. Por, ne kemi edhe kufijtë e zemrës apo shpirtit: një gjeografi të zemrës dhe shpirtit. E tërë bota është në pritje të lidershipit tonë”.
Kjo deklaratë në fakt më shumë i përshtatet ish-presidentit iranian, Mahmud Ahmedinexhad, apo ndoshta edhe atij të Venezuelës, Hugo Chavez.
Por jo, kjo është një deklaratë e re dhe e vërtetë nga e tërë xhungla e lajmeve, që me raste janë të pavërteta dhe që kanë të bëjnë me Turqinë.
Turqia po normalizon marrëdhëniet me Izraelin
Të dielën u dha lajmi se Turqia dhe Izraeli do të normalizojnë marrëdhëniet, ndërsa në muajin korrik, presidenti Erdogan dhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu, do ta nënshkruajnë marrëveshjen zyrtare, e cila do të pasohet nga ngritja e marrëdhënies ndërshtetërore në nivel ambasadorësh.
Më pas pritet të mbahen ushtrime të përbashkëta ushtarake, lidhje tregtare, si dhe projekte të përbashkëta të energjisë së mbrojtjes.
Tensionet në mes të dy vendeve nisën në Zvicër në vitin 2009 kur, atëbotë kryeministri turk, Erdogan dhe presidenti izraelit, Shimon Perez, ishin në konferencën e Davosit, për të diskutuar situatën në Gaza. Kulmi i tensionit ishte kur Izraeli e bastisi një konvoj humanitar turk në vitin 2010, më saktë një anije e cila dërgonte ushqime dhe ndihma mjekësore për palestinezët e rrethuar në Gaza.
Prej asaj kohe, Erdogani dhe zyrtarë të tjerë turk krenoheshin, duke pozuar si miq të palestinezëve. Pavarësisht retorikës dhe ngrirjes së marrëdhënieve, figurat opozitare turke dhe gazeta hebraike me seli në Stamboll, “Salom”, raportonin se djali i presidentit turk e vazhdonte biznesin me Izraelin.
Ahmet Burak, djali i Erdoganit dhe biznismen turk, vazhdonte që me anijet e tij të bënte tregti përmes portit të Ashdodit.
Muajve të fundit, megjithatë, u bënë disa lëvizje. Fillimisht, kushti i parë turk për normalizim të marrëdhënieve u plotësua, kur siç raportonte e përditshmja turke, “Hurriyet” – kryeministri izraelit, Netanjahu, përmes presidentit amerikan, Barack Obama, i kishte dërguar “kërkim faljen” Erdoganit. Izraelitët më pas e sqaruan se ata në fakt kërkuan falje vetëm jetët e humbura në bastisjen e anijes turke, por veprimi i shtetit të tyre ishte veprim “vetëmbrojtjeje” duke e parandaluar anijen që t’i afrohet Gazës.
Politikanët opozitarë dhe gazetarët e kanë vënë në dyshim “të krenuarit” e para shtatë viteve të Erdoganit rreth Izraelit, duke pyetur pse tani politika e tij ndryshoi. Pak para marrëveshjes për rikthim të marrëdhënieve diplomatike, liderët e Hamasit, që e udhëheqin Gazën, janë ankuar se Turqia është tërhequr nga kërkesa për heqjen e shtetrrethimit të Gazës. Ata janë cituar duke thënë se Erdogani iu ka treguar atyre se “ai kë bërë përpjekje, por Izraeli me kokëfortësi e ka hedhur poshtë këtë kërkesë, dhe kështu Erdogani është dashur të vendos në të mirë të interesit kombëtar të Turqisë”.
Ndërkaq, para një jave, ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, duke dashur që të mbajë gjallë deklaratat e fuqishme para botës arabe, ka thënë: “Ne asnjëherë nuk do të heqim dorë nga vëllezërit tanë palestinezë dhe Hamasi dhe se nuk do të ketë lëshime në kushtin për heqjen e shtetrrethimit të Gazës.”
Komandanti i kurdëve: Kryetarët e rinj të komunave do të jenë cak i yni
Pavarësisht asaj se vetën kanë dëshirë ta quajnë si “luftëtarë të lirisë”, Partia e Punës së Kurdistanit vazhdon që të sulmojë edhe civilët në rrugë dhe jo vetëm forcat e sigurisë së Turqisë.
Qeveria turke beson se këshillat lokal dhe kryetarët e komunave në pjesën juglindore të vendit, që udhëhiqen nga Partia Demokratike Popullore pro kurde, janë duke dërguar paratë e shtetit te Partia e Punës së Kurdistanit. Për këtë arsye, qeveria dëshiron që t’i dërgojë këta zyrtarë para drejtësisë dhe kur akuzat të verifikohen, atëherë ata do t’i zëvendësojë me persona të emëruar nga vet qeveria.
Partia e Punës e Kurdistanit vazhdon ta mohojë se Partia Demokratike Popullore është krahu politik i tyre. Megjithatë, komandanti i PKK-së thotë se nëse zyrtarët e kësaj partie të zgjedhur si udhëheqës komunash do të largohen nga shteti, atëherë luftëtarët kurdë do t’i sulmojnë pushtetarët e rinj lokal.
Luftëtarët e PKK-së konsiderohen zyrtarisht si terroristë nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve evropiane. (REL)