Kaliforni, vijon beteja me flakët
Zjarret në Kaliforni nuk janë fashitur ende, madje një vatër e re është shfaqur në jug të vendit, pikërisht në kohën kur zjarrfikësit arritën pas shumë mundimesh të vinin në fre një mur flakësh në rajonet qendrore të këtij shteti.
Por pavarësisht situatës dhe rrezikut që ajo paraqet, disa banorë të kontesë Kern vendosën të riktheheshin në shtëpitë e tyre, vetëm që t’i gjenin të shkrumbuara. Fajtori për zhdukjen e atyre çfare kishin në zotërim është zjarri Erskine. 250 struktura janë kthyer në gërmadha për shkak të tij dhe 75 godina janë dëmtuar.
Erskine shpërtheu pasditen e së enjtes e u përhap me shpejtësi marramendëse në disa komunitete, i ndihmuar nga erërat e forta në zonë, ku u përhap jashtë çdo kontrolli për dy ditë rresht.
Të paktën 2 persona humbën jetën prej tij ditën e premte. Autoritetet e kontesë Kern paralajmëruan se bilanci i vdekjeve mund të rritet pasi ekipet e emergjencës janë ende duke kërkuar nëpër rrënojat e shtëpive të djegura.