Filmit “Home” i hapen dyert për nominim për “Oscar”
Projektit kinematografik “Home”, i realizuar si koproduksion midis Anglisë dhe Kosovës, i është hapur dera e parë drejt garës për çmimin më prestigjioz për film në botë, çmimit “Oskar”, pasi e ka marrë çmimin kryesor në festivalin e njohur amerikan, shkruan sot “Koha Ditore”.
Filmi 20-minutësh, nën regji të Daniel Mulloyt, ka marrë çmimin “Best of the Festival Award” në edicionin e sivjetmë të “Palm Springs International ShortFest”.
Festivali, i cili përfundoi të dielën, kualifikon filma për Çmimin “Oscar” dhe është ndër më të mëdhenjtë të filmit të shkurtër në Amerikën Veriore.
“Home”, që trajton çështjen e refugjatëve në një perspektivë të veçantë, është produksion i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” dhe “Black Sheep Studios” e “Somesuch” nga Anglia.
Lajmin për triumfin e filmit me protagonistë Jack O’Connell e Holly Grainger në festivalin e famshëm, e ka publikuar të hënën “Hollywood Reporter”.
“Ishte një befasi. Thënë të drejtën nuk e kemi pritur një lajm kaq të mirë. Por, dje ka përfunduar festivali që është prej goxha prestigjiozëve në Amerikë dhe ky është çmimi i parë për ‘Home’, edhe pse është shfaqur edhe në disa festivale tjera”, ka thënë Eroll Bilbani, drejtor ekzekutiv i “DokuFestit”, njëherësh producent ekzekutiv i filmit, bashkë me aktoren e njohur kosovare, Arta Dobroshi.
“Dhe përmes këtij çmimi, filmi automatikisht konsiderohet për nominim për ‘Oscar’ dhe vërtet është lajm i mirë. Edhe pse është herët të flitet, kjo mund të konsiderohet derë e parë drejt nonimimit, sepse tani filmi automatikisht hyn në listën e filmave që duhen konsideruar për nominim”, ka shpjeguar ai.
Kosova këtë vit ka pasur nominimin historik nga Akademia prestigjioze. “Shok”, po ashtu kooproduksion britaniko-kosovar, ishte nominuar në kategorinë “Best Live Action”, por u mposht nga filmi “Stutterer” në ceremoninë e mbajtur në shkurt.
Në ueb faqen zyrtare të “Palm Springs International ShortFest” jepen të dhëna për organizatorët dhe impaktin që ka ky event në botën e filmit.
“‘The Film Society’ realizon ‘The Palm Springs International Film Festival’ çdo vit në janar dhe ‘Palm Springs ShortFest’ në qershor. Përveç si kurator i kinematografisë më të mirë ndërkombëtare, festivali “PSIFF” është bërë si ndalesë e parë në rrugën drejt Akademy Awards dhe festivali që kualifikon filmat për ‘Oscar’ – ‘ShortFest’ është festivali më i madh i filmit të shkurtër në Amerikën Veriore”, shkruhet aty.
Portali i njohur “Hollywood Reporter“ ka shkruar se filmi “Home” i Daniel Mulloy, një film nga Kosova për një familje që duket se po shkon në pushim, por zihet në një kamp refugjatësh, ka fituar “Best of the Festival Award”. Festivali ka shfaqur 372 filma të shkurtër, të përzgjedhur nga më shumë se 4 mijë e 100 aplikime të filmbërësve.
“Një fije e përbashkët e imigrimit dhe dhembshurisë dominon në katër filmat e shpërblyer sivjet – duke iu dhënë jehonë çështjeve aktuale përreth botës”, citohet të ketë thënë drejtoresha e festivalit, Helen du Toit.
Bilibani ka shpjeguar se qëllimi i regjisorit Daniel Mulloy me këtë film është të tregojë se në botë kushdo mund të jetë refugjat.
“Që nuk është zgjedhje të jesh refugjat. E gjitha ka lindur kur regjisori ishte duke realizuar promon e vitit të kaluar të ‘DokuFestit’ dhe ka takuar shqiptarë që ishin kthyer me zor nga Hungaria e ka biseduar me ta. Menjëherë e ka shkruar skenarin dhe në shtator kanë nisur xhirimet. Ai e ka kthyer mbrapsht storien e emigrimit, refugjatit”, ka thënë Bilibani.
Ai ka shtuar se familja e cila në film flet anglisht mund të jetë nga Anglia apo edhe familje shqiptare që është integruar atje. “Home” nuk ka për qëllim që të portretizojë një popull të caktuar, duke mbajtur anën e sulmuesit e as viktimës, por flet për të gjithë emigrantët në botë dhe mbi të gjitha qëllimi i tij është të tregojë se i njëjti fat mund ta prekë këdo.
“Ajo që mua personalisht po më pëlqen është se këtë moment Kosova nuk është pjesë e tregimit, por jemi ata që po e përcjellim një tregim në botë dhe po japim kontribut të vogël për këtë problem të madh. Mendoj se është e rëndësishme që edhe filmbërsit tjerë ta shohin Kosovën si potencial ku marrin storie dhe jo të na viktimizojnë”, ka thënë ai.
“Home” është realizuar me mbështetjen financiare të USAID-it dhe Fondacionit për Shoqëri të Hapur, si dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Komunës së Prishtinës.
Në të luajnë edhe aktorët shqiptarë: Zaki Ramadani, Andi Bajgora, Edison Dabiqaj, Adriana Matoshi, Armend Ismajli, Rifat Smani. (r.m.)