Brexit ‘ndez’ PE-në, Farage akuzohet për propagandë naziste
Ka patur shkëmbime të ashpra komentesh në Parlamentin Europian gjatë debatit mbi votën britanike për largimin e vendit nga BE-ja. Pjesa më e madhe e zemërimit i drejtohej njërit prej autorëve kryesorë të fushatës për largim, liderit të UKIP-it, Nigel Farage, i cili në një moment të caktuar u akuzua se përdor “propagandë naziste”.
Në fjalën e mbajtur, Presidenti i Komisionit, Jean-Claude Juncker nuk kurseu thumbimet për Nigel Farage. Ky i fundit duartrokiti në momentin kur Juncker tha se duhet të respektohet demokracia britanike dhe vendimi i referendumit.
“Kjo është hera e fundit që duartroket në këtë sallë”, tha Juncker duke iu drejtuar Farage.
“Nuk e kuptoj çfarë bën ti këtu?! Ti ishe pro daljes dhe njerëzit votuan në favorin tënd. Çfarë bën këtu?”, vijoi ai.
Presidenti i Komisionit Europian kërkoi nga Britania e Madhe që të sqarojë sa më parë pozicionin e vet në lidhje me daljen nga Bashkimi Europian.
“Sa më shpejt që të sqarohet kjo situatë, aq më mirë është. Sigurisht që mua më vjen keq për votën e britanikëve. Jam një europian, s’jam robot, as burokrat i ngurtë dhe as teknokrat”, deklaroi ai.
Juncker tha se ja ka ndaluar secilit prej komisionerëve komunikimin me qeverinë britanike përpara se ajo të zyrtarizojë qëllimet e tërheqjes nga Bashkimi Europian.
Deklarata e Juncker u bë në pritje të takimeve të David Cameron me udhëheqësit e vendeve të BE-së, i pari i këtij lloji pas referendumit.
Cameron takohet si kryeministër i dorëhequr tashmë. Ai do të largohet nga detyra që mban në muajin tetor dhe thotë se është pasuesi i tij ai që duhet t’i referohet metodës formale të shkëputjes, artikullit 50 të Traktatit të Lisbonës.
Ndërkohë, gjatë një fjalimi në Parlamentin gjerman, Kancelarja Angela Merkel u shpreh se BE-ja është mjaftueshëm e fuqishme për të mbijetuar edhe pa Britaninë.