Cigare për xhihadistët
Tregtia me cigaret është një biznes i leverdisshëm për terroristët në Afrikën e Veriut. Të përzier edhe Mali i Zi dhe vendet e tjera ballkanike?
Që shifrat zyrtare të Zyrës montenegrinase të Statistikave të habisin: Mali i Zi eksportoi në tri vitet e shkuara 3.409 tonë cigare në Libi – më shumë se në të dymbëdhjetë shtetet e tjera blerëse së bashku. Biznesi me vlerë rreth gjysmë milioni euro nuk ka të bëjë me shtimin e dëshirës për të pirë duhan të libianëve të stresuar nga lufta pa fund. Kërkimet e një shoqate të gazetarëve investigativë, rezultatet e së cilës publikohen edhe nga DW, sugjerojnë se këtu bëhet fjalë për një tregti të pisët me terroristë islamikë.
Pas pyetjeve të përsëritura, drejtoria malazeze e doganave vërtetoi se shumica e cigareve shkojnë në tri porte libiane – dhe shkojnë më pak në Tobruk, ku e ka rezidencën qeveria e njohur ndërkombëtarisht, por më shumë në Bengasi dhe në Misrata, të cilat kontrollohen nga kryengritësit dhe nga milicët xhihadistë.
Trafiku i cigareve është një burim i rëndësishëm të ardhurash për ekstremistët, thotë një punonjës libian i shërbimit të fshehtë. Ai pohon se cigaret vijnë edhe nga Mali i Zi. Në shtetin në shpërbërje një tregti e tillë e zezë është e vështirë të pengohet, thotë ai. Sipas disa të dhënave, në Libi qarkullojnë aktualisht rreth 1.200 grupime të ndryshme të armatosura.
Me bekimin e shtetit?
A mund të kontribuojnë të paktën autoritetet e Malit të Zi për sqarim? Ky shtet ballkanik, si kandidat i BE dhe së shpejti anëtar i NATO-s duhet të jetë në gjendje që të ndalojë biznese të dyshimta. Por reporterët i pret një realitet tjetër: “A mendoni me të vërtetë se grupimet (terroriste) presin ngarkesa nga Mali i Zi, për ta qetësuar dëshirën e tyre për nikotinë dhe përfitim?” Kështu përgjigjet me shpoti Slavoljub Vukashinoviq, deri pak kohë më parë drejtim i kombinatit të falimentuar të duhanit në kryeqytetin Podgoricë, i cili është përgjegjës për eksportet në fjalë. Pyetjeve gazetareske ai nuk donte t’u përgjigjej seriozisht. “A thua që konflikti në Libi shpërtheu për shkak të mallrave nga Mali i Zi?” vazhdoi ai.
Ajo që e bën çështjen më të mprehtë: kombinati kontrollohej deri në shkurt të këtij viti nga shteti. Punonjësit e papaguar të tij hidheshin në protesta të vazhdueshme. Pastaj firma kaloi te një investor problematik nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Biznesi me Libinë u bë për vite të tëra nga një firmë tjetër nga Emiratet – “Liberty Fze”. Kjo firmë sipas medieve i pati siguruar prodhuesit malazez të duhanit licensën për prodhimin e markës egjiptiane “Cleopatra”. Nga Egjipti u tha disa herë se “Cleopatra” e Malit të Zi është falsifikim. Edhe një aktpadije kundër prodhuesit shtetëror në Podgoricë u njoftua. Anijet nga porti i Malit të Zi, Bar, për këtë arsye u ndaluan rrugës për në Afrikën e Veriut disa herë nga anije greke, si në mars të këtij viti, kur autoritetet konfiskuan 146 tonë të “Cleopatra”-s së falsifikuar.
Në dallim nga trafiku i naftës, shitja e cigareve ilegale si burim të ardhurash i terroristëve islamikë ka tërhequr deri tani pak vëmendjen. Kjo në një kohë kur ky biznes i Afrikës së Veriut sjell çdo vit një bilion dollarë amerikanë, shkroi në 2013-ën Guardian e Londrës. Gati treçereku i cigareve që tymosen në Libi shiten ilegalisht. Milicë si Ansar al-Scharia fitojnë ose me “tatimin” për rrugën e sigurtë, ose e bëjnë vetë shpërndarjen. Itineraret kryesore, thuhet në artikullin e Guardian, nisen nga fabrika ilegale në Kinë dhe Vietnam nëpër Afrikën Perëndimore në Magreb.
Që Mali i Zi fare i vogël të luante rol në këtë tregti të madhe ilegale ishte e panjohur. Prokuroria malazeze deri sot nuk tregon interes që të merret me dyshimet në fjalë. Kështu që mbetet e panjohur, nëse itinerari i ndjekur vitet e kaluara për në Bengasi dhe Misrata funksionon ende.
Autorët Vladimir Otašević (Qendra Malazeze për Gazetarinë Investigative), Marko Vešović (gazeta e përditshme “Dan” nga Podgorica) dhe Hassan Haidar Diab (gazeta e përditshme “Večernji list”nga Zagrebi) janë gazetarë që kanë marrë disa çmime. Rezultatet e punës së tyrë, që u publikua në mënyrë ekskluzive në DW Deutsch u botua njëkohësisht në disa media rajonale.